Ndërlidhjet

ALMOND:"KRIZA RRETH KOSOVËS MUND TË SHPIE NË DHUNË DHE KONFLIKTE"


Mark ALMOND, profesor në Universitetin OKSFORD

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga zyrtarët serb të partisë së Koshtunicës ditë më parë ka deklaruar se Serbia mund të ndërmarrë një varg masash në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Ai ka apostrofuar dërgimin e ushtrisë serbe në Kosovë, bllokimin e kufirit me Kosovën dhe embargon tregëtare. A është një gjë e tillë reale?

MARK ALMOND
Çfardo aksioni ushtarak i Serbisë do të ishte i gabuar dhe i pakuptimtë, sepse ata do të ballafaqoheshin me forcat e NATO-s. Kjo njëkohësisht do të shkaktonte dhunë brenda Kosovës kundër serbëve. Bllokimi dhe embargoja tregëtare mund të realizohen, por shtrohet pyetja se cili është këmbimi i ndërsjell tregëtar. Ekonomia kosovare varet nga ndihma ndërkombëtare dhe nga mjetet që bashkësia e madhe shqiptare që jeton jashtë Kosovës i dërgon atje. Pra, nuk kemi ndonjë tregëti të madhe që do të mund të bllokonte Kosovën. Sa i përket intevenimit eventual ushtarak, në atë rast konflikti do të mund të bartej në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni. NATO është e brengosur për shkak të mundësisë së konflikteve të intensitetit të ulët në Kosovë dhe fqinjësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, ka thënë se Serbia kurrë nuk do të harroi zhvillimet e vitit 1999, përkatësisht intervenimin e NATO-s. Ndryshe ai është anëtar i partisë së Tadiçit që në Perendim në masë të madhe cilësohet pro perendimore?

MARK ALMOND
Shumë cinikë kanë pritur se partia e Tadiçit do të jetë më e prirë për kompromis me NATO-n dhe Perendimin në tërësi. Por, kohëve të fundit befason vendosmëria me të cilën Tadiç dhe bashkëpunëtorët e tij refuzojn pavarësinë e Kosovës. Shi për këtë Perendimi ka vështirësi në gjetjen e zgjidhjes për Kosovë, sepse klasa politike në Serbi nuk është e përçarë rreth kësaj çështje, siç është supozuar. Kuptohet këtu është edhe roli i Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Retorika e ashpërsuar e Beogradit ka pasuar deklarimin e Moskës se Kosova dhe mburoja antiraketore në Çeki dhe Poloni janë "vijat e kuqe" për Moskën. Si e komentoni këtë zhvillim?

MARK ALMOND
Rusia është shumë e pakënaqur me synimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur mburojën antiraketore. Kjo çështje dhe Kosova për Moskën kanë domethënje simbolike. Ajo më nuk ndihet inferiore në raport me Perendimin si në vitin 1991. Në Rusi në mesin e popullatës dhe politikanëve ekziston disponim shumë anti perendimor. Në fazën para zgjedhjeve paralamentare dhe presidenciale luajtja në kartën e nacionalizmit rus do të jetë element i rëndësishëm. Njëri nga kandidatët për kryetar të Rusisë, Sergej Ivanov, është shumë kritik ndaj NATO-s dhe politikës së Perendimit ndaj Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A është në interesin e Rusisë që Serbia të mbetet jashtë NATO-s dhe Bashkimit Evropian?

MARK ALMOND
Gjithsesi që është inters i Rusisë që Serbia të mos anëtarësohet në NATO. Në interesin e Moskës është çdo gjë që do të ngadalsonte ekspanzionin e Aleancës Veriatlantike drejt kufinjëve të saj, madje edhe të vendeve që nuk janë në afërsi të saj. Nga ana tjetër Moskës i konvenon që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, sepse kjo i shkon për shtati biznesit rus që ka investime të konsiderueshme në hapësirën e ish – Jugosllavisë. Rusisë i konvenon që vendet siç janë Serbia dhe Bosnja të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, sepse kështu dobësohet kritika e Brukselit ndaj Moskës. Kjo njëherit sipas Moskës mund të çojë drejt minimit të unitetit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Rusia shfrytëzon burimet e veta energjetike si mjet për të përçarë Bashkimin Evropian. Rrjedhimisht, Rusisë i konvenon anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, por jo edhe në NATO.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni deklaratën e ministrit të Jashtëm francez, Bernar Kushner, se vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të ruajnë unitetin rreth statusit të Kosovës edhe nëse bisedimet e tashme dështojn?

MARK ALMOND
Është çështje e hapur nëse Bashkimi Evropian mund të ruaj unitetin në rastin e Kosovës. Greqisë nuk i pëlqen krijimi edhe i një shteti shqiptar. Në pozita të ngjashme janë edhe Slovakia, Rumania dhe Bulgaria. Në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës do të kemi përsëritje të situatës nga viti 1991 kur Austria dhe Gjermania njohën pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë. Duke pasur parasysh pozicionin e Bernar Kushnerit tash me gjasë e para në njohjen e pavarësisë së Kosovës do të ishte Franca.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se retorika e ashpër e Beogradit është pjesë e manovrimit që në bisedime të përfitohet sa më shumë apo shenjë e procesve më të thella që Serbinë e largojn nga rruga evropiane?

MARK ALMOND
Pozicioni i Serbisë rreth Kosovës është shumë i fortë dhe rigjid. Nuk mendoj se kemi të bëjmë me taktizim, por me dëshprimin e tyre me Perendimin. Kriza e tashme është shumë e rrezikshme dhe një incident fare i vogël mund të shkaktoi dhunë dhe konflikte ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Intervistoi: D. SHTAVLJANIN
XS
SM
MD
LG