Ndërlidhjet

FESTIVALI ‘9/11’ - SOLIDARIZIM ME POPULLIN AMERIKAN


Bekim Bislimi

Mbrëmë ka përfunduar mbrëmja e dytë e edicionit të katërt të Festivalit të filmit të shkurtë ‘9/11’, i cili organizohet në Prishtinë, në shenjë solidariteti të artistëve shqiptarë të Kosovës me popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të përkujtuar ngjarjet tragjike nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Prania e madhe e publikut ka befasuar edhe vetë organizatorët e Festivalit ‘9/11’, thotë Ismet Sjarina, drejtori artistik i këtij festivali, në të cilin janë duke konkurruar 21 filma. “Për çdo natë shfaqen nga 7 filma, pasi që numri total i filmave është 21. Prej tyre, 9 filma janë prodhim i Festivalit ‘9/11’, ndërsa 10 janë premierë për Kosovë, duke përfshirë edhe ata të prodhuar nga ‘9 /11’. Të tjerët janë kryesisht filma të studentëve, të cilët i kanë shfrytëzuar për provimet e veta dhe të cilët audienca e gjerë nuk ka pasur mundësi t’i shikojë, si dhe 5 filma tjerë që vijnë nga Shqipëria. Prej tyre, janë 3 të animuar dhe 2 filma janë të metrazhit të shkurtë, të dërguar nga Qendra Kinematografike e Tiranës”, bëri të ditur Sjarina. Veçori pozitive, që po e përcjellin edicionin e sivjetmë të Festivalit ‘9/11”, sipas zotit Sjarina, janë edhe debatet e hapura lidhur me filmat që shfaqen në këtë festival. “Artistët kryesisht po i shqyrtojnë temat sociale. Shihet që rrethanat në të cilat po jetojnë kanë ndikuar që edhe ata të jenë më tepër të fokusuar në temat sociale. Megjithatë, këtë vit, nxirret në pah më tepër ana teknike. Do të thotë se artistët janë mësuar që teknikisht ta punojnë më mirë filmin, që konsiderojmë se në njëfarë mënyre kjo është edhe arritje e ‘9/11’ . Ky ka qenë edhe misioni ynë. Debatet zhvillohen prej orës 12 dhe dje e kishim debatin e parë, pasi që debatohen të gjithë filmat që shfaqen një natë më parë. Kështu që ne i ftojmë të gjithë artistët e interesuar. Debatet janë shumë konstruktive”, u shpreh Sjarina. Festivali ‘9/11’ po përmbush dy qëllime, të cilat janë përcaktuar nga organizatorët, thotë drejtori artistik Sjarina. “Do të thosha se ‘9/11’ ka dy misione. Misioni i parë është që të tregohet mbështetja e një populli të vogël mik për një popull të madh mik që e kemi, popullin amerikan dhe, e dyta, për zhvillimin e kinematografisë, më konkretisht, filmit të shkurtë shqiptar. Edhe sivjet, në këtë edicion, vetë motoja e festivalit është ‘vetëm shqip’, çka nënkupton se ne ekskluzivisht e përkrahim filmin e shkurtë shqiptarë. Konsiderojmë se ka ngecje, por, megjithatë, iniciativa ka filluar që me hapjen e Akademisë dhe ‘ 9/11’ është gjithmonë në përkrahje të artistëve të rinj dhe ndoshta është vendi më i mirë ku ata mund ta dëshmojnë veten dhe aftësitë e tyre”, tha Sjarina. Sipas tij, Festivali ‘9/11’ nuk përpiqet të dërgojë mesazhe politike, edhe pse, siç pohon ai, mund të krijohet përshtypje e tillë. “Konsideroj se përmban mesazh human. Mendoj se ne jemi popull i vogël për të pasur aq ndikim të madh në politikë, por, megjithatë, nëse Kosova mund të ofrojë diçka, atëherë mund të ofrojë vepra të mira artistike. Ne e dimë se nuk mund të ofrojmë diçka tjetër, por artistët asnjëherë nuk i kanë munguar këtij vendi. Prandaj, ne dëshirojmë që përmes artit të bartim mesazh dhe jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë kufijve të saj, që përmes artit të bëhemi faktorë”, tha Sjarina. Sidoqoftë, Festivali ‘9/11’ përfundon nesër, pas ndarjes së 6 shpërblimeve për filmat që janë duke u shfaqur në këtë festival. Ndërkaq, një numër i këtyre filmave, me mbështetjen e organizatorëve të këtij festivali, do të konkurrojnë edhe në disa festivale tjera ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG