Ndërlidhjet

HYSENI:”KOSOVA S’ËSHTË ËMBËLSIRË QË T’IA JAPË DIKUSH BEOGRADIT”


Hydajet HYSENI, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hyseni, javën e ardhshme, ashtu sikurse edhe në fund të muajit, do të ketë takime të radhës mes Prishtinës e Beogradit në kuadër të bisedimeve për statusin. Si e vlerësoni ju dinamikën e procesit të deritashëm dhe çka prisni nga këto takime?

HYDAJET HYSENI
Përvoja po dëshmon edhe njëherë se vërtet gjithë ky proces, që po quhet bisedime për statusin e që kurrë nuk më duket i rregullt, i saktë, është vërtet vetëm një dëshmi se qasja prej fillimit ka qenë e gabuar. Çështja e Kosovës nuk është çështje që mund të zgjidhet me bisedime midis Prishtinës dhe Beogradit. Po të ishte kështu, ajo do të zgjidhej shumë kohë më parë. Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës dhe në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë. Po të ishte ndjekur kjo qasje prej fillimit, çështja e Kosovës do të zgjidhej kaherë, siç janë zgjidhur sa e sa çështje përreth dhe, tani, ne do të kishim krejt raporte të tjera, jo vetëm të brendshme midis komuniteteve, por edhe midis Prishtinës e Beogradit, siç i ka Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e kështu me radhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pala kosovare ka thënë se do t’ia paraqesë Treshes negociatore traktatin e fqinjësisë së mirë me Serbinë, në periudhën e pas statusit. Si e vlerësoni ju këtë hap të Ekipit të Unitetit?

HYDAJET HYSENI
Parimisht, madje edhe taktikisht, nuk mund të kontestohet një qasje e tillë. Kam përshtypjen sikur po teprohet me përpjekje për të dëshmuar gjithmonë se ne nga Kosova kemi vullnet të mirë, kemi synime të mira, kemi dëshira të mira. Pse, kush i konteston këto? Si mund të kontestohen këto? Kosova e ka dëshmuar këtë në vijimësi, madje edhe para se të krijohet kriza në Kosovë. Problemi është te Beogradi, te mungesa e vullnetit të Beogradit për një qasje të tillë. Dhe, nuk mund të pajtohen dy palë nëse njëra palë nuk e dëshiron këtë. Por, mendoj se duhet një qasje tjetër, duhet më shumë të dëshmohet se Kosova jo vetëm që është vullnetmirë, jo vetëm që e ka të drejtën për të qenë e pavarur, por të dëshmohet se Kosova është e vendosur për të qenë e pavarur dhe kjo jo të mbetet vetëm në fjalë, por të kthehet në vepër. Kosova duhet të marrë vendime historike, siç kanë marrë të tjerët përreth.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas 120 ditshit, Treshja ndërkombëtare do t’i dërgojë një raport Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. A mendoni se do të ketë bisedime shtesë edhe pas 10 dhjetorit apo do të ketë një zgjidhje për Kosovën?

HYDAJET HYSENI
Bisedime – varet për çka. Kosova kurrë nuk mund të jetë kundër bisedimeve, madje me gjithkënd. Çështja është vetëm që të sqarohen qartë. Për çështje të brendshme të Kosovës, Kosova nuk ka pasur nevojë dhe nuk do të kishte kuptim të bisedojë me Beogradin. Me Beogradin mund të bisedohet dhe Kosova është e interesuar, duhet të jetë e interesuar për të biseduar, por për të biseduar për çështje që janë probleme bilaterale midis Prishtinës e Beogradit, si probleme midis dy vendeve; ngjashëm siç kanë vepruar të tjerët, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesi rus në Treshen ndërkombëtare për Kosovën, Aleksander Harchenko, i ka cilësuar të ‘palejueshme sinjalet politike’, me të cilat, siç thotë ai, po ‘ushqehen’ shqiptarët me premtime për pavarësi nga SHBA-ja. Cili është mendimi juaj për këtë?

HYDAJET HYSENI
Është pak e vështirë të kuptohet formula ‘po ushqehen shqiptarët me premtime’. Aspiratat e shumicës shqiptare në Kosovë janë të natyrshme, burojnë nga shpirti i zhuritur i një populli për të qenë i lirë, i barabartë, për të qenë zot i fatit të tij, i vendit të tij dhe nuk ka asgjë të pazakonshme edhe po të ushqehet një aspiratë e tillë, që është origjinale dhe që është në shpirtin e çdo populli. Është eventualisht për t’u habitur dhe për brengosje ajo që po ushqen Moska zyrtare në raport me Beogradin dhe me serbët e Kosovës, që po prezantohet si mbështetje për Beogradin, e unë jam i bindur se shumë shpejt do të dëshmohet se është absolutisht e kundërta. Nuk është Kosova një ëmbëlsirë që do t’ia japë dikush Beogradit dhe me këtë pastaj Beogradi do të jetë i ngopur dhe i kënaqur. Beogradi e ka pasur këtë dhuratë që një shekull dhe çka ka pasur të mirë nga kjo?! Ka pasur vetëm pasoja, edhe për vetveten, edhe për popullin serb, edhe për të ardhmen e tij demokratike e prosperuese dhe kjo tanimë është e qartë edhe për një pjesë të mirë të opinionit demokratik serb. Është e çuditshme se si nuk e kuptojnë këtë liderët serbë dhe si nuk e kupton edhe Moska. Moska, dikur ka qenë sinonim i mbrojtjes së parimit të popujve për vetëvendosje. Moska edhe e mbron këtë parim në raport me të tjerët. Si është e mundur tani që në raport me Kosovën, Moska e harron një parim universal, parim i cili në të vërtetë do të ishte zgjidhje edhe për Serbinë. Serbia do të përfitonte nga pavarësia e Kosovës. Kjo tanimë është e njohur dhe e dëshmuar në rastin e të tjerëve. Moska duhet ta kuptojë se me qasjen e saj po dëmton jo vetëm shqiptarët, por po dëmton edhe serbët në Kosovë, po dëmton paqen dhe stabilitetin në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i përcaktimit të statusit dhe zgjedhjet janë duke u zhvilluar në të njëjtën kohë. Cila do të jetë sfida e institucioneve përballë këtyre dy proceseve?

HYDAJET HYSENI
Shtrohet me të drejtë. Kosova nuk po mund të përballet me sukses edhe vetëm me njërën ose njërën pas tjetrës, e le më me të dyja bashkërisht. Megjithatë, ato objektivisht nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Synimi për të zgjidhur përfundimisht drejt çështjen e Kosovës është, në fund të fundit, një synim për të pasur një normalitet, paqe, një funksionim demokratik në Kosovë. Kurse zgjedhjet, po ashtu nga një aspekt tjetër, synojnë të njëjtën gjë. Vështirë e përballueshme, por, megjithatë, besoj se pjekuria politike që kemi ndërtuar në Kosovë, organizimi që kemi, përvoja, do të mundësojnë që megjithatë këto të mos e dëmtojnë njëra-tjetrën. Do të ishte mirë që procesi demokratik të mos ishte shtyrë një vjet, dy vjet më parë, siç është tërhequr vërejtja, dhe tani do të ishim në kushte shumë më të mira. Druaj nga mundësia e shtyrjeve të reja dhe ngatërrimeve të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë thonë se sfidë kryesore gjatë këtyre dy proceseve do të jetë ruajtja e sigurisë. Sa mendoni se do të ruhet kjo siguri gjatë fushatës zgjedhore?

HYDAJET HYSENI
Edhe unë i druaj më shumë interferimeve dhe influencimeve eventuale nga jashtë. Sa i përket popullit të Kosovës dhe subjekteve politike kosovare, kam besim të fortë se mbi bazën e asaj që kemi ndërtuar bashkërisht dhe konsensusit, kohezionit që kemi sa i përket orientimit, synimeve të përbashkëta, mendoj se është bazë e fortë dhe që mundëson një proces të suksesshëm, të rregullt, mund të them madje shembullor demokratik. Uroj të jetë kështu.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG