Ndërlidhjet

STAVILECI:“PAS 10 DHJETORIT DO TË HAPET NJË RICIKLIM TJETËR”


Esat STAVILECI, akademik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Stavileci, edhe në takimin e mbajtur në Londër midis Treshes ndërkombëtare dhe Prishtinës e Beogradit, palët vazhdojnë të kenë qëndrime diametralisht të kundërta. Si e shihni ju vazhdimësinë e këtij procesi?

ESAT STAVILECI
E para, asgjë nuk është e panjohur nga ajo që palët mbajnë qëndrime të kundërta. Në lidhje me këtë, unë mendoj se pikërisht është bashkësia ndërkombëtare ajo që, në njëfarë mënyre, i hyri negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, duke qenë e vetëdijshme se nga ato negociata nuk do të ketë ndonjë rezultat efektiv. Unë shpeshherë kam bërë përpjekje që të flas për qasjen e gabueshme të bashkësisë ndërkombëtare, që nëpërmjet negociatave ta zgjidhë çështjen e Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare, në vend se zgjidhjen e çështjes së Kosovës t’ia linte vetë popullit të Kosovës, që ai vetë të vendoste për të ardhmen e tij sipas një parimi të deklaruar dhe të verifikuar ndërkombëtarisht, të vetëvendosjes së popujve, të prononcuar edhe në të drejtën ndërkombëtare, zgjodhi një rrugë tjetër, për të cilën dihej vetëm fillimi dhe jo fundi. Prandaj, unë kujtoj se bashkësia ndërkombëtare, bashkë me negociatat, janë gjendur në një udhë pa krye dhe kujtoj se procesi do të mund të riciklohet dhe zgjidhja do të mund të kërkohej vetëm atëherë po qe se do të arrihet një konsensus i plotë në bashkësinë ndërkombëtare, që unë, në njëfarë mënyre, druaj se do të ketë, për vetë faktin e interesave të ndryshme që kanë disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësisht nga bisedimet, sa besoni se 10 dhjetori do të mund të shënojë përmbylljen e procesit të përcaktimit të statusit politik?

ESAT STAVILECI
Është thënë edhe radhëve të tjera, se negociatat në fakt po bëhen më tepër për t’i siguruar bashkësisë ndërkombëtare një prani të fuqishme. Ju e dini se kohën e fundit po qarkullojnë edhe mendime, se nuk bëhet fjalë për vendosjen e një statusi, sa bëhet fjalë për të vendosur një prani të fuqishme ndërkombëtare. Arsyet për një prani jo të lehtë, por relativisht të theksuar të Bashkimit Evropian, variojnë prej vlerësimit të bashkësisë ndërkombëtare për kapacitetin ende të ulët të institucioneve të Kosovës për të administruar plotësisht vendin, nëpërmjet ndjenjës që gati është shndërruar në besim të saj, për shkallën e lartë të mosbesimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, deri te njëfarë marrëveshje e pashkruar për kufizimin e sovranitetit eventual të Kosovës. Prandaj, nuk do të ishte mirë që të krijohet përshtypja se me datën 10 dhjetor i gjithë procesi do të mbyllet. Unë druaj se pas datës 10 dhjetor do të hapet një riciklim tjetër, do të bëhen përpjekje të reja dhe bashkësia ndërkombëtare do të përpiqet të kërkojë modalitete, të cilat ndoshta do të bënin përpjekje t’i ofronin pikëpamjet e dy fuqive të mëdha, se në fakt, tani nuk është lufta mes Prishtinës e Beogradit, sa është lufta mes dy fuqive të mëdha, SHBA-ve dhe Rusisë, për të fituar pozicione në kurriz të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, si mendoni se duhet të veprojnë institucionet në Kosovë në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme?

ESAT STAVILECI
Unë përherë kam menduar nëpërmjet një fjalie të shkurtër, që ka qenë një porosi e imja e hershme, se asnjë shtet nuk ka ekzistuar përpara se të formohej, se lëvizjet duhet të ndodhin në Kosovë, se vetë Kosova dhe vetëm Kosova është ajo që do të përcaktojë të ardhmen e saj. Në lidhje me këtë, unë shpeshherë e kam përdorur, ndoshta pa të drejtë, se vazhdon loja me Kosovën. Vazhdimi i lojës me negociatat shtesë arsyetohet me përpjekjet si gjëra konkrete dhe të sinqerta, që automatikisht çojnë te konkluzioni se ato të parat nuk paskan qenë as konkrete, as të sinqerta. Në lidhje me këtë, sado që parashikimet nuk janë të falënderueshme, unë po bëj përpjekje që të bëj tre parashikime; e para, do të ketë vazhdimisht përpjekje nga ana e rusëve që të shlyejnë dokumentin e Ahtisaarit, sikur ai të mos ekzistonte fare; e dyta, të ndikojnë në çarjet e mëtejshme brendapërbrenda Bashkimit Evropian dhe, e treta, të ngadalësojnë procesin dhe, në njëfarë mënyre, ta vënë në pyetje gjithë procesin negociator. Prandaj, në pyetjen tuaj shumë direkte, se çfarë do të duhej të bënin institucionet tona, unë kujtoj se është me shumë interes që të kenë parasysh këto momente; e para, se pavarësia kurrë nuk falet, ajo duhet të fitohet dhe se asnjë vendi nuk i është dhënë pavarësia, por atë e ka marrë vetë. Unë kujtoj se është momenti i fundit që të mendohet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës nëpërmjet Kuvendit të Kosovës dhe të bëhet përpjekje që Bashkimi Evropian të vihet para një akti të kryer, sepse ai, në njëfarë mënyre, që më herët është deklaruar se është për një pavarësi të kushtëzuar apo, siç është thënë, pavarësi formale të Kosovës. Duhet pasur parasysh se do të mund të ndodhin, natyrisht me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndryshime në veri, por ato ndryshime kanë ndodhur edhe sot; serbët në veri jetojnë krejtësisht të veçuar nga shqiptarët, shpalosin një tjetër flamur, përdorin një tjetër valutë, përdorin një tjetër gjuhë dhe marrin urdhra nga një tjetër qeveri. Prandaj, nëse do të bëheshin kompromise të tjera, dhe unë në këtë rast deklarohem në mënyrë shumë decidive, që delegacioni i Kosovës duhet të pushojë të bëjë kompromise të tjera, sepse ka bërë një gabim taktik në fillim, i ka thënë fjalët e fundit të parat, ka pranuar shumë koncesione. Kjo do të ishte e njëvleftshme me pranimin e zhbërjes së Kosovës dhe atë jo vetëm si shtet, por edhe si etni.

RADIO EVROPA E LIRË
Është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale, ndërkohë që procesi i përcaktimit të statusit politik pritet të intensifikohet në dy muajt e ardhshëm. A mendoni se do të mund të ketë ndonjë fërkim në këtë drejtim?

ESAT STAVILECI
Po, duhet ruajtur nga gabimet në hapa. Unë i kam quajtur gabime në hapa po qe se natyrisht do të interferohen në problemin e statusit të Kosovës. Kam edhe një rezervë, ta quaj ashtu; përgjithësisht, nëse Bashkimi Evropian blen kohë, atëherë për blerjen e kohës do t’i shërbenin edhe zgjedhjet, sepse zgjedhjet do të mund të largonin vëmendjen nga interesimi për statusin e Kosovës. Dhe, unë do t’i bëj të vetmin sugjerim në këtë intervistë delegacionit të Kosovës, që të jetë shumë i vëmendshëm, që të mos bëjë gabime në hapa, por të përcaktojë prioritete me rastin e marrjes së vendimeve.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG