Ndërlidhjet

DILEMAT E QYTETARËVE PËR PËRKRAHJEN NDËRKOMBËTARE PËR PAVARËSINË E KOSOVËS


Bekim Bislimi

Shqiptarët e Kosovës janë duke pritur që statusi politik i këtij vendi të zgjidhet gjatë këtij viti dhe ky status të jetë pavarësia e mbikëqyrur, e propozuar sipas dokumentit të Ahtisaarit. Megjithatë, tek disa qytetarë të Prishtinës ekzistojnë mendime të ndryshme, lidhur me atë se a është duke vazhduar mbështetja ndërkombëtare për zbatimin e këtij plani, që nënkupton pavarësimin e Kosovës. Feim Tahirsylaj thotë se vetë rikthimi në procesin e bisedimeve, pas planit të Ahtisaarit, paraqet zbehje të mbështetjes së një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, si zgjidhje e statusit politik të saj. “Në bazë të disa deklaratave të fundit, për shembull edhe ajo e Ischingerit, sado që mund të interpretohet si keqinterpretim i mediave, janë disa shenja paralajmëruese që edhe përkrahja ose vendosmëria e bashkësisë ndërkombëtare, ose e një pjese të saj, është zbehur dhe është e luhatshme”, thotë zoti Tahirsylaj. Ngjashëm shprehet edhe Sali Ismaili: “Unë mendoj që në një masë të madhe është duke u zbehur përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, për shkak se plani i Ahtisaarit nuk përkrahet. Shihet qartë se ai tashmë ka rënë. Rusët mendojnë krejt ndryshe. Nuk është më ajo përkrahje që ka qenë përpara. Mendoj se udhëheqësia jonë duhet në maksimum të angazhohet dhe në fund të shpallet pavarësia e njëanshme”. Ndryshe shpreh mendimin Bujar Shaipi, i cili thotë se mbështetja ndërkombëtare për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës vazhdon të jetë ende e fuqishme. “Sipas mendimit tim, në dukje të parë duket se po zbehet, por në fakt ajo ende ekziston dhe është në agjendat ndërkombëtare të vendimmarrjes - pavarësia e mbikëqyrur ashtu siç është paraparë tek dokumenti i Ahtisaarit”, thotë zoti Shaipi. Ismet Bytyçi shpreh mendimin se vendet, siç i quan ai, të rëndësishme, vazhdojnë të përkrahin pavarësinë e Kosovës, si zgjidhje e statusit të saj. “Unë mendoj se përafërsisht 20 shtete të Bashkimit Evropian do ta përkrahin pavarësinë e mbikëqyrur. Nëse jo, atëherë duhet të angazhohemi dhe të gjejmë alternativa tjera. Pavarësia gjithsesi duhet të arrihet, sepse është sakrifikuar shumë për të”, thekson zoti Bytyçi. Agim Muhaxheri shprehet optimist lidhur me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës. “Situatën politike, marrë në përgjithësi, unë e shoh si një zgjidhje e favorshme për Kosovën. Pse po them e favorshme? Natyrisht se Kosova e ka një simpati të madhe, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe. Sidoqoftë, këto dy shtete të mëdha ia mbajnë anën Kosovës, por edhe fuqitë tjera, aleate të SHBA-ve”, thotë zoti Muhaxheri.


XS
SM
MD
LG