Ndërlidhjet

BUGAJSKI:"NË FILLIM TË 2008 KOSOVA ME PAVARËSI TË MBIKQYRUR"


Janusz BUGAJSKI, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare/Uashington/

RADIO EVROPA E LIRË
Tash kemi periudhën shtesë prej 120 ditësh të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Disa thonë se këto negociata nuk do të sjellin kurrfarë marrëveshje për shkak se qëndrimet e të dy palëve janë diametralisht të kundërta. A ekziston ndonjë mundësi që të shohim ndonjë rezultat nga këto negociata shtesë?

JANUSZ BUGAJSKI
Nuk mendoj se do të shohim ndonjë rezultat, në kuptimin e kompromisit. Ju nuk mund të bëni kompromis ndërmjet pavarësisë dhe jopavarësisë. Është njëra apo tjetra. Në këtë kuadër shtrohet pyetja se çka do të bëhet pas këtyre negociatave...A do t'i ofrohet, për shembull, Serbisë ndojë rrugë më e shpejtë për pranim në Bashkimin Evropian, a do të ketë ndonjë aranzhim të veçantë me NATO-n, çfarë do të jetë roli i BashkimitEvropian, pas largimit të UNMIK-ut... Kuptohet, çështja kryesore është se çka do të bëhet me rezolutën 1244, nëse do të shkohet përsëri në Këshillin e Sigurimit për vendim apo do të bëhet diçka jashtë Këshillit të Sigurimit. Realisht ky proces i negociatave është më tepër ndërmjet treshes ndërkombëtare se ndërmjet dy palëve që nuk do të pajtohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, çka do të ndodhë pas 10 Dhjetorit, pasi pas kësaj date, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e merr raportin lidhur me këto negociata shtesë. A ka ndonjë gjasë që statusi i Kosovës përsëri të kthehet në Këshillin e Sigurimit?

JANUSZ BUGAJSKI
Varet nëse Rusia do t'i bashkohet qëndrimit që e kanë Shtetet e Bashkuara dhe pozicionit që supozohet se do t'a ketë Bashkimi Evropian. Plani i Ahtisaarit duhet të zbatohet dhe Kosova do të ketë pavarësi të mbikëqyrur. Nëse Rusia nuk pajtohet atëherë ne ndoshta do t'a anashkalojmë procesin e Kombeve të Bashkuara duke thënë se rezoluta 1244 në shumë kuptime ka skaduar, nuk është e zbatueshme dhe të lëvizim përpara kah pavarësia dhe njohja.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët planin e Ahtisarit. Sipas jush, a është ky plan ende shumë aktual?

JANUSZ BUGAJSKI
Është i vetmi plan që ekziston. Është i vetmi plan konkret i arsyeshëm, që teknikisht është pranuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo që është më e rëndësishmja, Prishtina e ka pranuar. Pra, nuk ka alternativë reale. Pyetja është nëse do të ketë ndonjë amandament, apo ndonjë zhvillim të planit prej tash e deri më 10 Dhjetor.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës thonë se ato nuk do të pranojnë shtyrje të mëtejshme dhe se pas 10 Dhjetorit, në konsultime me partnerët ndërkombëtarë, ato do të miratojnë Deklaratën e Pavarësisë dhe do të kërkojnë njohjen nga Shtetet e Bashkuara, vendet e Bashkimti Evropian dhe të tjerët. Si e shihni ju këtë finale të mundshme për statusin e Kosovës?

JANUSZ BUGAJSKI
Kjo është një mundësi e fuqishme, por mendoj se para se ato të shpallin pavarësinë, ato do të dëshirojnë konfirmimin nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian se ato do të njohin këtë pavarësi. Deklarata e Pavarësisë është një gjë, por më e rëndësishme është njohja e pavarësisë nga vendet e tjera. Nëse shumica e vendeve në Bashkimin Evropian dhe natyrisht Shtetet e Bashkuara, e miratojnë atëherë mendoj se ky skenar është jashtëzakonisht i mundshëm brenda pak javësh pas 10 Dhjetorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka mendoni ju për këtë njohje?

JANUSZ BUGAJSKI
Sa u përket Shteteve të Bashkuara mendoj se ato do t'a njohin, pasi e kuptojnë se procesi në kuadër të Kombeve të Bashkuara nuk mund të shkojë mëtutje. Mendoj se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, poashtu, do t'a njohin. Problem paraqet se Bashkimi Evropian nuk ka pasur qëndrim të bashkuar për çfarëdo politike dhe është shumë vështirë për ta që të arijnë qëndrim unik për Kosovën. Megjithatë besoj se Britania, Franca, disa shtete të tjera, përfshirë Gjermaninë, do të lëvizin përpara dhe do t'a njohin shpalljen e Deklaratës. Mendoj se edhe vendet e tjera do t'a ndjekin këtë. Çështje tjetër është njohja nga vendet fqinje të Kosovës. Shqipëria do t'a njohë, Maqedonia me gjasë do t'a njohë, pastaj mbetet pikëpyetje çështja e Malit të Zi, Bosnjës, Bullgarisë, Greqisë. Pra, vendet fqinje janë shumë të rëndësishme vetëm për të treguar, le të themi, front solid përballë Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund t'a parashihni një plan të mundshëm të zhvillimeve që do të çojnë te statusi final i Kosovës.

JANUSZ BUGAJSKI
Po. Më 10 Dhjetor ne do t'a dimë, Shtetet e Bashkuara do t'a dinë se a ia vlenë që procesi përsëri të shkojë nëpër Kombet e Bashkuara ose do të veprohet jashtë saj. Ne poashtu do t'a dimë nëse Bashkimi Evropian ka pozicion koherent në këtë çështje. Pas 10 Dhjetorit mendoj se ngjarjet do të lëvizin mjaft shpejtë dhe pres që në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë një Kosovë e pavarur me mbikëqyrje.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG