Ndërlidhjet

MITROVICË: SHQIPTARËT PËR MITROVICËN E BASHKUAR, SERBËT PËR NDARJE


Zijadin Gashi

Banorët shqiptarë dhe ata serbë ndajnë mendime të ndryshme për të ardhmen e qytetit të Mitrovicës. Po ashtu, edhe strukturat politike. Ndërsa shqiptarët thonë se e kanë vështirë që ta përmendin fjalën ndarje, në anën tjetër, serbët e shohin të ardhmen e Mitrovicës si qytet të ndarë, duke ia bashkuar veriun e qytetit Komunës së Zveçanit, e banuar me shumicë serbe. Por, ndarja kundërshtohet nga popullata shqiptare. Ata thonë se nuk do të pajtohen me ndarjen si opsion. Shyqyri Hoti thotë: “Ndarja nuk bën dhe nuk do të ndodhë. As ne qytetarët nuk do ta pranojmë dhe nuk do të ndodhë kurrsesi”. Ai beson se lidershipi i Kosovës, me përkrahjen ndërkombëtare, do të ruajë kufijtë e Mitrovicës, si qytet i bashkuar. “Udhëheqësinë e kemi shumë të mirë. Ata e kanë përkrahjen e madhe, së pari, prej Zotit - një, e Amerika - dy, Bashkimi Evropian; këta e kanë seriozisht dhe nuk ka ndarje”, shprehet Hoti. Ndarja e qytetit nënkuptohet si hap drejt shkëputjes, andaj banorët shqiptarë thonë se idetë e tilla nuk mund të jenë pjesë e negociatave të mundshme. Muhamet Miftari thotë: “Mitrovica nuk ka qenë kurrë e shkëputur, as nuk do të jetë kurrë e shkëputur. Mitrovica do të jetë e bashkuar me Kosovën. Ajo është një vend i pasur dhe pasuria e krejt Kosovës. Mitrovica nuk mund të jetë e shkëputur, pa Kosovë, dhe nuk ka zgjidhje, as status pa të”. Mirëpo, ndryshe mendon Sllavica Trifunoviq, një banore serbe nga ky qytet. “Mendoj se pjesa veriore e Mitrovicës duhet t’i bashkohet Zveçanit”, thotë kjo banore, duke mos besuar në bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve. “Shqiptarët dhe serbët në Mitrovicë duhet të jetojnë të ndarë”, thotë Trifunoviq. Në anën tjetër, banorët shqiptarë thonë se e kanë vështirë ta përmendin fjalën ndarje. Ndërkohë që si opsion, sipas disave prej tyre, mund të jetë edhe propozimi që Mitrovica të ketë dy komuna, por të jetë një qytet i bashkuar, ashtu si ka propozuar Ekipi Negociues i Kosovës. Njëkohësisht ata kundërshtuan që problemi i Mitrovicës të mbetet jashtë agjendës së zgjidhjes së statusit. Enver Ibishi shprehet: “Ani që janë aprovuar dy komuna, aty do të thosha se është në rregull, por, sa i përket lënies së Mitrovicës anash pas statusit të Kosovës, nuk jam i pajtimit. Dhe, nëse mbetet ashtu, do të jetë problem edhe më i madh”. Mirëpo, ka edhe qytetarë që shprehen të pakënaqur me atë që deri më tash autoritetet vendore dhe ndërkombëtare kanë bërë për të bashkuar veriun dhe jugun e qytetit. Siria Cana thotë: “Nuk mund të jemi të kënaqur assesi, sepse është puna e Mitrovicës; të gjithë kanë premtuar se po bashkohet, po bashkohet, por asgjë nuk u bë nga ato fjalë që i premtuan”. Ndërkohë, autoritetet lokale serbe besojnë në ndarjen e qytetit si zgjidhje. Milan Ivanoviq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë: “Mendoj se është mendim i përbashkët i banorëve të veriut të Mitrovicës dhe Komunës së Zveçanit që ato të bashkohen në një komunë të vetme”. Një zgjidhje e tillë kundërshtohet nga shefi i ekzekutivit të Mitrovicës, Sadri Ferati. “Nga të gjitha opsionet, unë mendoj se organizimi në dy njësi, në kuadër të një qyteti, me një bord që do të mund të punonte që të bëhej integrimi, fillimisht me lirinë e lëvizjes, me të drejtën që njerëzit të kthehen nëpër pronat e tyre, që të jenë pjesë e institucioneve në ndërtim dhe të marrin pjesë nëpër ato institucione, që do të krijonte një lloj normalizimi të jetës, megjithatë, është opsioni më i mirë”, vlerëson Ferati. Në vazhdim, ai thotë po ashtu se problemi i Mitrovicës duhet të zgjidhet bashkë me statusin, pasi që lënia anash e këtij problemi për më vonë, sipas tij, vetëm sa do t’i shtonte vuajtjet e këtyre banorëve. “Opsionet e tjera, siç është prolongimi i zgjidhjes së problemit të Mitrovicës, duke marrë parasysh hallet e qytetarëve, nënkupton vazhdimin e vuajtjeve të tyre, e mos të flas për ndonjë zgjidhje edhe më të keqe, siç është ndarja e qytetit, që vërtet me gjenerata do t’i mbanin gjallë tensionet. Mendoj se ato nuk janë në të mirë të qytetareve”, thotë Ferati. Që nga vendosja e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, në qershor të vitit 1999, qyteti i Mitrovicës vazhdon të mbetet i ndarë në dy pjesë. Në jug, i dominuar nga popullata shqiptare dhe në veri, i dominuar jo vetëm nga popullata serbe, por edhe nga strukturat paralele të dirigjuara nga Beogradi, çka tash e disa vite është konfirmuar edhe nga autoritetet e Kombeve të Bashkuara. Për këtë qytet, deri më tani janë ofruar zgjidhje nga më të ndryshmet, por ajo që banorët shumicë e pëlqejnë është opsioni që bashkon qytetin dhe moslënia anash e këtij problemi pas zgjidhjes së statusit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG