Ndërlidhjet

NJU JORK


Ministrat e Jashtëm të 6 vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit për Kosovën, u tubuan në Nju Jork, një ditë para takimit të drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në takim marrin pjesë Condoleezza Rice, Sergei Lavrov, David Miliband, Bernard Kouchner, Frank Walter-Steinmeier dhe Massimo D'Alema.
Para takimit, shefi i diplomacisë gjermane Frank Walter-Siteinmeier tha se bisedimet për statusin e Kosovës po hyjnë në "fazën vendimtare". Steinmeier tha se ai është kundër ndarjes së Kosovës, si një nga opcionet për zgjidhjen e mundshme, dhe shtoi se ndarjen nuk e propozon as Treshja negociatore e Grupit të Kontaktit. Ndryshimi i kufijve në Ballkan do të sjellë "pasiguri të re, e jo paqe", tha Steinmeier.
Sekretari i Jashtëm britanik, Miliband tha se plani i Ahtisaarit për pavarësinë e mbikqyrur mbetet baza për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Miliband shtoi se mund të bisedohet për të drejtat e pakicave, bartjen e pushtetit dhe dispozitat kushtetuese.
Zyrtarët amerikanë thanë se presin që Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë që do ta shpallë Kosova nëse bisedimet dështojnë.
Ministri i jashtëm francez, Bernard Kouchner tha se Bashkimi Evropian më në fund do duhet të vendosë për statusin e Kosovës. "Ky është problem evropian. Nuk është problem rus apo amerikan, dhe ne, Bashkimi Evropian, do të jemi ata që do vendosim, sepse ne do të përballemi me problemet në fund të vitit", tha Kouchner.
Në takim marrin pjesë edhe Treshja ndërmjetësuese, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana, Komisioneri për Zgjërimi, Oli Rehn dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.
XS
SM
MD
LG