Ndërlidhjet

MALOKU:”PROCESI I STATUSIT PO SHKON KAH SHPALLJA E NJËANSHME E PAVARËSISË”


Naim MALOKU, nënkryetar i AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maloku, sot zhvillohet takimi i parë në kuadër të fazës shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Andaj, fillimisht, çfarë prisni nga ky takim?

NAIM MALOKU
Edhe ky takim, pra i drejtpërdrejtë mes dy palëve, unë mendoj se nuk do të sjellë ndonjë rezultat të ndonjë ofrimi të pozicioneve. Do të jetë vetëm paraqitje e qëndrimeve që janë diametralisht të kundërta dhe shumë larg njëra-tjetrës. Nuk pres ndonjë rezultat, përveç asaj që është edhe një takim i radhës mes dy palëve, edhe një përpjekje tani e faktorit ndërkombëtar për të gjetur ose për të identifikuar pika të kompromisit mes dy palëve. Por, unë mendoj se edhe kësaj radhe nuk do të ketë aso pikash të identifikuara të kompromisit mes dy palëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, si i shihni thirrjet e përfaqësuesve ndërkombëtarë që Prishtina dhe Beogradi të mos japin paragjykime për rezultatin e bisedimeve? A janë këto ndonjë mesazh për negociata të reja rreth statusit?

NAIM MALOKU
Unë mendoj se paragjykime nuk ka nevojë të jepen. Është kërkesë e faktorit ndërkombëtar që mos të ketë paragjykime, mos të ketë manipulime me data, për shkak të vetë mosndikimit në proces në formë të presioneve. Ne po i përmbahemi atyre këshillave, ndërsa sa i përket rezultatit në fund, mendoj se nuk do të ketë zgjatje të bisedimeve, 10 dhjetori është data e fundit, e skadimit të këtij 120 ditshi. Ne e kemi pranuar këtë 120 ditësh në Kuvend të Kosovës, normalisht ia kemi vazhduar mandatin Ekipit të Unitetit dhe e kemi obliguar që të marrë pjesë në këtë 120 ditësh. Mandej, duhet të qitet prapë në Kuvend të Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës duhet të vendosë për palën kosovare, nëse ka presione ose kërkesa për t’u vazhduar, por mendoj se janë shterur të gjitha mundësitë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse bisedimet nuk mund të sjellin një rezultat konkret, atëherë cila është dalja prej këtij procesi? A duhet që vetë Kosova të marrë vendim për të ardhmen, për pavarësinë, për statusin e saj?

NAIM MALOKU
Mendoj se një rezultat, që është edhe i faktorit ndërkombëtar, është plani i Ahtisaarit, i cili e ka marrë mbështetjen e SHBA-ve, të BE-së, të NATO-s, të shteteve fqinje, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi. Pra, ai është një dokument, i cili, në njëfarë forme, e ka mbështetjen pothuajse të shumicës së bashkësisë ndërkombëtare, edhe pse nuk ka kaluar në Këshillin e Sigurimit. Ka qenë vetëm vetoja ruse që e ka penguar votimin në Këshillin e Sigurimit. Dhe, mendoj se duhet t’i kthehemi, bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kthehet dokumentit bazë, që është edhe i bashkësisë ndërkombëtare; është rezultat i një përpjekjeje dhe angazhimi edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Dhe, bisedimet në Vjenë që kanë sjellë deri tek ky plan, kanë qenë të monitoruara dhe të udhëhequra nga bashkësia ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa shihet i rëndësishëm procesi i bisedimeve, në anën tjetër shihet edhe më i rëndësishëm një pozicion unik i Bashkimit Evropian lidhur me statusin e Kosovës. Andaj, sa besoni se ndërkohë BE-ja do të mund të dalë me një qëndrim unik, sikurse kanë edhe SHBA-të në njërën anë dhe Moska në anën tjetër, edhe pse është kundër kësaj zgjidhjeje që ofrohet, siç është ajo e pakos së Ahtisaarit?

NAIM MALOKU
Pakoja e Ahtisaarit e ka marrë mbështetjen e Bashkësisë Evropiane për t’u votuar në Këshillin e Sigurimit. Tani, mendoj se më tepër është një proces i një unifikimi të qëndrimeve nëse do të mbetet ky plan i Ahtisaarit dhe pastaj duhet të dilet nga situata, duhet që Kosova ta shpallë njëanshëm pavarësinë, duke e mbështetur planin e Ahtisaarit, duke pranuar planin e Ahtisaarit dhe pastaj duke i dërguar ftesë Bashkësisë Evropiane që ta sjellë misionin civil, pastaj NATO-s për të vazhduar mbajtjen në Kosovë, gjithmonë duke u mbështetur në planin e Ahtisaarit. Dhe, mendoj se bisedimet rreth qëndrimeve brenda BE-së janë në këtë drejtim, pra si do të veprojë BE-ja në atë rast. Bisedimet dhe procesi, fatkeqësisht, po shkojnë në atë drejtim që ne duhet ta ndërmarrim një hap të njëanshëm, se unë nuk besoj se do të ketë rezolutë të Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Tash është edhe një proces tjetër në Kosovë, ai i zgjedhjeve. Andaj, sa mund të interferojë procesi zgjedhor në vendimin për statusin e Kosovës?

NAIM MALOKU
Nëse prononcohem si nënkryetar i partisë, AAK-së, ne ende mbajmë qëndrim se mbajtja e zgjedhjeve brenda 120 ditshit do të interferojë në procesin e definimit të statusit. Mendoj se do të vonohet konstituimi i Kuvendit të ri nga këto zgjedhje të 17 nëntorit. Ne nuk do ta kemi Kuvendin e konstituuar më 10 dhjetor; ka shumë pak gjasa që kjo të ndodhë. Ne duhet të ulemi si Kosovë, si njerëz, si faktorë politikë - Ekipi i Unitetit - dhe të shikojmë mundësinë se si do të veprohet më 10 dhjetor ose prej 10 dhjetorit deri në vit të ri.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, përfundimisht, kur shihet si kohë optimale, kur Kuvendi do të mund ta merrte këtë vendim? Në pranverën e vitit të ardhshëm?

NAIM MALOKU
Unë nuk do të kisha dhënë një parashikim tani. Si njeri në politikë, nga pozita që unë mbaj, anëtar i Kryesisë së Kuvendit, por edhe si parti, ne kemi pasur një qëndrim që eventualisht më 11 dhjetor, Kuvendi praktikisht do ishte dashur të mblidhet dhe të raportohet para Kuvendit, Ekipi i Unitetit të raportojë rezultatin e 120 ditshit dhe pastaj Kuvendi do të kishte debatuar dhe do të kishte vendosur.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG