Ndërlidhjet

IVANOVIQ:"NËSE KOSOVA SHPALLË PAVARËSINË, SERBËT SHKËPUSIN VERIUN"


Oliver IVANOVIQ, kryesues i Listës serbe

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, si e vlerësoni takimin e fundit ndërmjet
Prishtinës e Beogradit në Nju Jork dhe çka konsideroni
se ka sjellë të re ky takim në procesin e statusit të
Kosovës?

OLIVER IVANOVIQ
Shikuar formalisht, këtu nuk kishte ndonjë
ndryshim në qëndrime dhe nuk kishte ndonjë përafrim
të pozicioneve krejtësisht të kundërta mes palëve. Ajo
që është e qartë, këto bisedime u drejtuan edhe kah
tema, e cila për herë të parë ofrohet nga Serbia, e
cila ofron një propozim gjithëpërfshirës. Po ashtu,
është e qartë se bashkësia ndërkombëtare apeloi te të
dyja palët dhe kjo, para së gjithash, është drejtuar kah
pala kosovare që të mos deklarohen dhe rëndojnë
gjendjen edhe më tepër. Thënë thjeshtë, u është thënë
të gjithëve të presin 10 dhjetorin, edhe pse edhe
atëherë nuk do të ndodhë asgjë. Por, në parim, deri në
atë moment nuk do të guxohet që me deklaratat e tyre
të paragjykojnë statusin dhe në këtë mënyrë t’i rrisin
dhe pritjet nga procesi. Mendoj po ashtu se është me
rëndësi që delegacioni serb kishte rastin të bisedojë
me Nikolas Burns, dhe atë mjaft gjatë, dhe aty
normalisht ta qartësojë pozicionin e vet. Kjo është me
rëndësi pasi që Amerika duhet ta ketë një pasqyrë të
qartë, se Serbia në kurrfarë kushtesh dhe në asnjë
rast nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe
çfarëdo pavarësie të Kosovës. Kjo është me rëndësi,
sepse mund të ndikojë në pozicionin amerikan, ndoshta
jo menjëherë, por brenda një kohe të caktuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni atëherë procesin pas 10 dhjetorit?

OLIVER IVANOVIQ
Unë, këtë proces e shoh në kontekstin e
formimit të qeverisë së re, e cila mendoj se duhet të
ballafaqohet seriozisht me disa çështje që kanë të
bëjnë me përditshmërinë, e që janë problemet sociale,
punësimi, ndihma e Bashkimit Evropian dhe misioni i
Bashkimit Evropian. Këto janë disa çështje, me të cilat
qeveria duhet të merret, çka do të thotë se statusi si
i tillë do të mbetet temë dominuese, por mendoj se
ngadalë do ta humbë rëndësinë, për shkak se ka aq shumë
pakënaqësi te popullata me gjendjen sociale. Kështu që
qeveria do të duhet të përgjigjet shpejt ndaj këtyre
kërkesave.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Prishtina dhe Beogradi nuk mund të gjejnë
zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, a konsideroni
atëherë që procesi po shkon kah shpallja e njëanshme e
pavarësisë në Parlamentin e Kosovës dhe cili do të
ishte reagimi i serbëve në këtë rast?

OLIVER IVANOVIQ
Unë nuk mendoj se procesi do të shkojë kah
shpallja e njëanshme, ngase për një hap të tillë më
duket se nuk ka përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare,
pavarësisht se disa flasin për këtë si mundësi, por
shqiptarët e Kosovës nuk do të mund ta bëjnë këtë vetë.
Ata, në fakt, këtë do ta kishin bërë disa herë, por
secilën herë Përfaqësuesi Special do ta shpallte të
pavlefshëm këtë vendim, me të cilin do ta shpallnin
Kosovën shtet të pavarur. Prandaj, unë dyshoj se kjo
është zgjidhja, përkundrazi kjo do të mund ta
keqësonte seriozisht gjendjen, sepse serbët do të
reagonin. Nëse shqiptarët do ta shpallin pavarësinë,
frikohem se në veri ka një masë kritike të njerëzve që
mendojnë se veriu do të duhet të shpallë ndarjen e
veriut. Kjo është lehtë e mundshme, por pastaj do të
ketë tensione, që, herët a vonë, do të rezultojnë me
konflikt dhe pastaj askush nuk do të jetë i lumtur, as
ata që me qëndrimet e tyre i inkurajojnë shqiptarët të
besojnë se kjo është zgjidhje, e as ata që jetojnë
në terren, sepse tensionet do të shtrihen në tërë
Ballkanin. Dhe, mendoj se pastaj askush më nuk do të
flasë për prosperitetin ekonomik dhe askush nuk do të
flasë për integrimet evropiane. Të gjithë pastaj
do të merren me qëndrime nacionaliste dhe me siguri që
brenda një kohe të caktuar do të mund të prisnim
konflikte.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast të zhvillimeve të tilla, atëherë cila do të
ishte pozita e serbëve në pjesën qendrore?

OLIVER IVANOVIQ
Së pari, askujt në Kosovë nuk do të duhej
t’i mungonte asgjë, siç thuhet, as qimja nga koka, pas
qëndrimeve aq shumë herë të përsëritura nga liderët
shqiptarë, se gjendja është e qetë dhe gjithçka është
në rregull. Dhuna eventuale kundër serbëve do të
tregonte se këto fotografi që paraqiten për gjendjen
në terren janë të rrejshme dhe mendoj se diçka të
tillë, bota nuk do të toleronte. Elementi i dytë këtu
është KFOR-i, i cili ka mësuar nga leksionet e 17
marsit të vitit 2004 dhe mendoj se këtë herë do të
reagonte ndryshe. Mendoj se dhuna që do të ndodhte mbi
serbët e mbetur në Kosovë, do t’i ndërpriste të gjitha
lidhjet ndërmjet administratës amerikane dhe
përkrahjes, si të them, që i jepet separatizmit në
Kosovë. Unë, megjithatë, thënë seriozisht, brengosem,
edhe pas gjitha këtyre, pasi që e di se dhuna çdo herë
është e mundshme. Por, ketë herë, nuk shoh liderë
politikë në mesin e shqiptarëve që do të rrezikonin
pozicionin dhe përkrahjen e tyre ndërkombëtare me
udhëheqjen dhe drejtimin e dhunës kundër serbëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund, sa konsideroni atëherë se mund të
gjendet ende zgjidhje e pranueshme për të dyja palët dhe
cila do të ishte kjo zgjidhje?

OLIVER IVANOVIQ
Sigurisht që ka shpresa, ngase kur dy
delegacione me njerëz të arsyeshëm ulen dhe bisedojnë
se çka është e mundur të bëhet dhe cili është
kompromisi i mundshëm, ata edhe do ta gjejnë. Por, kjo
sigurisht se nuk është e mundur nëse përcaktohen disa
afate përfundimtare, siç është 10 dhjetori, e sidomos
nëse afatet janë kaq afër. Kosova është një problem i
rëndë dhe, si të them, mosmarrëveshjet ndërmjet serbëve
dhe shqiptarëve nuk datojnë vetëm nga viti 1999, por
shumë më herët. Për 20 - 30 vjet të plota, ne kemi
problem serioz në komunikim mes vete, kurse tash e
kemi një rast të mirë, bashkësia ndërkombëtare është
këtu dhe mund të ndihmojë që në terren të vendosim
dialogun dhe kështu të zgjidhim në një mënyrë
evropiane çështjen kombëtare shqiptare dhe çështjen
kombëtare serbe në Ballkan. Unë mendoj se me
ndryshimin e kufijve këtë nuk do ta zgjidhnim. Kurse
pavarësinë eventuale e Kosovës, sido që të quhet, unë do
ta konsideroja si ndryshim kufijsh, çka do të nxiste
konflikt të ri brenda një kohe të caktuar. Për 3-4-5
apo 10 vjet do të kishim luftë të re dhe kjo assesi
nuk do të ishte mirë. Mendoj se është në interesin e
Bashkimit Evropian, por edhe në interesin tonë, që
Bashkimi Evropian të insistojë në diçka që është
kompromis i vërtetë, e kjo është autonomia e plotë në
kuadër të Serbisë dhe e drejta absolute e shqiptarëve
të Kosovës, që si shumicë në Kosovë, të rregullojnë
jetën ashtu si duan dhe mendojnë, kurse për serbët, në
këtë rast, duhet të ketë një mbrojtje të posaçme nga
mbivotimi dhe majorizimi që është evident çdo ditë.

INTERVISTOI: Zijadin GASHI

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG