Ndërlidhjet

PRISHTINA KUNDËRSHTON ÇDO ZGJIDHJE MË PAK SE PAVARËSIA PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi

Delegacioni i Kosovës, në bisedimet për statusin, vazhdon të kundërshtojë çdo inicim eventual të bisedimeve për statusin e Kosovës. Përfaqëusesit kosovarë në Ekipin e Unitetit thonë se platforma apo traktati i tyre për fqinjësi të mirë me Serbinë, mbetet bazë e bisedimeve për Prishtinën edhe në raundin e ri të negociatave me Beogradin, në takimin e 14 tetorit në Bruksel. Pas një takimi që zhvilloi sot Ekipi i Unitetit, zëdhënësi Skënder Hyseni tha se pala kosovare e ka shprehur qëndrimin dhe pozicionin e vet, se statusi dhe tërësia territoriale e Kosovës janë të panegociueshme, kështu që e vetmja temë që mund të bisedohet me Beogradin janë raportet fqinjësore si dy shtete sovrane. “Për Prishtinën, për Ekipin e Unitetit, për Kosovën, është e papranueshme çdo zgjidhje më pak se pavarësia e vendit, është e papranueshme çdo ndarje e Kosovës në çfarëdo forme, qoftë në entitete të ndryshme, qoftë ndarje fizike e ndonjë pjese të territorit të Kosovës dhe kjo është konstantë, e cila nuk do të ndryshojë në asnjë situatë dhe në asnjë rrethanë”, tha Hyseni. Ai i ka përgënjeshtruar njoftimet se tema të takimeve me Beogradin do të jenë edhe zgjidhjet tjera, përfshirë këtu propozimet për konfederatën Kosovë – Serbi, apo Kosovën me dy entitete. Hyseni tha se Prishtina nuk pret asgjë as nga takimi i Brukselit, ku ai tha se sërish do të shkohet me traktatin për fqinjësi të mirë. “Boshtin e kësaj periudhe, sa i përket Ekipit të Unitetit dhe Kosovës, e përbën platforma, përkatësisht projekti që ne e kemi sublimuar në një traktat bashkëpunimi, fqinjësie e miqësie, me Serbinë. Opinioni publik duhet të presë që deri në fund të këtij procesi, kjo platformë do ta përbëjë boshtin e qëndrimit, pozicionit të Kosovës, në këtë angazhim shtesë”, theksoi Hyseni. Në çdo rrethanë, si tani para statusit, ashtu edhe pas statusit, Hyseni tha se delegacioni i Kosovës nuk pret tensione dhe beson në zotimet e KFOR-it për të garantuar paqe e siguri për të gjithë. Në këtë rrafsh, Hyseni tha se nuk pret tensione të theksuara që mund të kërcënojnë tërësinë territoriale të Kosovës, sidomos në pjesën veriore. Para nisjes për në takimin e Brukselit, më 14 tetor, dhe realizimit të takimeve të reja me Treshën ndërmjetësuese dhe me Beogradin, Ekipi i Unitetit është ftuar nga Ministria e Jashtme britanike, që të vizitojë Londrën më 9 tetor. Ndryshe, sot, në pjesën e parë të takimit të Ekipit Negociues ka marrë pjesë edhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker. Ai tha se i ka njoftuar liderët kosovarë me përmbajtjen e raportit të tij para Këshillit të Sigurimit, javën e ardhshme, si dhe me rrjedhën e përgatitjeve për zgjedhjet e lira. Ndërkohë, i ka rikujtuar kosovarët që të mos nxitojnë me miratimin e ligjeve që dalin nga pakoja e Ahtisaarit. “Unë kam vërejtur se disa nga ligjet e pakos së Ahtisaarit tashmë janë në shqyrtim në Kuvend. I kam shkruar letër kryetarit të Kuvendit, ku kam kërkuar maturi nga Kuvendi dhe t’u përmbahet parimeve legale dhe të mos i aprovojë këto ligje”, tha Ruecker. Në këtë letër, Ruecker kërkon nga Kuvendi që ligjet e pakos së Ahtisaarit, apo ligjet shtetërore, siç po quhen nga vendorët, të miratohen gjatë fazës së tranzicionit. Deri më tani, Kuvendi ka miratuar në parim tri projekt-ligje shtetërore të Kosovës, kurse në agjendë ka edhe 17 ligje të tjera të po këtij karakteri.
XS
SM
MD
LG