Ndërlidhjet

KOMUNITETI I BIZNESIT KËRKON SUNDIMIN E RENDIT DHE TË LIGJIT


Nadie Ahmeti

Komuniteti i biznesit kërkon përgjegjësi dhe përkrahje më të madhe nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, në mënyrë që edhe ky komunitet të tregojë përgjegjësitë e veta ndaj këtyre institucioneve. Kështu u tha në një konferencë, ‘Etika e Biznesit’, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në bashkëpunim me Zyrën Amerikane në Prishtinë. Mimoza Kusari Lila, drejtoreshë në Odën Ekonomike Amerikane, tha se çështjet etike të biznesit në Kosovë, diskutohen shumë pak, përveç në momentet ekstreme, ku duhet të intervenojë ligji. Dhe, për këtë arsye, zonja Kusari Lila thotë se komuniteti i biznesit dëshiron një ambient të sigurt, ku funksionin ligji dhe rendi. “Është shumë vështirë të flitet për etikën në biznes, në një shoqëri ku ka shumë probleme me sundimin e rendit dhe të ligjit. Prandaj, do të jetë sfidë në vete. Por, gjithsesi, si komunitet i biznesit dëshirojmë që me këtë hap të marrim përgjegjësinë mbi vete, mbi atë që është përgjegjësi e jona, ndërkaq t’ua lëmë institucioneve të bëjnë pjesën tjetër të punës”, tha zonja Kusari Lila. Në anën tjetër, shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Joachim Ruecker, tha se të gjitha ligjet përkatëse në Kosovë janë në pajtim me standardet evropiane dhe kjo, sipas tij, për arsye se Kosova ka marrëdhënie të drejtpërdrejta me institucionet ndërkombëtare. Duke folur për kompetencat e ndara në mes të UNMIK-ut dhe Qeverisë, zoti Ruecker tha: “Kështu nuk mund të operohet për një periudhë të gjatë, pasi që duhet përgjegjësi në një institucion të vetëm. Dhe, për këtë arsye, ne te gjithë po punojmë për zgjidhjen, sa më shpejt që të jetë e mundur, të statusit final”. Ruecker tha se deklarata e fundit në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme, komuniteti ndërkombëtar ka thënë se situata politike, sociale dhe ekonomike në Kosovë, në rrethanat aktuale, nuk është e qëndrueshme, për të shtuar se jashtë Kosovës ekzistojnë perceptimet se Kosova është vrimë e zezë dhe që udhëhiqet nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Dhe, për këtë, thotë Ruecker, institucionet vendore dhe ndërkombëtare vazhdimisht po mundohen ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Niveli i korrupsionit apo i krimit të organizuar në Kosovë është i ngjashëm me vendet në rajon apo në Evropë. Nuk them se nuk është problem, pasi që është problem, por janë të krahasueshme me vendet e rajonit”, theksoi Ruecker. Mbi të gjitha, Ruecker tha se Kosova është në rrugë të transformimit të ekonomisë, për të pasur një rritje të qëndrueshme. Mimoza Kusari Lila, ndërkaq thotë se nëse në Kosovë sundon rendi dhe ligji, atëherë komuniteti i biznesit do të ishte në një pozitë më të volitshme. “Korniza e legjislacionit është e përgatitur, megjithatë ajo që mungon është sundimi i ligjit, është zbatimi i legjislacionit. Mua ma merr mendja se në Kosovë do të funksiononte shumë më mirë, sikur të kishim një rend dhe ligj. Në gjykatat ekonomike janë afër 3 mijë raste që presin në rend për t’u shqyrtuar dhe nëse nuk gjendet në një lidhje të drejtë me gjykata, atëherë diskutimi apo shqyrtimi i një lënde mund të marrë vite të tëra, deri në kohën kur mund të bëhet i pavlefshëm”, tha Kusari Lila. Ndryshe, Tom Yazdgerdi, udhëheqës në sektorin Ekonomik dhe Politik në Zyrën Amerikane në Prishtinë, thotë se bizneset në Kosovë duhet të jenë të sigurta dhe të mbrohen me ligj, pasi, sipas tij, sektori privat në Kosovë është burim i vetëm për përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve. “Kurrë nuk do të jenë të mjaftueshme paratë e donatorëve ndërkombëtarë në Kosovë për të ndihmuar prosperitetin dhe institucionet demokratike. Do të jetë sektori privat ai që stimulon rritjen ekonomike dhe përmirësimin e jetës së kosovarëve”, tha Yazdgerdi.
XS
SM
MD
LG