Ndërlidhjet

PRISHTINA DO T’I INJOROJË IDETË E BEOGRADIT PËR AUTONOMI


Zijadin Gashi

Pala kosovare nuk do të merret me pozicionin dhe qëndrimet e Beogradit për statusin dhe të ardhmen e Kosovës, ka thënë sot presidenti Fatmir Sejdiu. Pas një takimi që zhvilloi me shefin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Tim Guldimann, presidenti Sejdiu tha se Beogradi edhe në takimin e Nju Jorkut është përpjekur që të imponojë vizionin e vet për statusin e Kosovës dhe përpjekje të tilla, ai tha se mund të ketë edhe në takimin e 14 tetorit në Bruksel. Por, shtoi Sejdiu, Prishtina u mbetet besnike parimeve të veta, nga të cilat nuk do të lëvizë. “Serbia e ka shtruar edhe në takimin e Nju Jorkut vizionin e saj se si e mendon Kosovën dhe ne e kemi dhënë qëndrimin tonë se si ne e mendojmë Kosovën. Dhe, natyrisht, është e papranueshme ajo qasje që do ta ketë Serbia; ajo mund ta shtrojë prapë në tavolinën e bisedimeve. Është në lirinë e saj që të japë ide, është në qëndrimin tonë shumë të qartë dhe të pa ‘ekuivoke’, që të japim vizionin dhe përgjigjen tonë edhe për ato që ata i shtrojnë”, ka thënë presidenti Sejdiu. Ai tha se Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe vendet e angazhuara në procesin e statusit të Kosovës, vlerësojnë se nuk mund të ketë zvarritje tjera dhe se Kosova ka nevojë për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit. “E di përkushtimin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të vendeve tjera në Këshillin e Sigurimit dhe flas edhe në mekanizma të tjerë, që të mos sprovohemi me situatë të bllokimit, e cila do të sillte vërtet një situatë të palakueshme për përkushtimin, edhe ndërkombëtar, edhe të Kosovës, që do të vazhdonte një ‘status-quo’ që do të ishte e rrezikshme”, vlerësoi presidenti Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri Agim Çeku tha se pala kosovare do ta injorojë në tërësi propozimin serb për autonomi. “Ne do ta shikojmë orën se si kalon, përderisa ata flasin për autonominë e Kosovës”, ka thënë Çeku. Ndërkaq, duke u ndërlidhur me temën e diskutuar me shefin e ri të misionit të OSBE-së, Tim Guldimann, kryeministri kosovar tha se ende nuk e di nëse zgjedhjet e lira i duhen apo jo Kosovës në këtë fazë të definimit të statusit. “Në qoftë se dështojmë që më 10 dhjetor të mos kemi parlamentin dhe qeverinë e re, atëherë, për mendimin tim, do të dëshmohet se ka qenë vendim dhe hap i gabuar që t’i mbajmë zgjedhjet në muajin nëntor”, theksoi Çeku. Në anën tjetër, zvicerani Tim Guldimann, i cili këtë javë mori kryesimin e misionit të OSBE-së, tha se sfida kryesore e tij pritet të jetë pikërisht mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve të nëntorit. “Zgjedhjet duhet të shihen si proces i ndarë nga procesi i statusit”, tha Guldimann, duke besuar se vendorët, me mbështetjen e OSBE-së, tani do të organizojnë zgjedhje të lira dhe të suksesshme, pas të cilave do të dalin organet e reja legjitime të Kosovës.
XS
SM
MD
LG