Ndërlidhjet

LIDERËT KOSOVARË BESOJNË NË PËRKUSHTIMIN AMERIKAN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Lidershipi kosovar beson në angazhimin amerikan për zgjidhjen sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. Ndërkaq, deklaratat e ambasadorit amerikan, Frank Wisner, se zgjidhja për statusin nuk mund të pritet gjatë këtij viti, përfaqësuesit kosovarë i shohin si deklarata që nuk nënkuptojnë shtyrje, por respektim të afateve për përmbylljen e procedurave në Këshillin e Sigurimit pas 10 dhjetorit, kur Treshja i dorëzon raportin për negociatat Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se tash për tash është shumë vështirë të thuhet se kur do të jetë data e zgjidhjes së statusit dhe se, sipas tij, procesi mund të qartësohet shumë pas datës 10 dhjetor. “Ne kemi thënë se askush prej nesh nuk mund të japë një datë të saktë, e cila do të jetë dita në të cilën do të përfundojë ky proces, në kuptimin e precizimit nga tash. Një gjë dihet - raportimi do të bëhet më datën 10 dhjetor nga ana e Treshes. Dhe, mendoj se mund të jetë një kohë shtesë e atyre aspekteve procedurale apo tentativave, për të pasur një konsensus në vendimmarrje dhe në atë rrugë do të gjendet dhe ajo që ne e quajmë mbështetje apo drita jeshile për të ecur edhe me vendimet tona”, ka thënë presidenti Sejdiu. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se beson plotësisht në angazhimin amerikan, që pavarësia e Kosovës të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Kurse dita e pavarësisë së Kosovës, sipas Thaçit, do të jetë jo shumë larg datës 10 dhjetor. “Politika kosovare dhe qytetarët kanë besim të plotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në qëndrimin e presidentit Bush, se Kosova duhet të bëhet e pavarur dhe se duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne kemi besim të plotë se pavarësia do të ndodhë shumë shpejt dhe vendimi dhe njohja ndërkombëtare do të përshpejtohen menjëherë pas datës 10 dhjetor”, theksoi Thaçi. Ndërkaq, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, vlerëson se shtyrjet do të prodhonin kriza dhe do të ndikonin në rritjen e frustrimeve. Isufi beson se institucionet, që do të dalin nga zgjedhjet e nëntorit, do të marrin hapa vendimtarë për statusin dhe për këtë beson se do të ketë dhe një përkrahje ndërkombëtare. “Kjo është vetëm një deklaratë. Nuk do të thotë se mund të ketë shtyrje, për arsye se 10 dhjetorin e konsiderojmë fundin e fundit të një procesi, ku nuk ka ku të shkohet më tutje. Prandaj, deklarata e Solanës është që mund të ketë edhe para 10 dhjetorit zgjidhje të statusit të Kosovës; kemi deklaratën e Wisnerit për shtyrje, por konsideroj se është më shumë deklaratë nga paragjykimet e atyre që sot janë në proces”, tha Isufi. Ndryshe, sot, nën drejtimin e presidentit Fatmir Sejdiu dhe praninë e zëvendësshefit të UNMIK-ut, Steven Schook, kryetarët dhe përfaqësuesit e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e nëntorit kanë nënshkruar edhe një deklaratë të përbashkët për mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe korrekte. Me këtë deklaratë, partitë politike zotohen se do të organizojnë fushatë zgjedhore veç e veç, për të prezantuar projektet politike para elektoratit në mënyrë të dinjitetshme, në përputhje me dispozitat në fuqi. Po ashtu, subjektet politike zotohen se do të angazhohen që procesi zgjedhor të rrjedhë në frymën e tolerancës e mirëkuptimit, duke mos përdorur gjuhë dhe veprime që thyejnë dhe janë në kundërshtim me etiken e kodit zgjedhor dhe të dispozitave ligjore në fuqi.

XS
SM
MD
LG