Ndërlidhjet

STRUKTURAT PARALELE SERBE VAZHDOJNË TË PAMUNDËSOJNË SHTRIRJEN INSTITUCIONALE NË VERI


Albana Isufi

Rekomandime të ndryshme për shpërbërjen e strukturave paralele serbe janë dhënë kohë pas kohe, si nga institucionet ndërkombëtare, ashtu edhe nga organizatat joqeveritare. Megjithatë, rekomandimet kanë mbetur në letër, përderisa sipas analizave të ndryshme, këto struktura vetëm sa po forcohen. Në një raport të përgatitur për Kuvendin e Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Blerim Kuçi, ka konstatuar se përveç strukturave paralele në fushat e shërbimeve publike, në veriun e Kosovës vërehet prani e pjesëtarëve të strukturave paralele të sigurisë, që veprojnë nën autoritetin e Qeverisë serbe. Megjithatë, kryetari i Këshillit Nacional Serb në Mitrovicë, Nebojsha Joviq, hedh poshtë këto pohime. “Njerëz të tillë, në të vërtetë, as në veri e as në Mitrovicë nuk kam vërejtur. Unë i njoh personat që edhe më herët kanë punuar për Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilëve u qe kërkuar ose ta braktisin këtë ministri, ose të shkojnë në Serbi. Numri më i madh ka shkuar në Serbi, ndërsa të tjerët nuk janë aktivë, pasi që kjo nuk lejohet me Rezolutën 1244”, thotë Joviq. Megjithatë, edhe raportet e Sektorit për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme (ISSR) dhe të Grupit Ndërkombëtar të Krizave kanë pohuar ekzistencën e strukturave paralele të sigurisë në veriun e Kosovës. Ekspertët për çështje të sigurisë thonë se këto struktura vetëm sa e rëndojnë situatën, ndërkohë që shpërbërja e tyre do të mund të bëhej vetëm përmes bashkëpunimit të faktorit ndërkombëtar me Qeverinë serbe. Sidoqoftë, ekzistenca e strukturave paralele në të gjitha fushat është pohuar edhe nga vetë Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian, pavarësisht pranisë së zyrave përkatëse të institucioneve të Kosovës. Këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi, thotë se të gjitha ministritë kanë dikasteret përkatëse në veriun e banuar me shumicë serbe. Megjithatë, jo të gjitha këto dikastere funksionojnë tërësisht. “Strukturat paralele ndikojnë negativisht në funksionimin efektiv të këtyre dikastereve, si dhe krijojnë konfuzion te qytetarët që jetojnë në këto pjesë për shërbime të ndryshme ku duhet të drejtohen”, thotë Arifi. Ndryshe, qytetarët serbë në veriun e Kosovës, por edhe nëpër enklavat serbe, shfrytëzojnë disa nga shërbimet e ofruara nga institucionet, por nuk i paguajnë ato. “Të gjitha shërbimet merren dhe nuk paguhen. Për shembull, kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha me pagesat e faturave të energjisë dhe aspektet tjera. Por, nuk mund të flasim për asnjë proces në Kosovë, i cili është ndarë tërësisht nga institucionet e Kosovës apo që funksionon ndarazi nga institucionet e Kosovës”, thekson Arifi. Një raport i mëhershëm i OSBE-së vë në pah se kërkesa për strukturat paralele është e lidhur me mungesën e vazhdueshme të qasjes nga disa pjesëtarë të komunitetit serb në shërbimet e UNMIK-ut dhe të institucioneve të Kosovës, si dhe me mungesën e besimit të serbëve në këto institucione. Raporti thekson se, përfundimisht, gjendja politike dhe çështja e pazgjidhur e statusit janë pengesë e madhe në integrimin e strukturave paralele.
XS
SM
MD
LG