Ndërlidhjet

BUGAJSKI: SHBA DHE BE DUHET TË MARRIN VENDIM TË PRERË PAS 10 DHJETORIT


Albana Isufi

Analistë politikë ndërkombëtarë parashohin vonesa tjera në zgjidhjen e statusit, përderisa konsiderojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të jenë më të prerë në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Janusz Bugajski, thotë se pas përfundimit të negociatave shtesë, duhet të qartësohet mënyra e ecjes së mëtejme të procesit të statusit. “Mendoj se pas 10 dhjetorit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të marrin një vendim të prerë, nëse do të kthehen në Këshillin e Sigurimit, apo do të ecin përpara pa Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Rusia është e qartë se do të bllokojë çdo lëvizje drejt pavarësisë, kështu që mendoj se ato (SHBA, BE) duhet të lëvizin drejt njohjes së përbashkët, të shumanshme të pavarësisë së Kosovës”, thotë Bugajski. Por, në anën tjetër, analisti dhe gazetari britanik, Tim Judah, parasheh ditë të vështira përpara si dhe vonesa tjera. “Në javët e ardhshme, roli i Gjermanisë do të jetë thelbësor. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë thënë se do ta njohin pavarësinë. Por, besoj se e dini, në ditët e fundit, zoti Wisner tha që ‘po - do ta njohin pavarësinë, por jo këtë vit’. Kjo më duket mua si një zmbrapsje e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë Britania dhe Franca do të ndjekin rrugën e Shteteve të Bashkuara, por jo pa Gjermaninë. Edhe Italia do ta ndjekë rrugën e Gjermanisë”, tha Tim Judah. Por, analisti amerikan, Janusz Bugajski, duke komentuar deklaratën e ambasadorit Frank Wisner, nuk sheh ndonjë zmbrapsje të Shteteve të Bashkuara. “Viti i ardhshëm fillon më 1 janar dhe ne po flasim për disa javë. Çështja është se kur. Unë do të thosha para samitit të NATO-s, që mbahet në muajin prill në Bukuresht, se të gjitha këto çështje duhet të zgjidhen. Me fjalë të tjera, pavarësia nuk vjen brenda nate. Edhe nëse themi se më 11 dhjetor do të lëvizim drejt pavarësisë, do të duhen disa javë për të bërë përgatitjet”, theksoi Bugajski. Në anën tjetër, Judah nënvizon se në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga vendet evropiane, Serbia mund të heqë dorë nga integrimi në Bashkimin Evropian, gjë kjo që do të komplikonte integrimin e rajonit, por edhe një pjesë të integrimit veri-atlantik. “Mund të thoni se kjo nuk është punë e jona, por kjo na përket neve, sepse ne të gjithë e dimë se në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, lidhja e vetme zyrtare mes veriut dhe Prishtinës do të këputet”, thotë Judah, duke sqaruar më tej se edhe pse thuhet se Kosova nuk është precedent për asnjë shtet, megjithatë ajo përbën precedent për vendet e Kaukazit. “Nuk është çështja që të mos flasim për këtë; këto janë gjëra që janë të rëndësishme për t’u folur, veçanërisht kur duam të kemi një pasqyrim më të madh të problemit”, vlerëson Judah. Analistët perëndimorë konsiderojnë se vetë diplomatët e huaj, gjatë gjithë këtyre muajve të fundit, nuk e kanë pasur të qartë se çfarë në të vërtetë do të ndodhë me Kosovën. Mary Ann Hennessey, nga Këshilli i Evropës, thotë se, fatkeqësisht, retorika ndërkombëtare ka qenë shumë shkurtpamëse dhe nuk ka ofruar një vizion për statusin e vërtetë të Kosovës dhe po ashtu është marrë shumë pak me vetë Kosovën. “Nuk mund të them nëse e ardhmja do të jetë një Kosovë e pavarur. Kjo është një fushë, ku Këshilli i Evropës nuk ka rol. Këshilli i Evropës është më shumë i brengosur për të ardhmen e Kosovës, sesa për statusin e ardhshëm të Kosovës, pasi e ardhmja e Kosovës është më e gjerë dhe çështje më afatgjate, sesa statusi i ardhshëm”, u shpreh Mary Ann Hennessey. Ndryshe, njohës të rrethanave e shohin pavarësinë e Kosovës si faktor stabiliteti në rajon. “E shoh Kosovën si faktor stabiliteti kur të bëhet e pavarur, sepse frikësohem që alternativat e rrisin jostabilitetin, pasigurinë dhe paparashikueshmërinë”, thotë Janusz Bugajski. Të gjitha këto komente u bënë në një konferencë dyditore mbi Kosovën, të organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG