Ndërlidhjet

KOSOVARËT ME REZERVA NDAJ PROPOZIMIT PËR DAYTON TË DYTË


Arton Konushevci

Ekipi i Unitetit nuk sheh të ketë indikacione për mbajtjen e ndonjë konference si ajo e Daytonit, për të zgjidhur statusin e Kosovës, edhe pse një gjë e tillë është paralajmëruar prej të dërguarit evropian për statusin, Wolfgang Ischinger. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, ka thënë se nuk mund të tërhiqet asnjë paralele mes Kosovës dhe Bosnjës, pasi, sipas tij, këto janë dy çështje të ndryshme. “Ekipi i Unitetit nuk mund të paragjykojë se çfarë qëndrimi do të ketë rreth ndonjë ideje të tillë. Nuk ka asnjë indikacion zyrtar për ndonjë tip konference të Daytonit. Ajo që mund të thuhet me bindje të plotë është se nuk mund të ketë dhe nuk ka asnjë paralele mes Kosovës dhe Bosnjës, sepse janë dy çështje krejtësisht të ndryshme”, ka theksuar Hyseni. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Treshen ndërmjetësuese për statusin, Wolfgang Ischinger, ka paralajmëruar mundësinë e mbajtjes së një konference përfundimtare për Kosovën, të ngjashme me atë të Daytonit. Në një intervistë për mediet serbe, Ischinger ka thënë se koha e mbajtjes së kësaj konference mund të jetë nga fundi i nëntorit ose fillimi i dhjetorit, diku në Evropë. Këshilltari politik i kryeministrit, Arben Qirezi, thotë se ky propozim është duke u diskutuar në Qeverinë e Kosovës. “Institucionet e Kosovës natyrisht që janë duke e diskutuar këtë ide të zotit Ischinger. Mirëpo, veprimet tona natyrisht se do të varen prej vendimeve që do të merren përmes konsultimeve të përbashkëta. Siç e dimë, çështja e statusit është një çështje, në të cilën janë të involvuara të gjitha forcat politike, që përfaqësohen në institucionet e Kosovës. Veprimet tona natyrisht se do të determinohen edhe prej konsultimeve me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Qirezi. Në anën tjetër, Hajredin Kuçi, nga Partia Demokratike e Kosovës, mendon se nuk mund të pritet përafrim i qëndrimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ai thotë se partia e tij vlerëson se marrëveshjet e tipit si ajo e Daytonit, për nga logjika integruese nuk janë të pranueshme. “Mendoj se Kosova është në fazën e përfundimit të statusit final dhe tanimë janë shterur të gjitha mundësitë që të negociohet për Kosovën, përfshirë ajo periudha e negocimit me zotin Ahtisaari e njëkohësisht edhe kjo tani. Një marrëveshje e pajtueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, tani për tani, nuk duket në horizont dhe marrëveshjet e tipit të Daytonit, për nga logjika integruese, nuk janë të pranueshme, por njëkohësisht edhe për nga presioni ndërkombëtar. Mendoj që Kosova nuk ka nevojë t’i bëhet presion, në mënyrë që të bëjë diçka më pak se pavarësia e saj. Ne do të jemi ata që do të respektojmë agjendën ndërkombëtare, por nuk është diçka që do t’i kontribuojë procesit”, ka thënë Kuçi. Ndryshe, Arben Qirezi nënvizon se mënyra më e mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës shtrihet te plani i Martti Ahtisaarit, dokument i cili është miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe është mbështetur edhe nga vetë zoti Ischinger. Duke pasur parasysh këtë, Qirezi thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë diskutuar mundësinë e mbajtjes së një konference të ngjashme me atë të Daytonit. “Kosova është një vend, i cili e ka miratuar në Kuvend planin e Ahtisaarit. Zoti Ischinger ka thënë se plani i Ahtisaarit mbetet zgjidhja më e mirë për Kosovën, mirëpo e ka hedhur një ide, për të cilën institucionet e Kosovës nuk janë ende të konsultuara”, tha Qirezi. Në anën tjetër, Skënder Hyseni thotë se është ende e paqartë se si do të përfundojë procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës. “Cila do të jetë teknika ose modaliteti i përfundimit të procesit të statusit të Kosovës, nuk është e ditur ende”, tha Hyseni. Pala kosovare është skeptike se mund të ketë përafrim të qëndrimeve rreth statusit mes Prishtinës e Beogradit, sikurse dyshon që do të mund të arrihet konsensus ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës.



XS
SM
MD
LG