Ndërlidhjet

RUPNIK:"ZHAGITJA E STATUSIT DERI PAS ZGJEDHJEVE NË SHBA DHE RUSI, OPSION I RREZIKSHËM"


Jackues RUPNIK, drejtor në Qendrën për Studime Ndërkombëtare /Paris/

RADIO EVROPA E LIRË
Debati për Kosovën po vazhdon, por disa thonë jo ndërmjet kosovarëve dhe serbëve dhe as ndërmjet amerikanëve dhe rusëve. Duket se kemi të bëjmë me një debat brenda Bashkimit Evropian dhe me gjasë vendimi mund të ketë pasoja për kredibilitetin e politikës së jashtme të Brukselit. Ku qëndrojnë rrënjët e hezitimit të BE-së?

JACQUES RUPNIK
Fillimisht më lejoni të them se thelbi i problemit qëndron te raportet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Bashkimi Evropian nuk e ka trilluar këtë problem, BE-ja po tenton të ndihmojë për të zgjidhur këtë çështje. Bashkimi Evropian ashtu si edhe faktorët tjerë ndërkombëtar nuk ka reçetë magjike për këtë çështje. E vërteta është që Bashkimi Evropian, për faktin që dëshiron të forcoj demokracinë në periferinë e vetë, e ka për obligim të bëhet faktor vendimtar në jetësimin e një zgjidhjeje. Ne mendonim se do të jetë një proces i lehtë, pra që përmes planit të Ahtisaarit dhe rezolutës së Kombeve të Bashkuara, do të shkonim drejtë një zgjidhjeje dhe misioni evropian do të zëvendësonte UNMIK-un. Mjerisht ky plan nuk është duke funksionuar dhe kjo kryesisht për shkak të kundërshtimit të Rusisë. Por, tash kemi edhe vende të tjera evropiane që hezitojn të pajtohen me pavarësinë e Kosovës pa miratimin në Kombet e Bashkuara. Motivet e këtij qëndrimi janë të ndryshme, nganjëherë të kuptueshëm, nganjëherë jo, por gjithsesi ato duhet marrë parasysh. Keni Greqinë dhe Qipron që Beogradin e shohin si faktorin kryesor në rajon, keni Spanjën që heziton për shkak të problemit me baskët, ose Sllovakinë për shkak të pakicës hungareze. Përmes këtyre shpjegimeve synohet mbajtja e statu quos që është një opcion shumë i rrezikshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Apostrofuat planin e Ahtisaarit. A mendoni se nëse bisedimet që përfundojnë me 10 dhjetor nuk japin rezulltat, statusi i Kosovës duhet imponuar gjithnjë duke u mbështetur në planin e Ahtisaarit?

JACQUES RUPNIK
Këtu janë dy çështje. Pavarësisht nga statusi, në Kosovë mund të fillohet me implementimin e planit të Ahtisaarit, sepse kjo do t'u dëshmonte serbëve se plani i Ahtisarit është i mirë dhe se atyre u ofron garanca dhe ardhmëri. Rrjedhimisht mendoj se dy çështje janë parësore: implementimi i planit të Ahtisaarit dhe ruajtja e koncenzusit në Bashkimin Evropian rreth statusit përfundimtar të Kosovës. Disa propozojnë që çështja të shtyhet sërish derisa të gjendet një marrëveshje me Rusinë, pra një marrëveshje në planin global ndërkombëtare që nuk do të kishte për qëllim vetëm Kosovën, por tërësinë e raporteve ndërmjet Perendimit dhe Rusisë. Pra një ujdi që do të përfshinte statusin e Kosovës, çështjen e Iranit, luftën kundër terorizmit. Disa mendojnë se duhet pritur përfundimin e zgjedhjeve në Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj të shkohet në këto marrëveshje. Për mendimin tim kjo ka të bëjë me logjikën e zhagitjes që me vete bartë rreziqe.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Serbisë Vojislav Koshtunica këto ditë ka thënë se Serbia është kundër anëtarësimit në NATO. Këto fjalë me gjasë janë mirëpritur në Moskë e cila tash sa kohë kunërshton zgjërimin e metejmë të NATO-s. A mendoni se Serbia është shëndrruar në instrument të Rusisë me qëllim të ndalimit zgjërimit të NATO-s drejt Ballkanit?

JACQUES RUPNIK
Nuk mendoj se Serbia është instrument i Rusisë. Mendoj se Serbia me shkathtësi është duke shfrytëzuar Rusinë gjithashtu. Fakti që serbëve nuk u ngutet të hyjnë në NATO nuk është befasues. Në fund të fundit ata u bombarduan nga NATO. Rrjedhimisht hyrja në NATO nuk është një çështje që gëzon mbështetje në Serbi. Pra nuk i konsideroj si intrument i Rusisë dhe as me aspiratë për t'u anëtarësuar në NATO. Aktualisht ata janë në një gjendje nacionaliste në përpjekjet për të ruajtur ate që e konsiderojnë teritor legjitim të Serbisë. Ata janë të gatshëm që çdo gjë ta bëjnë për të realizuar këtë qëllim dhe sa i përket politikës serbe këtu qëndron problemi.

RADIO EVROPA E LIRË
A i shihni vendet e Ballkanit brenda Bashkimit Evropian ta zënë brenda 5 ose 10 vitesh?

JACQUES RUPNIK
Nuk mund të saktësoj ndonjë datë, por i shoh në Bashkimin Evropian. Ekziston zotimi i Bashkimit Evropian ndaj asaj që tash quhet Ballkani perendimor dhe mbase zgjidhja e statusit të Kosovës është shumë e ndërlidhur me Bashkimin Evropian. Është për keqardhje që kjo ndërlidhje nuk është bërë në formë më eksplicite. Pra do të duhej të kishim thënë: Jugosllavia është shpërbërë dhe ne do ta zgjidhim edhe çështjen e fundit të mbetur që është Kosova. Por, njëkohësisht do të duhej që të gjitha vendeve të dala nga ish Jugosllavia t'u kishim ofruar, dhe jo vetëm premtuar anëtarësim më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Serbëve do të duhej thënë – po e dijmë se heqja dorë nga Kosova është një vendim i dhembshëm, por ju do të fitoni diç shumë më të rëndësishme, përkatësisht paqjen dhe stabilitetin me fqinjët dhe ardhmërinë evropiane, sepse Kosova i takon së kaluarës, Kosova është çështje që e shfrytëzoj dhe abuzoj Millosheviqi dhe ju nuk bënë të shkoni sërish në atë drejtim. Por, në këtë aspekt procesi i integrimit evropian do të duhej të ishte kredibil. Nuk mjafton që Bashkimi Evriopian vetëm të thotë se mbështet forcat demokratike në Serbi, por të bëjë ndërlidhjen ndërmjet statusit të Kosovës dhe ardhmërisë evropiane të Serbisë.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG