Ndërlidhjet

MOSZGJIDHJA E STATUSIT INKURAJON STRUKTURAT PARALELE TË SIGURISË


Arton Konushevci

Kosovës i duhet një forcë, e cila i përmbush të gjitha kriteret për anëtarësim në NATO. Kështu është thënë sot në konferencën ‘Arkitektura e Sigurisë në vendet post- konflikttuoze’, të organizuar nga Qendra Evropiane për Studime të Sigurisë ‘George Marshall’. Mathew Rhodes, ekspert për çështje të sigurisë kombëtare, tha se do të jetë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare që të formojnë një forcë, nga e cila të gjithë qytetarët e Kosovës do të ndihen të sigurt. "Kjo do të jetë çështje për liderët e Kosovës, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, që ta definojnë. Por, në terma të përgjithshëm, është e rëndësishme që forcat e sigurisë t’i mbrojnë njerëzit brenda resurseve që kanë", theksoi Rhodes. Ndërsa, Behar Selimi, nga Shërbimi Policor i Kosovës, tha se Kosova ka nevojë për një forcë optimale dhe ushtarake, sikurse edhe çdo vend tjetër demokratik. "Një forcë optimale, një force mobile, një forcë që përmbush të gjitha kriteret e anëtarësimit në paktin NATO. Pra, mendoj për një forcë ushtarake. Ndërkohë që kësaj force, unë ia mendoj një rol sikurse e ka çdo forcë ushtarake në shtetet me demokraci të zhvilluar, në të cilat faktori ushtarak nuk është para së gjithash dhe mbi të gjitha, por në të cilat shoqëria, policia, zbatuesit e ligjit, shërbimet inteligjente dhe segmentet e tjera të sektorit të sigurisë kanë rol prioritar", ka thënë Selimi. Autoritetet e rendit e karakterizojnë situatën e sigurisë në Kosovë si të qetë, por të brishtë, ndërkohë që shfaqin shqetësime për praninë e strukturave paralele të sigurisë. Një raport i fundit i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka vënë në pah se në veriun e Kosovës veprojnë pjesëtarë serbë të strukturave paralele të sigurisë, ndërkohë që, javën e kaluar, është shfaqur publikisht, për herë të parë, Armata Kombëtare Shqiptare. Mathew Rhodes thekson se moszgjidhja e statusit të Kosovës ndikon që në terren të paraqiten struktura të tilla paralele. “Unë mendoj se këto ndodhin për shkak të situatës konfuze në vend, vonesës së vazhdueshme të statusit, mosdefinimit të statusit politik të vendit. Këto janë gjëra që duhet adresuar për të mundësuar një kornizë, përmes së cilës paramilitarët do të eliminoheshin si probleme të sigurisë për vend dhe më nuk do të kërcënonin rajonin. Mendoj se statusi i pazgjidhur ka ndikim në tërë rajonin dhe është e rëndësishme për terë rajonin që të qartësohet se çfarë statusi do të ketë Kosova", tha Rhodes. Ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, pjesëmarrës në këtë konferencë, tha se realiteti në Kosovë është specifik. Sipas tij, një pjesë e madhe e territorit të Kosovës nuk kontrollohet nga policia e Kosovës e as ajo e UNMIK-ut. Kjo, sipas Salihajt, mundëson krijimin e formacioneve të ndryshme. “Së pari, është vështirë të jemi të koordinuar me të gjitha institucionet, kur ne e kontrollojmë vetëm një pjesë të territorit. Ne nuk e kontrollojmë një pjesë të Mitrovicës dhe kur nuk e kontrollon territorin, kur UNMIK-u nuk e kontrollon territorin, ne duhet të jemi kritikë. Kur një pjesë e territorit nuk kontrollohet plotësisht nga UNMIK-u dhe Qeveria e Kosovës, kjo mandej krijon parakushte për këto formacione, krijon pakënaqësi, sepse, në fund të fundit, është një dipol i një aktiviteti tjetër, i asaj gardës së Car Llazarit që është përmendur. Dhe, normalisht, rrethanat e tilla veç e komplikojnë situatën”, ka thënë Salihaj. Ai shtoi se Qeveria e Kosovës prioritet të vetin ka sundimin e ligjit, por, sipas Salihajt, për të pasur një siguri më të madhe në vend, Qeveria duhet të ketë kompetenca më shumë.


XS
SM
MD
LG