Ndërlidhjet

PROTESTA E SBASHK-UT PËRFUNDON PA MARRËVESHJE ME MASHT-IN


Nadie Ahmeti

Punëtorë të administratës së arsimit, të mbështetur edhe nga mësimdhënësit, kanë protestuar sot para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke kërkuar që marrëveshja e arritur në muajin gusht në mes Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim, të zbatohet në tërësi. Në fund të muajit gusht, Qeveria e Kosovës u ka premtuar punëtorëve të arsimit, se këtë vit do t’ua rrisë pagat për 12 për qind. Në anën tjetër, në këtë muaj, pagat me rritje i kanë marrë vetëm mësimdhënësit, por nuk janë përfshirë punëtorët administrativë. Pas një takimi që kanë zhvilluar udhëheqësit e sindikatës me ata të Ministrisë së Arsimit, nuk është arritur asnjë marrëveshje e dëshiruar, tha Ali Shabanaj, kryetar i Sindikatës së Arsimit. “Fatkeqësisht, nuk gjetëm ndonjë përgjigje që dëshironim. Dëshira jonë është që rritja të pasojë edhe për pjesën tjetër të mbetur, për pjesën tjetër të diferencuar. Ne dolëm të pakënaqur me këtë, pasi nuk është dhënë ndonjë sqarim se kur do të ndodhë kjo”, ka thënë Shabanaj. Ndërkaq, ministri i Arsimit, Agim Veliu, tha se me gjithë angazhimet e ministrisë që rritja e pagave për 12 për qind të përfshijë edhe punëtorët e administratës, kjo nuk ka ndodhur dhe as që mund të ndodhë, pasi, sipas tij, administrata arsimore është në kuadër të Administratës së Shërbyesve Civilë në nivel të Kosovës; edhe pse, sipas rregulloreve që aktualisht janë në fuqi, shërbyes civilë konsiderohen edhe mësimdhënësit. “Kjo kategori hyn në kategorinë e shërbyesve civilë dhe është një qëndrim se në këtë moment nuk mund të bëhet dallim, dikujt t’i rritet paga e dikujt mos t’i rritet. Do të ishte edhe logjikisht absurde të mendohet se pagat rriten për 3000-4000 punëtorë të administratës së arsimit, ndërsa 50 mijë të tjerë të mbesin me ato paga që kanë qenë”, u shpreh ministri Veliu. Pengesë tjetër, sipas tij, për realizimin e marrëveshjes, apo rritjen e pagave edhe të punëtorëve të administratës, është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe kufizimet e Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës. “Në radhë të parë është pamundësia buxhetore e Kosovës. Buxheti i Kosovës nuk ka mundësi të bëjë ngritje të pagave për të gjithë shërbyesit civilë. Pastaj, janë disa marrëveshje të Qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që ne duhet të sillemi konform rregullave dhe marrëveshjeve që bëjmë me ata faktorë, sepse ata janë me shumë ndikim”, ka deklaruar ministri Veliu. Në anën tjetër, Ali Shabanaj tha se shprehja e pakënaqësive të sindikalistëve do të vazhdojë. Sipas tij, sot do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i kësaj sindikate, në mënyrë që të shikohet se çfarë veprimesh do të ndërmarrin, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e mbajtjes së grevave. “Kemi një strategji të veprimit. Do të veprojmë që t’i bindim qeveritarët tanë që të përmbushin obligimet e tyre dhe të realizojnë marrëveshjen e arritur në mes MASHT-it dhe SBASHK-ut”, ka thënë Shabanaj. Ndryshe, edhe para dy vjetësh, Qeveria e Kosovës pati ngritur pagat e mësimdhënësve për shtatë për qind, por as atëherë nuk janë përfshirë punëtorët e administratës arsimore.


XS
SM
MD
LG