Ndërlidhjet

DI STASSI: ZGJEDHJET E 17 NËNTORIT MUND TË PËRCILLEN ME PROBLEME


Albana Isufi

Komisioni Qendror Zgjedhor pritet të shtyjë edhe për një javë afatin për regjistrimin e votuesve të rinj, ndërkohë që, sipas kryeshefit ekzekutiv të KQZ-së, Mazllum Baraliu, interesimi i të rinjve për t’u regjistruar është i madh. “Jemi në proces të propozimit, gjegjësisht të vendimit, për të vazhduar këtë afat edhe për një javë tjetër pune”, tha Baraliu. Përderisa KQZ-ja po bën përgatitjet për procesin zgjedhor, kreu i misionit vëzhgues të Këshillit të Evropës, Giovanni Di Stassi, konsideron se zgjedhjet e 17 nëntorit mund të përcillen me probleme të mundshme. Mbajtja e tri palë zgjedhjeve për një ditë, sistemi i ri i votimit, koha e shkurtër e përgatitjeve, sipas Di Stassit, mund të çojnë në probleme që do të mund të ndikonin më pas edhe në rezultatin përfundimtar. “Kam parë shumë probleme. Kam takuar ndërkombëtarë, liderë politikë dhe fetarë, sepse dua të di se ku qëndrojnë problemet. Ka shumë probleme. Është listë e gjatë e problemeve të mundshme. Një gjë është e sigurt - ne do të vështrojmë me vëmendje të veçantë në këto fusha, për të parë nëse problemet, që i theksojnë disa, do të zënë vend ose jo. Unë shpresoj të mos ketë asnjë, por janë të mundshme dhe ne duam të sigurohemi”, theksoi Giovanni Di Stassi. Votimi jashtë vendit, që do bëhet përmes shkarkimit të fletëvotimit përmes internetit, është parë nga disa parti politike dhe ekspertë si një formë lehtë e manipulueshme. Giovanni Di Stassi thotë të jetë njoftuar edhe me këtë problem, por nuk do të ndikojë në ndryshimin e vendimeve. “Nëse shkoj në UNMIK, OSBE dhe diskutoj këtë problem, unë do të bëhem pjesë e organizimit të procesit dhe ky nuk është roli im. Unë flas me njerëz, bëj pyetje, marr përgjigje, diskutojmë problemet. Ata e dinë se ku janë problemet dhe e dinë se si t’i zgjidhin ato, nëse duan. Mendoj se ata duan dhe do t’i zgjidhin problemet. Nëse s’ndodh kjo, vëzhguesit tanë do t’i shohin këto probleme dhe do t’i vendosin në raportin përfundimtar”, tha Di Stassi. Megjithatë, Mazllum Baraliu është i bindur se nuk do të lejohen keqpërdorime apo manipulime të votave. “Është çështje e përpjekjeve për të shkuar procesi siç është më së miri dhe shmangia dhe eliminimi i të gjitha mundësive eventuale të abuzimit me procesin. Do me thënë, të shmangen të gjitha parregullsitë eventuale. Kjo është detyrë e jona dhe po përgatitemi intensivisht dhe seriozisht që ta bëjmë me sukses këtë proces”, pohoi Baraliu. Ndryshe, katërmbëdhjetë vëzhgues të Këshillit të Evropës, të cilët do të qëndrojnë deri pas zgjedhjeve, tashmë kanë ardhur në Kosovë dhe do të ndahen në 7 ekipe, për të mbuluar rajone të ndryshme në Kosovë dhe Serbi. Giovanni Di Stassi thotë se ky numër nuk është i mjaftueshëm. “Të jemi seriozë; ne nuk do të mund të vëzhgojmë zgjedhjet me 20 njerëz që punojnë këtu. Ne po presim 150 njerëz tjerë. Vëzhguesit afatshkurtër do të arrijnë një javë para zgjedhjeve dhe ata do të punojnë me vëzhguesit afatgjatë. Por, kjo s’është e tëra dhe nuk mjafton, pasi ne po ashtu duam të kemi syrin politik në zgjedhje dhe kjo është arsyeja pse 20 anëtarë të Kongresit, disa anëtarë të komunitetit të rajoneve të BE-së, disa pjesëtarë të Parlamentit Evropian do të jenë këtu dhe do të vëzhgojnë. Ajo që do të doja të kishim si rezultat final është një deklaratë objektive rreth asaj se çka ka ndodhur. Do të doja që të gjithë këta që do të vijnë, të flasin me një zë, sepse nëse duam të jemi të besueshëm, duhet ta themi një gjë dhe unë shpresoj se rezultati final do të jetë – këto kanë qenë zgjedhje të lira dhe demokratike. Por, kjo nuk varet nga unë”, tha Giovanni Di Stassi. Ndryshe, koha për përgatitje për zgjedhje është konsideruar të jetë e shkurtër, gjë që po ashtu do të mund të ndikojë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 17 nëntorit. “Ky është një nga problemet, sepse nuk është vetëm çështja e mësimit. Ne kemi situatën ku kemi grupe të ndryshme dhe ne do të duhej të jemi të gatshëm që t’i adresohemi secilit, që nuk është e thjeshtë, por rezultatet do të varen nga përpjekjet e atyre që organizojnë zgjedhjet. Por, mund të them se vetëdijesimi i njerëzve në këtë fushë specifike është thelbësor për rezultatet e zgjedhjeve”, theksoi Di Stassi. Zgjedhjet e sivjetme konsiderohen të jenë më të komplikuara, për shkak se për një ditë do të mbahen zgjedhjet lokale, parlamentare dhe ato për kryetarë të komunave. Ndërsa votimi me lista të hapura i kontribuon këtij komplikimi. Shefi i KQZ-së nuk ka përjashtuar mundësinë që nëse është e nevojshme, zgjedhjet të zgjasin dy ditë.

XS
SM
MD
LG