Ndërlidhjet

MOORE:"OBSTRUKSIONIZMI I MOSKËS NUK MUND TË NDALË NATO-n"


Patrick MOORE, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht zhvillohet debat rreth Kosovës. Por, duket se ai nuk ka të bëjë me kosovarët dhe serbët, dhe as me amerikanët dhe rusët, por një debat brenda Bashkimit Evropian. Vendimi me gjasë do të ndikoj në kredibilitetin e politikës së jashtme të Brukselit. Përse heziton Bashkimi Evropian?

PATRICK MOORE
Rrënjët duhet kërkuar te gara ndërmjet interesave nacionale. Kjo nuk duhet befasuar askë, sepse kemi 27 shtete me 27 interesa të ndryshme nacionale. Ish kryeministresha e Britanisë së Madhe Margaret Thaqer dhe presidenti aktual i Çekisë Vaclav Klaus, jo harmoninë e interesave nacionale të vendeve të Bashkimit Evropian e shohin si dobësi qendrore dhe rrjedhimisht utopik synimin e BE-së për një federalizim ose super shtet. Kosova është vetëm rasti i fundit i këtij rrëfimi. Disa vende kanë shfaqur hezitim nga frika për shkak të pakicave në oborrin e tyre. Kjo ka të bëjë me Spanjën që ka baskët, Sllovakinë dhe Rumaninë që kanë pakicën hungareze. Nga ana tjetër keni Rumaninë, Greqinë dhe Qipron që tradicionalisht kanë marrëdhënje të mira dhe simpati për Serbinë. Për dallim nga këto vende kemi Britaninë e Madhe dhe disa vende tjera evropiane që mbështesin pavarësinë e Kosovës. Në një organizim të madh siç është BE-ja ndasi të tilla do të ketë gjithnjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë në Moksë për vizitë ka qëndruar Nikolas Sarkozi. Ai tha se Putini nuk është i "mbyllur" për një kompromis rreth Koosvës, por shtypi rus ka pohuar se rreth Kosovës dhe Iranit nuk është arritur asgjë. A do të thotë kjo se vetëm nën udhëheqjen amerikane mund të zgjidhet çështja e Kosovës?

PATRICK MOORE
Kjo është e vërtetë, por duhet pasur parasysh Britaninë e Madhe dhe edhe udhëheqjen e tashme në Francë. Presidenti Sarkozi deshi të përfitoj Putinin në çështjen e Iranit dhe Kosovës, por nuk ia arriti kësaj. Pavarësisht tentimit të Sarkozit që të tregoj afri me presidentin rus, Putini mbeti shumë i ngurtë. Ish kampioni botëror në shah dhe tash lider i opozitës në Rusi, Gari Kasparov këto ditë tha se modeli i Rusisë së Putinit është model i mafiasë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa thonë se synim i fundit i Putinit është që përmes bllokimit të zgjidhjes së statusit të Kosovës të ndalë zgjërimin e mëtejm të NATO-s në Ballkan. A ndani këtë mendim?

PATRICK MOORE
Tash sa kohë e them se Moska është duke luajtur lojë të vështirë në Ballkan, sepse atje nuk ka çfarë të humbasë. Por, tash në Perendim askush më nuk ka iluzione rreth ambicjeve dhe stilit sovjetik të Putinit. Ai ka bërë kapital politikë në Beograd dhe në Rusi duke bërë politikë të vjetër të stilit sovjetik. Por, megjithë kundërshtimet e Moskës dhe Beogradit, NATO do të zgjërohet. Obstrukcionizmi i tashëm i Rusisë nuk mund ta ndalë NATO-n. Problemi do të jetë më i madh për Bashkimin Evropian, nëse Serbia vendos të mbetet jashtë integrimeve evro – atlantike dhe të shëndrrohet në hapësirë për mafian ruse dhe të tjerat në qendër të Ballkanit. Kjo do të ishte tragjedi për Serbinë, por edhe për rajonin, sepse me një udhëheqje më serioze, Serbia do të duhej të kishte rol të rëndësishëm, sepse gjendet në qendër të kartës gjeografike të Ballkanit.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG