Ndërlidhjet

BRUKSEL: PRISHTINA DHE BEOGRADI MBETËN NË QËNDRIMET E MËPARSHME


Augustin PALOKAJ

Në ndërtesën e Këshillit të Ministrave të BE-së, në Bruksel, sot u mbajt takimi i dytë i drejtpërdrejtë i Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Treshes negociatore të Grupit të Kontaktit. Pas takimit disa orësh, Treshja negociatore njoftoi përmes një komunikate se palët i kanë paraqitur qëndrimet e deritashme, por nuk përmendën ndonjë progres. "Beogradi edhe më tej i ka sqaruar propozimet e veta për autonominë e Kosovës brenda Serbisë. Prishtina e ka elaboruar propozimin e saj për Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim ndërmjet dy shteteve të pavarura, si dhe zbatimin e plotë të të drejtave të pakicave", thuhet në deklaratë.
Udhëheqësit kosovarë thanë pas takimit se pas 10 dhjetorit, Kosova do të shpallë pavarësinë, ndërsa presidenti Fatmir Sejdiu tha se janë refuzuar tërësisht propozimet e Beogradit, sepse "janë kundër vullnetit të qytetarëve të Kosovës". Sejdiu tha se "Kosova nuk mund të jetë peng i vazhdimit të pandërprerë të negociatave".
Për qeverinë e Kosovës nuk është prioritet se si do të menaxhohet ndonjë pakënaqësi e qytetarëve për shtyrjen eventuale, por si të realizohet pavarësia e Ksoovës. Kjo pavarësi, sipas tij, do të shpallet shumë shpejt, vetëm disa ditë pas 10 dhjetorit.
Lideri i PDK, Hashim Thaçi tha se kompromisi me Beogradin rreth statusit nuk është i mundur, dhe Kosova po shkon drejt shtetformimit. Kryetari i partisë Ora, Veton Surroi tha se propozimi i Beogradit është kundërthënës në vetvete. Jemi dëshmitarë se Beogradi tash punlikisht pranon se Kosova duhet ta qevrisë veten, e në të njëjtën kohë Beogradi propozon që Kosova të mbetet nën sovranitetin serb. Këto nuk janë në pajtim me njëra-tjetrën, prandaj Beogradi duhet t'ia sqarojë vetes se çfarë mendon, ka thënë Surroi, duke shtuar se vizioni i sotëm i Beogradit përngjan me vizionin që e ka patur Millosheviqi.
Përfaqësuesit e delegacionit serb kanë thënë se takimi i sotëm ka qenë shumë i rëndësishëm, ku palët i kanë paraqitur pikëpamjet e tyre, dhe se takimet e tilla mund të sjellin fryt, vetëm nëse disa shtete heqin dorë nga pretendimet se paragjykohet statusi i Kosovës. Sipas zyrtarëve serbë, që të arrihet kompromisi, i cili siçpas tyre është i mundur, duhet të ketë shumë takime dhe të mos ketë afatizime kohore.
Para takimit, i dërguari i BE-së, në Treshen negociatore, Wolfgang Ischinger tha se deri tash ekzistojnë "elementë inkurajues" në bisedimet, por "nuk mjaftojnë". Diplomati gjerman u bëri thirrje palëve që të marrin "vendime të dhembshme", në mënyrë që të shënohet kthesë në bisedimet, dhe shtoi se koha për kompromis është e shkurtër.
"Nuk është çështja të më bindin mua, por të bindin njëri-tjetrin", tha Ischinger, i cili u bëri thirrje vendeve të BE-së që të lehtësojnë regjimin e vizave për qytetarët nga Serbia, duke pohuar se ky hap mund të ndihmojë në bisedimet për të ardhmen e Kosovës.
Takimi i radhës do të mbahet më 22 tetor në Vjenë.
XS
SM
MD
LG