Ndërlidhjet

EKSPERTËT E ARSIMIT E SHOHIN GREVËN TË ARSYESHME


Nadie Ahmeti

Ekspertë të sistemit të arsimit e vlerësojnë të arsyeshme grevën e urisë, në të cilën kanë hyrë udhëheqës të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë. Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, këtë grevë e vlerëson të arsyeshme, sepse, sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet, njëherë e përgjithmonë, ta marrë seriozisht dhe ta vë si prioritet në agjendën e saj përmirësimin e gjendjes në sistemin arsimor. Nuk ka pasur nevojë të bëhen diferencime në rritjen e pagave në mes mësimdhënësve dhe punëtorëve administrativë, thotë Hyseni, duke shtuar se edhe këta punëtorë janë brenda këtyre institucioneve. “Unë e vlerësoj si një përpjekje për të krijuar një situatë normale, përafërsisht toleruese në shkollat tona dhe për të krijuar një solidaritet që është i domosdoshëm për efekte më të mëdha në arsimin e Kosovës”, tha Hyseni. Ndryshe, edhe ish-ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rexhep Osmani, thotë se sindikalistët janë detyruar të bëjnë një akt të tillë, nga, siç thotë ai, mospërgjegjësia e udhëheqësve të institucioneve të arsimit dhe të Qeverisë së Kosovës. “Premtimet dhe deklaratat boshe që kanë dhënë, i kanë vënë arsimtarët në pozitë tepër të rëndë. Premtimet që japin zyrtarët, duhet të realizohen. Fjala publike duhet të jetë shumë e përgjegjshme”, pohoi Osmani. Ai thotë se diferencimi i vlerave të punës së arsimtarëve duhet të jetë një proces i shpërblimeve dhe i vlerësimit të punës. Ndërkaq, në këtë rast, shton Osmani, nuk është bërë një dallim i punës, por është bërë një dallim i niveleve të punëtorëve të arsimit. “Unë kujtoj se edhe kjo kategori që punon në shkollë, është në funksion të procesit mësimor dhe ndihmon e mbështet këtë proces, që mësimi të zhvillohet në kushte më të mira”, tha Osmani. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agim Veliu, ndërkaq ka deklaruar se pengesë kryesore për rritjen e pagave të punëtorëve administrativë në sistemin e arsimit, mbetet buxheti i kufizuar i Kosovës. Por, Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, nuk pajtohet me këtë. Ai thotë se gjithnjë ka mundësi të sigurohen mjete për të rritur pagat e kësaj kategorie, por, sipas tij, është mungesa e vullnetit politik për të zgjidhur këtë çështje. “Unë e di se shuma të mëdha shpenzohen nga kjo Qeveri, për shumë gjëra të parëndësishme, më pak relevante. Dhe, kur ka mundësi të sigurohen mjetet për çështje të tjera, krejtësisht të parëndësishme, atëherë mund të sigurohen edhe për këtë”, pohon Hyseni. Ndryshe, me gjithë grevën e sindikalistëve të arsimit, procesi mësimor është duke u zhvilluar normalisht në të gjitha shkollat fillore dhe ato të mesme, kudo në Kosovë.
XS
SM
MD
LG