Ndërlidhjet

VAZHDON TRENDI I RRITJES SË TRAFIKIMIT DHE DHUNËS FAMILJARE


Albana Isufi

“Kam dëgjuar së fundi një rrëfim për një familje kosovare, ku babai ishte trafikant, nëna kuzhiniere, ndërsa vajzat ishin skllavëruar nga prindërit e tyre dhe ishin detyruar që të ofrojnë shërbime seksuale”. Ky rast, i përmendur nga shefi i UNDP-së, Frode Mauring, është një nga rastet e shumta se si femrat kosovare janë pre e trafikimit. Të dhënat e policisë tregojnë se të mitur dhe femra kosovare, çdo ditë e më shumë, bien pre e trafikimit. Vetëm gjatë këtij viti, sipas shefit të Njësisë kundër trafikimit në Shërbimin Policor të Kosovës, Ramadan Ahmeti, janë identifikuar 28 viktima, ndërkohë që numri i viktimave të paidentifikuara mund të jetë më i madh. Premtimet për një jetë më të mirë, në të vërtetë, janë edhe kurthi në të cilin bien viktimat. “Gjatë trafikimit, viktimat së pari rekrutohen për ndonjë punë apo ndonjë premtim për martesë, studime apo diçka që do të jetë shumë interesante për viktimën. Pastaj, ato nuk përfundojnë në vendin e destinimit. P.sh. rekrutohen prej Moldavisë për në Itali, por përfundojnë në Kosovë. Kohët e fundit, shumica e atyre që rekrutohen, po rekrutohen me destinim të saktë - për në Kosovë. Do të vijnë në Kosovë të punojnë si kameriere ose valltare; e kur vijnë këtu, fillojnë abuzimet apo keqtrajtimet e tyre”, shpjegoi Ahmeti. Vitin e kaluar, sipas policisë, janë identifikuar 65 viktima, numër ky më i vogël krahasuar me atë të vitit 2001, kur ishin zbuluar 172 viktima të trafikimit. Por, ndryshe nga vitet e mëhershme, tani viktimat e trafikimit janë gjithnjë e më tepër kosovare. ”Ka një numër dukshëm të madh të trafikimit të femrave shqiptare nga Kosova, por ka edhe nga viset tjera ballkanike, si nga Maqedonia, Shqipëria, Presheva etj.”, tha Ahmeti. Megjithatë, SHPK-ja nuk ka të dhëna të sakta, se sa kosovare trafikohen jashtë vendit. Nazlie Bala, nga Nisma për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gruas, thotë se numri i viktimave të trafikimit mund të jetë më i madh nga ai zyrtar. “Ka shumë raste që viktimat e trafikimit lajmërohen në strehimore, por jo edhe në polici dhe anasjelltas. Këtu i kemi kontradiktat e statistikave. Në bazë të punës në terren dhe në bazë të informacioneve nga strehimoret e grave, kemi rritje të trafikimit të brendshëm, kemi rritje të trafikimit të vajzave kosovare”, bëri të ditur Bala. Janë 6 strehimore në Kosovë, në të cilat sistemohen dhe mund të qëndrojnë deri në 6 muaj viktimat e trafikimit, apo edhe viktimat e dhunës në familje. Por, sipas Nazlie Balës, kjo nuk mjafton. “Nuk duhet fokusuar vetëm te strehimi. Çka pas strehimit? Tek ne jepet vetëm strehimi dhe nuk ka alternativë; prapë viktima e dhunës në familje është e detyruar të kthehet në vendin e dhunës dhe viktima e trafikimit riviktimizohet si mungesë e programeve rehabilituese, si mungesë e programeve integruese, si mungesë e programeve psiko-sociale nga institucionet e Kosovës”, thotë Nazlie Bala. Që nga viti 2003, në 6 strehimore që gjenden në qendrat kryesore të Kosovës kanë kërkuar ndihmë afërsisht 2400 viktima të trafikimit dhe të dhunës në familje. Varfëria dhe edukimi i dobët duket të jenë shkaktarët kryesorë që çojnë në trafikim. “Pothuajse gjysma e viktimave të trafikimit janë nën moshën 18 vjeçare; shpesh, për shkak të familjeve jofunksionale apo arsimimit të dobët dhe varfërisë. Meqë kemi zgjedhjet përpara, do t’u kërkoja kosovarëve që të mendojnë për çështjen e varfërisë, trafikimit njerëzor dhe zhvillimit, para se të votojnë”, porosit Frode Mauring, i cili hapi sot fushatën e UNDP-së kundër dhunës familjare dhe trafikimit në Kosovë. Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka shpallur tetorin muaj kundër trafikimit.

XS
SM
MD
LG