Ndërlidhjet

DILEMAT E QYTETARËVE PËR VENDOSMËRINË E BE-SË


Arton Konushevci

Qytetarët e Kosovës thonë se ka ardhur koha që edhe shtetet e Bashkimit Evropian të jenë unike dhe ta kenë një qëndrim të qartë për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës. Fatmir Sfishta thotë se, shumë shpejt, disa prej shteteve evropiane, të cilat nuk janë pajtuar me qëndrimet e shteteve që e përkrahin një zgjidhje për Kosovën, do të jenë unike. "Unë mendoj se shtetet kryesore të Bashkimit Evropian do të unisohen, që ta kenë një qëndrim për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kurse, shteteve të vogla, anëtare të Bashkimit Evropian, do t’u imponohet, në njëfarë forme, prej shteteve të mëdha që të jenë edhe ato unike në qëndrime", shpreh mendimin e tij zoti Sfishta. Adelina Çoçaj thotë se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Kosovës tashmë është i njohur, por një gjë të tillë pritet ta bëjë edhe Bashkimi Evropian. "Tashmë dihet qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Shpresojmë se do ta kemi këtë qëndrim që kanë SHBA-të ndaj Kosovës edhe nga Bashkësia Evropiane", thotë zonja Çoçaj. Edhe Ali Mehmetaj mendon se Bashkimi Evropian do të kontribuojë në pavarësinë e Kosovës. Dhe, sipas tij, pavarësia e Kosovës është vetëm çështje kohe. “Vetëm është çështje kohe derisa të merret vesh bota ndërkombëtare, sepse unë jam më se i bindur që ata do të na japin pavarësinë. Edhe nuk është çështje e vullnetit të tyre, por nuk kanë ku të na lënë, nuk mund të na marrin si ‘patate të nxehtë në dorë’. Mund të shtyhet, mund të zhargitet, por unë jam shumë optimist që ata do të na japin pavarësinë. Është çështje muajsh apo një viti dhe do të bëhet pavarësia”, thotë zoti Mehmetaj. Rolin kryesor për zgjidhjen e statusit të Kosovës do ta kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë Naser Shatri, duke shtuar se shtetet e Bashkimit Evropian nuk do të gjejnë një gjuhë te përbashkët për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. “Bashkësia Evropiane nuk do të jetë unike. Rolin kryesor mund ta luajnë SHBA-të, me një pjesë shumë të vogël të shteteve evropiane”, shpreh mendimin zoti Shatri. Vildane Musliu thotë se BE-ja nuk ka qenë më herët e angazhuar, por tani shihet një angazhim më i madh. “Jam optimiste. Më herët nuk ka bërë edhe shumë, mirëpo tashmë ka ardhur koha”, shprehet zonja Musliu. Rexhep Dobruna thotë se jo vetëm Bashkimi Evropian e di historinë e Kosovës, por e gjithë bota. Prandaj, siç thotë ai, tash është koha për pavarësi. “Besoj se do të jetë unike (BE-ja). Ajo e di historinë e Kosovës, sa vite ka qenë nën okupimin e Serbisë. Tash e kanë parë të gjithë se nuk ka ku të shkohet më dhe e vërteta do të dalë në shesh”, thotë zoti Dobruna.
XS
SM
MD
LG