Ndërlidhjet

DOBBINS:"NUK DO TË KETË SHTYERJE TË MËTEJME TË STATUSIT TË KOSOVËS"


James DOBBINS, ish emisar i SHBA-ve për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
BE ka deklaruar se do ketë më shumë bisedime të drejtpërdrejta mes Prishtinës e Beogradit. A beson Bashkimi Evropian se mund të arrihet ndonjë marrëveshje, duke pasur parasysh qëndrimet e palëve?

JAMES DOBBINS
Mendoj se opinioni i përgjithshëm është se nuk ka gjasa që të kemi një marrëveshje mes palëve. Por ekziston qëllimi i mirë që t'i jepen të gjitha shanset një mundësie të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka informacione se qeveritë e vendeve pro pavarësisë po punojnë me udhëheqësit kosovarë që të mund të bindin opinion të pranojë ndoshta edhe një shtyrje tjetër në përcaktimin e statusit. A ka ndonjë të vërtetë në këto informacione?

JAMES DOBBINS
Në këto çështje është provuar që gjithmonë priten shtyrje. Une nuk e di që ekziston ndonjë qëllim që të shtyhen këto bisedime dhe më tej.

RADIO EVROPA E LIRË
Nuk ka qenë e qartë që nga fillimi nëse Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do ta çojë sërish çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit, pas 10 dhjetorit. Çfarë ka më shumë gjasa që të ndodhë?

JAMES DOBBINS
Mendoj se nuk do kemi një shtyrje të mundësisë së votimit në Këshillin e Sigurimit nëse Rusia e bën të qartë se do vendosë veton ndaj çdo rezolute.
Kjo do varet nga fakti nëse do ketë marrëveshje në Grupin e Kontaktit apo jo. Në rast të një marrëveshje çështja do shkojë në Këshillin e Sigurimit. Në të kundërtën, vendet në mënyrë të pavarur duhet të vendosin se çfarë do bëjnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e BE-së në rast se nuk kemi marrëveshje? A do kenë vendet anëtare të Unionit një qëndrim të përbashkët?

JAMES DOBBINS
Do të jenë disa shtete të Bashkimit Evropian që ndoshta nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, këtu kam parsysh vende si Greqia apo Qiproja. Por shumica e vendeve do ta njohin shtetin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo mungesë uniteti a do ndikojë në misionin e ardhshëm të BE-së në Kosovë dhe si do ndikojë në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë?

JAMES DOBBINS
Besoj se misioni i Bashkimit Evropian do vendoset në Kosovë. Por nëse kjo nuk ndodh ka alternativa të tjera për të ruajtur praninë ndërkombëtare në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë motivet pas kundërshtimit rus ndaj pavarësisë së Kosovës? Janë ato vetëm historike apo ka diçka më shumë?

JAMES DOBBINS
Ka një morri arsyesh. Këtu futet droja nga krijimi i precedentit dhe si do ndikojë një precedent i tillë në Çeçeni. Padyshim ekzistojnë dhe arsyet historike siç është mbështetja historike tradicionale e Rusisë për Serbinë e këtu duhet të kujtojmë dhe faktin se Moska do marrëdhënie të mira me një nga vende e rralla në Evropë që ka ndjenja pozitive ndaj Rusisë.
Këtu futet dhe dëshira e Rusisë që të mos sillet vërdallë nga Perëndimi e me këtë të demonstrojë se Rusia është fuqi e madhe që duhet trajtuar seriozisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Kosovës ka përsëritur se duhet dhe do shpallet pavarësia pas 10 dhjetorit nëse nuk ka marrëveshje. Në një rast të tillë Shtetet e Bashkuara kanë thënë se duhet zbatuar Plani i Ahtisaarit e natyrisht edhe pavarësia. Cili është parashikimi juaj?

JAMES DOBBINS
Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje do ketë bisedime në mes të Ekipit të Unitetit të Kosovës dhe atyre vendeve që janë të gatshme ta njohin shtetin e pavarur të Kosovës. Këto bisedime do përfshijnë kushtet e pavarësisë dhe vendosjen e një pranie ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast të një skenari të tillë cila do të jetë qasja e Kosovës së pavarur në institucionet ndërkombëtare?

JAMES DOBBINS
Kjo do varet nga lloji i institucionit. Rusët ndoshta do jenë në gjendje të bllokojnë marrëdhëniet e Kosovës me Kombet e Bashkuara. Në fakt varet se sa i fortë do jetë kundërshtimi i tyre. Por në Bankën Botërore ata nuk kanë asnjë lloj ndikimi.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG