Ndërlidhjet

SA KA MUNDËSI TË REALIZOHEN PLATFORMAT EKONOMIKE TË PARTIVE POLITIKE?


Nadie Ahmeti

Edhe pse në Kosovë ende nuk ka filluar zyrtarisht fushata parazgjedhore, për zgjedhjet e 17 nëntorit, partitë politike kanë filluar t’i shpalosin programet e tyre. Disa nga partitë tashmë kanë prezantuar edhe projekte, që synojnë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës në të ardhmen, projekte këto, që, sipas partive, obligohen të krijojnë vende të reja pune me paga më të mëdha dhe një ambient më të qëndrueshëm për zhvillimin e biznesit. Por, sa do të jenë të realizueshme këto projekte, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, pas përfundimit të zgjedhjeve? Ismajl Kastrati pohon se këto projekte janë vetëm premtime paraelektorale, për të, siç thotë ai, joshur elektoratin. “Sipas përvojës së deritashme, edhe këto programe ekonomike janë mashtrim i radhës. Logjike është kjo, në fushata paraelektorale ata duhet të premtojnë diçka. Tash atua e pavarësisë u ka dalë nga dora, tash kanë filluar me programe ekonomike të joshin elektoratin”, shprehet Kastrati. Edhe Ibrahim Rexhepi nuk beson në mundësinë e realizimit të këtyre projekteve. Ai thotë se ka rrezik që këto projekte të mbesin vetëm oferta dhe programe që nevojiten vetëm gjatë fushatës elektorale, ndërkaq më vonë, thotë ai, do të mbesin të mbyllura në sirtarë. “Unë më tepër u besoj si fjalë të mira dhe fjalë të bukura, si atraktive për elektoratin; do të thotë, është luftë për vota. Posaçërisht kam parasysh faktin se edhe në këtë fazë, partitë politike shumë pak merren me vlerësimin e mundësive për ndryshimin e ambientit, për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thotë Rexhepi. Ismajl Kastrati, ndërkaq pohon se këta njerëz kanë pasur mundësinë edhe më herët të dëshmohen dhe deri më tani nuk kanë arritur që të përmirësojnë gjendjen ekonomike, gjë që, sipas tij, nuk do të kenë mundësi as në të ardhmen. “Posaçërisht kur Kosova, brenda shtatë vjetësh, nuk e ka hartuar një strategji të zhvillimit ekonomik, edhe pse janë derdhur para për strategji të ndryshme, për grupe të ndryshme. Kështu që është vështirë, që në këtë situatë të presim një zhvillim dinamik ekonomik, posaçërisht para se të zgjidhet statusi politik i Kosovës”, thotë Kastrati. Ndryshe, Ibrahim Rexhepi thotë se përveç mosgatishmërisë së udhëheqësve të institucioneve vendore për realizimin e projekteve ekonomike, është edhe buxheti i kufizuar i Kosovës, i cili, sipas tij, nuk është bazë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. “Buxheti ka një hapësirë shumë të ngushtë. Dhe, unë nuk pres që zgjedhjet e ardhshme do të nxjerrin një kategori të njerëzve, që prej 700 milionë eurosh, ta ngritin buxhetin në 1 miliard e 400. Thjesht janë lëshimet, qoftë në ngecjen e zhvillimit ekonomik, por ka lëshime edhe në sistemin fiskal, në institucionet që merren me zbatimin e këtyre politikave”, pohon Rexhepi. Por, ndryshe thotë Ismajl Kastrati. Ai thotë se me një angazhim më të madh të strukturave udhëheqëse, buxheti ka mundësi të jetë bazë për realizmin e projekteve ekonomike. Por, një gjë të tillë, shton Kastrati, nuk mund ta bëjë asnjëra nga partitë politike që konkurrojnë në zgjedhjet e 17 nëntorit. “Buxheti i Kosovës me pak angazhim mund të rritet për 30 për qind. Mjafton të eliminohet kontrabanda dhe të vjelën tatimet brendapërbrenda Kosovës, praktikisht të zvogëlohet përqindja e ekonomisë informale. Me siguri se ka mundësi, por jo strukturat politike që aktualisht janë në krye të listave për t’u votuar, e që deri tash kanë pasur dështim, se vetë kanë kontribuar në këtë gjendje, në të cilën sot është Kosova, në aspektin ekonomik dhe social”, vlerëson Kastrati. Sidoqoftë, ekspertët shprehin dyshimin se projektet për zhvillimin ekonomik të Kosovës do të mund të realizohen me donacione nga jashtë. Ata thonë se e vetmja zgjidhje është statusi i zgjidhur politik, i cili do t’i mundësonte Kosovës qasje në institucionet financiare ndërkombëtare dhe krijimin e një ambienti për joshjen e investimeve të huaja.
XS
SM
MD
LG