Ndërlidhjet

KOSTT PRIVOHET NGA MARRËVESHJA PËR BARTJE TË ENERGJISË – EMS PËRFITON


Bekim Bislimi

Përkundër faktit se Kosova është nënshkruese e Traktatit për themelimin e Komunitetit të Energjisë Elektrike në Evropën Juglindore dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës apo KOSTT është anëtar i Organizmit të Operatorëve të Sistemit dhe Transmisionit të Evropës Juglindore, asaj i është mohuar e drejta e nënshkrimit të Marrëveshjes mbi Mekanizmin për Kompensim në mes të operatorëve të sistemit të transmisionit për tregtinë ndërkufitare. Këtë e kanë bërë të ditur sot drejtuesit e KOSTT-it. Fadil Ismaili, drejtor menaxhues i KOSTT-it, thotë se Rrjeti Elektrik i Serbisë (EMS) në vazhdimësi ka kundërshtuar pjesëmarrjen e KOSTT-it në këtë mekanizëm. “EMS është operator serb. EMS është duke bërë alokimin jotransparent të interkoneksioneve të Serbisë dhe vazhdon që padrejtësisht ta bëjë edhe alokimin e kapaciteteve interkonektive edhe për Kosovën. Çka do të thotë kjo? Tregtarët, të cilët merren me tregtimin e energjisë elektrike në Evropë dhe në regjion dhe të cilët kanë energji për të shitur, duhet të lajmërohen te secili sistem. Ishte dashur të lajmërohen edhe te ne, në mënyrë që ta rezervojnë kapacitetin transmetues”, tha Ismaili. Por, kjo nuk ndodh, shtoi ai, për shkak të presionit të Serbisë mbi anëtarët e Mekanizmit për Kompensim në mes të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Tregti ndërkufitare. Me këtë rast, asetet transmetuese të Kosovës janë paraqitur si asete të Rrjetit elektrik të Serbisë, duke i mundësuar asaj përfitime financiare në emër të transitit nëpër rrjetin transmetues të Kosovës. “Alokimi i kapaciteteve nga ana e operatorit serb, aktualisht, bëhet në mënyrë jotransparente dhe ka dyshime se artificialisht tregohet; thuhet se ka ‘fyte të ngushta’... Nëse Kosova lidh kontratë me një tregtar për të blerë energji, ose Maqedonia, Shqipëria e kështu me radhë, parimisht, në mënyrë indirekte, operatori serb ndikon në ngritjen drastike të çmimeve të importit. Dhe, kjo është një ndër arsyet pse te ne, kur importohet energji, janë çmimet shumë të larta”, tha Ismaili. Ai theksoi se Rrjeti Elektrik i Serbisë padrejtësisht alokon kapacitetet interkonektive të KOSTT-it, duke fituar kështu rreth 2 milionë euro në vit. Në anën tjetër, sipas tij, KOSTT jo vetëm që nuk kompensohet për transit, por paguan shuma të larta edhe për humbjet e shkaktuara nga transiti, si dhe për mbarëvajtjen e rrjetit të transmisionit. Duke marrë parasysh se Rrjetit Elektrik të Serbisë i lejohen përfitimet në dëm të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe KOSTT-it, zoti Ismaili e ka quajtur këtë veprim si diskriminim dhe si veprim që bie në kundërshtim me parimet kryesore për energji të Rrjetit Transmetues Evropian. Ai ka thënë se mospërfshirja e KOSTT-it në marrëveshjen për kompensim të transitit të energjisë elektrike në mes të Operatorëve të Sistemeve të Transmisionit të Evropës, është çështje politike, ndërkaq që përfshirja e saj në këtë marrëveshje do të ishte realizim i të drejtave teknike dhe komerciale, për shkak se KOSTT-i, i cili përfaqëson Kosovën, i përmbush kushtet. “Me të gjitha dokumentet, duke filluar prej direktivave evropiane, prej Traktatit të nënshkruar për komunitetet e energjisë elektrike; nëse doni, edhe politikisht e ka bazën e plotë me Rezolutën 1244, sepse tregohet se UNMIK-u është i besueshmi i aseteve të Kosovës, menaxhon me to dhe i ka të gjitha të drejtat sikurse të ishte pronar”, ka thënë Ismaili. Sidoqoftë, sipas tij, KOSTT-i është duke i bërë analizat për hapat dhe masat, që, siç thotë Ismaili, do t’i ndërmarrë në rast se brenda një kohe të caktuar nuk zgjidhen këto çështje.
XS
SM
MD
LG