Ndërlidhjet

ANALISTËT: DOKUMENTI I TRESHES – SHMANGIE NGA PLANI I AHTISAARIT


Albana Isufi

Analistë politikë konsiderojnë se pala kosovare duhet të formësojë fuqishëm pozicionin e vet karshi komunitetit ndërkombëtar dhe, në të njëjtën kohë, të lobojë në vendet e BE-së pro njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në të kundërtën, njohës të rrethanave thonë se komuniteti ndërkombëtar do të imponojë dokumente si ai i Treshes së Grupit të Kontaktit, i cili do të nxjerrë opsione të reja në tavolinë dhe do ta komplikojë më shumë situatën. Ligjëruesi i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Bekim Sejdiu, thotë se rezultat i takimeve mes Prishtinës dhe Beogradit është thellimi i krizës e jo zgjidhja e problemit. Kështu që, sipas tij, liderët do të duhej t’i bindnin shtetet e Bashkimit Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës, pasi që ajo të jetë shpallur nga institucionet e Kosovës. “Liderët kosovarë do të duhej më mirë të bridhnin nëpër qytete botërore, sesa në fshatra e qytete të kërkojnë vota. Institucionet duhet të përgatiten sa më shumë dhe të tentojnë të gjejnë përkrahës për opsionin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë, sepse me siguri se rrugë tjetër nuk ka; dhe, kjo ana e lobingut duhet të aktivizohet pak më shumë”, thotë Sejdiu. Në anën tjetër, ligjëruesi në Fakultetin e Shkencave Politike, Driton Lajçi, konsideron se i mbetet Ekipit të Unitetit që ta formësojë pozicionin e vet për shpalljen e pavarësisë karshi komunitetit ndërkombëtar. “Pastaj, me rastin e forcimit të pozicionit, duhet lobuar që ai pozicion të mbrohet si i tillë, sepse e kam një përshtypje që të gjithë janë lojtarë në këtë skenë, por më së paku vetë shqiptarët e Kosovës. Prandaj, unë mendoj se Ekipi i Unitetit duhet të jetë më i vendosur në cilindo qëndrim. Unë mendoj se ka shumë argumente, të cilat e përkrahin idenë se Kosova duhet ta thotë fjalën e vet, ta artikulojë vullnetin e popullit përmes institucioneve, të cilat janë ndërkombëtarisht të njohura. Ky do të duhej të ishte pozicioni final i Kosovës dhe me këtë nuk do të duhej të bëhej kompromis”, thekson Lajçi. Ai thotë se nëse ky formësim i pozicionit nuk bëhet, atëherë në tavolinë do të dalin opsione tjera për statusin e Kosovës, të cilat, sipas Lajçit, janë evidente edhe në dokumentin e Treshes së Grupit të Kontaktit, që iu paraqit palëve në takimin e fundit në Vjenë. “Këto 14 pika paraqesin një realitet të ri, situatë të re, propozime të reja; shumë gjëra janë edhe më konfuze, edhe më të paqarta, akoma nuk është e qartë se çka do të bëhet me statusin politik të Kosovës, a duhet të respektohet Rezoluta 1244, apo duhet shkuar në kuadër të 1244-shit, a duhet një rezolutë e re, apo duhet bisedime tjera, apo konferencë e re?! Edhe më tutje unë mendoj se situata është më konfuze se ç’ka qenë me pakon e Ahtisaarit”, thotë Lajçi. Analistët mendojnë se dokumenti 14 pikësh, në të vërtetë, është shmangie për një hap nga pakoja e Ahtisaarit. Bekim Sejdiu mendon se meqë statusi final nuk qartësohet, dokumenti i Treshes vetëm sa do ta komplikojë më shumë situatën. “Nëse i shikojmë me vëmendje ato 14 pikat, atëherë aty shihet se ka tendencë, që, në njëfarë mënyre, të arrihet një situatë ku deklarohet se palët kanë pajtueshmëri për këto pika. Por, çështja e sovranitetit, që është çështje kyçe sa i përket problemit të Kosovës, mbetet të zgjidhet më vonë. Do të thotë, a është Kosova shtet apo jo; nëse është shtet, çfarë sovraniteti do të ketë - qasje kjo që për mua është shumë e gabueshme, sepse problemi nuk duhet zgjidhur nga bishti, por nga koka. Këtu, problemi qenësor është problemi i statusit të Kosovës, përkatësisht problemi i pavarësisë dhe i sovranitetit dhe jo probleme tjera”, thekson Sejdiu. Dokumenti 14 pikësh i Treshes negociatore parasheh ndërlidhje mes Prishtinës dhe Beogradit në disa fusha, por konfirmon se nuk do të ketë kthim të gjendjes para vitit 1999 dhe se Beogradi nuk do ta qeverisë më Kosovën. Analistët e shohin këtë si një dokument, i cili më shumë se zgjidhje të problemit, ofron komplikueshmëri.

XS
SM
MD
LG