Ndërlidhjet

NË KËRKIM TË KOMPROMISIT PËR KOSOVËN


FINANCIAL TIMES

Ambasadorit të Gjermanisë në Londër, Wolfgang Ischinger, mund t'i falet kur mendon se ai është në qendër të kontestit diplomatik rreth Kosovës. Gjatë katër muajve të fundit, z. Ischinger ka qenë përfaqësues i BE-së në treshen e diplomatëve nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, të ngarkuar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Bisedimet kanë qenë torturuese, thotë Ischinger. Fundi i lojës po afrohet. "Jemi duke hyrë në fazën më kritike", thotë diplomati gjerman.
Për shumicën, çështja e Kosovës duket e pazgjidhshme. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësi të plotë, por Beogradi insiston që ky territor të gëzojë vetëm autonomi të lirshme brenda Serbisë. "Nëse ata mbeten të ngulitur në këto pozicione fillestare, atëherë nuk mund të paramendohet ndonjë mënyrë për t'i detyruar që të farkojnë një marrëveshje mes tyre", thotë Ischinger.
Ai ende beson se një marrëveshje e negociuar mund të arrihet përpara 10 dhjetorit, kur treshja duhet t'i paraqesë konkluzat e tyre në Kombet e Bashkuara. Por Ischinger insiston se kjo do të ndodhë vetëm nëse shqiptarët e Kosovës dhe serbët shfaqin më shumë gatishmëri për kompromis dhe për të shmangur dështimin katastrofik.
"Të dyja palët duhet të kuptojnë se nuk mund t'i fitojnë 100% të kërkesave të tyre. Ata duhet të kuptojnë se nëse i zgjidhin 50% të kërkesave, atëherë ky rezultat do të jetë më i dëshiruar për të dyja palët se sa asnjë marrëveshje", thotë Ischinger.
Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar se do ta njohin pavarësinë e Kosovës nëse negociatat dështojnë. Rusia ka mbështetur fuqimisht aleatin e saj, Serbinë.
Megjithate, Ischinger thotë se Moska dhe Uashingtoni kanë qenë më fleksibilë se sa duket ndonjëherë. Rusia një kohë të gjatë ka insistuar se nuk i shpejtohet për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por muajin e kaluar, Moska e nënshkroi deklaratën e Grupit të Kontaktit ku thuhet se "zgjidhja duhet të gjindet...pa vonesë", pohon ai.
Ischinger insiston se edhe Shtetet e Bashkuara kanë qasje më të nuancuar. "Definicioni i Amerikës për pavarësinë është identik me definicionin e Bashkimit Evropian: Ne nuk mendojmë për pavarësinë si "diçka të papërmbajtur". Në vend të kësaj, Kosova do të jetë "fortë e mbikqyrur" nga misionet e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, thotë Ischinger.
Nëse gjatë 45 ditëve të ardhshme do të arrihej një zgjidhje politike, atëherë duhet të bëhen kompromise.
"Udhëheqësit në Prishtinë e dijnë se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nuk mjafton për t'i çuar ata në parrajsë. Ata nuk jetojnë në një ujdhesë të Paqësorit. Ku do të jenë për shembull, nëse një ditë pas pavarësisë, Serbia vendos t'i mbyllë kufijtë e saj me Kosovën? Prandaj një marrëveshje është e nevojshme për prosperitetin e Kosovës", thotë ai.
"Serbia duhet të pranojë se kanë kaluar 8 vjet, gjatë të cilave ata nuk kanë patur kurrfarë pushteti mbi Kosovën. Situata tash nuk është e atillë, që ata realisht të mund të presin Kosova të kthehet nën tutelën e tyre", thotë ai.
Ischinger shpreson se palët do të arrijnë një marrëveshje deri më 10 dhjetor. Por ai është edhe realist. "Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është mundësi reale", thotë Ishinger.
XS
SM
MD
LG