Ndërlidhjet

YAD VASHEM NDERON MYSLIMANËT QË SHPËTUAN HEBRENJTË NGA NAZISTËT


“Jerusalem Post”

Për herë të parë, Yad Vashem, ceremonia zyrtare e Izraelit në përkujtim të viktimave të Holokaustit, do të inaugurojë një ekspozitë, gjatë kësaj jave, në shenjë nderimi për myslimanët, të cilët kanë shpëtuar hebrenj nga Holokausti. Ekspozita, e cila hapet këtë të enjte, do të përqendrohet në dhjetëra shqiptarë myslimanë, të cilët kanë rrezikuar jetën e tyre për t’i shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ekspozita mban titullin: "Besa: Kodi i Nderit – Shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit"; është një koleksion fotografish të realizuara nga fotografi amerikan, Norman Gershman, dhe familjet e atyre që kanë marrë pjesë në shpëtim. Kur Gjermania pushtoi Shqipërinë në vitin 1943, populli shqiptar refuzoi t’i përmbushë kërkesat e nazistëve për të dorëzuar listat me emrat e hebrenjve që jetonin atje. Pothuajse të gjithë hebrenjtë që kanë jetuar brenda kufijve të Shqipërisë gjatë okupimit gjerman, kanë shpëtuar dhe në fakt, në fund të luftës, Shqipëria kishte më shumë hebrenj, se që kishte para fillimit të saj, ka njoftuar Yad Vashem, qendra zyrtare e përkujtimit të Holokaustit. "Rrëfimi i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, ku një komb i tërë, qoftë në qeveri apo në popullatë, ka vepruar bashkërisht për t’i shpëtuar hebrenjtë, është një rrëfim i papërshkrueshëm", ka thënë kuratori i ekspozitës, Yehudit Shendar. "Shumica, nëse jo të gjithë, kanë qenë të ndikuar rëndë nga zgjedhja e tyre mbi Islamin, por ky rrëfim, shumë njerëzor, i treguar nëpërmjet portreteve të ndjeshme në këtë ekspozitë, ndriçon një aspekt jo shumë të njohur, por të jashtëzakonshëm të Holokaustit", ka thënë zoti Shendar. "Ky rrëfim është publikuar shumë rrallë", thotë i mbijetuari 74 vjeçar i Holokaustit, Yaacov Altarat nga Tel Avivi, i cili kishte ikur në Shqipëri së bashku me prindërit e tij më 1941, ku edhe ka gjetur strehim gjatë gjithë luftës. Enver Ali Sheqeri, i biri i Ali Sheqer Pashkajt, fotografia e të cilit është ekspozuar, ka përshkruar të atin si një "mysliman të devotshëm, i cili ka besuar se të shpëtosh një jetë, të mundëson hyrjen në parajsë". Ekspozita do të jetë e hapur në Yad Vashem për dy muaj dhe pastaj do të udhëtojë për në New York, për t'u prezantuar në selinë e Kombeve të Bashkuara më 27 Janar, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Deri më tash, 22 mijë johebrenj kanë marrë çmimin më të lartë nga Yad Vashem që nga viti 1963, në mesin e tyre 63 janë kryesisht myslimanë nga Shqipëria.

XS
SM
MD
LG