Ndërlidhjet

(S’) KA MUNDËSI PËR RRITJEN E PENSIONEVE


Nadie Ahmeti

Rritja e pensioneve për kosovarët vështirë se do të arrihet me buxhetin e konsoliduar të Kosovës, pavarësisht premtimeve të përfaqësuesve të partitive politike, se nëse fitojnë zgjedhjet, do t’i rrisin pensionet. Kështu thonë zyrtarë të institucioneve dhe ekspertë për çështje ekonomike, duke shtuar se një gjë e tillë kërkon angazhim dhe menaxhim të duhur të buxhetit, gjë e cila, deri më tani, nuk ka ndodhur. Muhamet Mustafa, udhëheqës i Institutit për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST, thotë se buxheti i konsoliduar i Kosovës nuk ka shumë hapësirë për t’i realizuar premtimet e partive politike, pa i dëmtuar sektorët tjerë. “Shikuar nga perspektiva e tashme, premtimet e partive politike që do t’i dyfishojnë pensionet, nuk mund të realizohen pa një dëmtim të sektorëve të tjerë, siç është edukimi, shëndetësia, ndërtimi i rrugëve apo i nevojave për të cilat përdorët buxheti i Kosovës”, shprehet Mustafa. Ndërkaq, Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se me gjithë vështirësitë e mëdha për rritjen e pensioneve, me një menaxhim më efikas mund të bëhet një rritje simbolike, por jo rritje edhe qind për qind, siç po premtojnë partitë politike. Ai thotë se, deri më tani, partitë politike nuk kanë prezantuar ndonjë analizë, se në çfarë mënyre do t’i sigurojnë mjetet për realizimin e premtimeve të tyre. “Me buxhetin që është aktual, këto paga ndoshta do të duhej të rriten në një përqindje, por jo në një përqindje, siç po dëgjoj, qind për qind, sepse nuk është bërë një analizë më e thuktë, të shikohet se a mund të bëhet kjo”, thotë Shahini. Pretimeve të partive politike se do të përmirësojnë gjendjen e pensionistëve kosovarë, nuk u besojnë as vetë pensionistët. Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, thotë se partitë politike në çdo fushatë elektorale premtojnë gjëra të tilla, të cilat asnjëherë deri më tani nuk janë përmbushur. “Të njëjtat subjekte që sot premtojnë e që kanë premtuar prej vitit 2001 e këndej”, thotë Fehmiu. Ndryshe, 63 milionë euro është shuma që Qeveria e Kosovës ka ndarë vetëm për këtë vit për pensionet bazë. Ndërkaq, për një rritje simbolike dhe jo për ta dyfishuar këtë shumë, Muhamet Mustafa, zgjidhjen e vetme e sheh tek privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. “Unë mendoj se zgjidhet qëndrojnë tek procesi i privatizimit, ku do të duhej të rezervohej një sasi e mjeteve nga shitja e aseteve, për disa intervenime edhe për pensionistët. Nuk ka asnjë arsye që pensionistët të përjashtohen nga procesi i privatizimit, sepse pikërisht pensionistët kanë kontribuar në ndërtimin e atyre aseteve”, thekson Mustafa. Ndërkaq, Agim Shahini thotë se një gjë e tillë mund të arrihet me një menaxhim më të mirë të buxhetit nga Qeveria e Kosovës. “Ministria e Ekonomisë dhe Financave duhet të jetë më efikase në mbledhjet e tyre, sepse tash, në Kosovë, bëhet një invazion fiskal në disa pika kufitare. Dhe, po të parandalohej kjo, besoj se këto do ta arrijnë përqindjen që duhet të rriten pagat”, vlerëson Shahini. Drejtori i Buxhetit të Kosovës, Agim Krasniqi, ndërkaq thotë se pavarësisht premtimeve të partive politike, me buxhetin aktual dhe në bazë të planifikimeve të buxhetit për vitin e ardhshëm, rritja e pensioneve bazë do të jetë e pamundur. Ai, megjithatë, thotë se për vitin e ardhshëm është paraparë që të ketë një rritje prej 14 milionë eurosh, por vetëm për pensionistët kontributdhënës, ndërkaq pensionet e pleqërisë prapë do të mbesin 40 euro në muaj. “Unë nuk besoj se ka mundësi që të rriten pensionet qind për qind. E vetmja mënyrë është që të ndërrohen në mënyrë rapide politikat e Qeverisë, të shkurtohen shumë politikat e tanishme, që të bëhet kjo qind për qind”, thekson Krasniqi. Sidoqoftë, shuma e buxhetit të konsoliduar të Kosovës për këtë vit është 717 milionë euro, ndërkaq, për vitin tjetër, kjo shumë pritet të arrijë në më shumë se 1 miliard euro.


XS
SM
MD
LG