Ndërlidhjet

A EKZISTON RREZIKU I VAKUUMIT INSTITUCIONAL PAS ZGJEDHJEVE?


Arton Konushevci

Institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e 17 nëntorit do të kenë një rëndësi të veçantë, pikërisht për shkak të zhvillimeve rreth përcaktimit të statusit përfundimtar. Kështu pohojnë profesorë dhe analistë, të cilët mendojnë se pikërisht për këtë arsye nuk duhet lejuar, në asnjë mënyrë, ndonjë vakuum institucional. Ata madje mendojnë se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet edhe para afatit ligjor prej 30 ditësh pas përfundimit të zgjedhjeve, për të mundësuar edhe formimin e Qeverisë. Arsim Bajrami, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, megjithatë thotë se mandati i Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë deri në formimin e Kuvendit të ri, prandaj edhe nuk mund të ketë vakuum institucional në aspektin ligjor. “Kjo siguron që edhe pas zgjedhjeve të 17 nëntorit, të ketë një kontinuitet të veprimit të Kuvendit dhe të Qeverisë. Natyrisht, presidenti ka një mandat të shkëputur nga Kuvendi, kështu që, në pikëpamje legale, nuk duhet të ketë vakuum, sepse Kuvendi do të jetë i konvokuar gjithë kohen, derisa nuk bëhet konstituimi i Kuvendit të ri. Natyrisht, për shkak të legjitimitetit, do të kërkohet që konstituimi i organeve që dalin prej zgjedhjeve, të bëhet në një afat optimal, pra të mos pritet afati, por të bëhet sa më shpejt”, thotë Bajrami. Edhe Qerim Qerimi, ligjërues në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, beson se nuk do të këtë ndonjë vakuum institucional pas zgjedhjeve. “Nuk duket se do të mbetemi në ndonjë vakuum institucional më 10 dhjetor. Sido që të jetë, është tepër e rëndësishme që të jetë një Parlament i ri, një organ legjislativ, i cili do ta plotësonte sadopak ndonjë vakuum të mundshëm institucional. Nëse i kemi zgjedhjet më 17 nëntor, atëherë duket shumë e mundshme që të kemi një Parlament të konstituuar më 10 dhjetor”, pohon Qerimi. Ndryshe, ai mendon se Parlamenti i ri i Kosovës do të mblidhet para datës 10 dhjetor, por sfida, sipas Qerimit, ka të bëjë me formimin e Qeverisë. “Sidoqoftë, unë mendoj se nuk duhet të ketë vakuum, të paktën sa i përket institucionit ligjvënës, pra Parlamentit, në kuptimin që zgjedhjet do të mbahen më 17 nëntor. Sigurisht që do të jetë e mundshme që Parlamenti të mblidhet deri më datën 10 dhjetor, duke pasur parasysh hapësirën kohore në mes 17 nëntorit dhe 10 dhjetorit. Sidoqoftë, e njëjta gjë nuk mund të vlejë në mënyrë automatike për Qeverinë, pasi që do të duhen negociata në mes të partnerëve të ardhshëm të mundshëm. Dhe kjo varet krejt prej asaj se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve”, thotë Qerimi. Kuvendi i Kosovës, kohë më parë, ka sjellë një vendim, nëpërmjet të cilit është vënë baza ligjore për vazhdimin e mandatit të përbërjes aktuale të këtij Kuvendi, deri në konstituimin e ri. Në rast të ndonjë vonese të mundshme, legjislatura e vjetër do të veprojë dhe ajo mund të marrë vendime në bazë të kompetencave kushtetuese që i ka.
XS
SM
MD
LG