Ndërlidhjet

‘VETËVENDOSJE’ NIS FUSHATËN PËR BOJKOTIM TË ZGJEDHJEVE


Albana Isufi

Përderisa subjektet politike të Kosovës po kërkojnë pandërprerë daljen sa më të madhe të popullatës në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur sot një fushatë kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 nëntorit. Aktivistë të kësaj lëvizjeje kanë shpërndarë fletushka kundër daljes në zgjedhje, në të cilat kanë krahasuar kandidatët për zgjedhje me kukulla, ndërkaq vetë zgjedhjet si votim për ruajtjen e Rezolutës 1244. Aktivisti Glauk Konjufca ka thënë se zgjedhjet e 17 nëntorit janë të kota, që nuk do të sjellin pavarësinë e Kosovës. Ai ka thënë se zgjedhjet nuk do të ndryshojnë asgjë në Kosovë. Për më tepër, sipas Konjufcës, këto zgjedhje janë të dëmshme. “Këto zgjedhje janë të kota dhe për më tepër se kaq, janë të kota dhe të dëmshme. Të kota, sepse në këto zgjedhje mund të votosh vetëm për një pushtet të varur, kurse të dëmshme, sepse nuk mund të votosh për shtetin e pavarur të Kosovës. Këto zgjedhje janë të kota, sepse përmes tyre vetëm mund të ndërrohet mashtruesi dhe e tëra që mund të bëhet është që të ndërrohet gënjeshtari dhe mashtruesi; kurse, janë të dëmshme, sepse janë zgjedhje për t’ia zgjatur jetën pushtetit të padrejtë të UNMIK-ut në Kosovë, pushtet i cili i kontrollon këto institucione, për të cilat duhet të mbahen këto zgjedhje”, tha Konjufca. Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, alternativë të zgjedhjeve e shohin referendumin për pavarësi. “Këto janë zgjedhje për Rezolutën 1244. Në këto zgjedhje nuk mund të votosh kundër Rezolutës 1244. Popullit të Kosovës i duhet një referendum, ku qytetarët e Kosovës mund të votojnë për lirinë e tyre, shtetin e pavarur, kundër Rezolutës 1244. Popullit të Kosovës i duhet një referendum për shkëputje përfundimtare nga Serbia, për të cilën do të vendoste populli dhe vetëm populli i Kosovës”, u shpreh aktivisti Glauk Konjufca. Në Kosovë, tashmë ka filluar fushata zgjedhore 21 ditëshe e subjekteve politike për zgjedhjet e 17 nëntorit, ku do të votohet për deputetë të Parlamentit, delegatë të kuvendeve komunale, si dhe për prefekt të komunave. Ndryshe nga Lëvizja Vetëvendosje që kërkon bojkotim, pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje.
XS
SM
MD
LG