Ndërlidhjet

ANALISTËT: TAKIMI I VJENËS PËRCAKTON KAHUN E ARDHSHËM TË BISEDIMEVE


Bekim Bislimi

Takimi i Vjenës në mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, i katërti me radhë në kuadër të bisedimeve 120 ditëshe me ndërmjetësimin e Treshes nga Grupi i Kontaktit, i cili do të zhvillohet sot, nuk pritet të sjellë rezultate spektakulare. Kështu thonë analistët në Kosovë. Por, sipas tyre, ekzistojnë parashenja se ky takim do ta përcaktojë kahun e dy raundeve të ardhshme të bisedimeve, si dhe do t’i nxjerrë në pah elementet thelbësore që përcaktojnë rezultatet përfundimtare të bisedimeve. Analisti Ilir Dugolli thotë se është shumë pak e besueshme se takimi i sotëm në Vjenë do të sjellë ndonjë përparim ose lëvizje të qëndrimeve të të dyja palëve, por megjithëkëtë, sipas tij, të dyja palët i janë qasur me seriozitet këtij takimi. “Po shihet se të dyja palët po e shohin këtë takim si tejet të rëndësishëm. Madje, serbët, përmes ministrit të tyre, kanë paralajmëruar se është takimi më i rëndësishëm, i cili do ta përcaktojë kahjen e ardhshme. Kështu që ndoshta do të priten shkëndija dhe përkushtim më i madh, për t’i rrëzuar argumentet e palës kundërshtare. Dhe, ndoshta është rasti i fundit për serbët për të dalë me ndonjë ide të re, me ndonjë platformë të re, e cila pastaj do ta vinte paksa në defanzivë, së paku për një kohë, palën kosovare, e ndoshta edhe bashkësinë ndërkombëtare”, shprehet Dugolli. Ndërsa, analisti Migjen Kelmendi thotë se ekzistojnë shenja, se në takimin e sotëm, në Vjenë, mund të shpalohet një dokument i ri, si përpjekje për të dhënë ide konkrete të një përafrimi dhe kompromisi të mundshëm në mes palëve. “Ka për t’u shpaluar dhe të dy delegacionet kanë për t’u vënë para një situate, ku duhet ta shprehin vetëdijen e tyre për kompromisin, duhet ta shprehin gatishmërinë e tyre për kompromisin. Dhe, nga pozicionimi i tyre, në raport me këtë propozim të pritur, po pres që ka për t’u krijuar një opinion i përgjithshëm, se cila palë, në esencë, është kundër kompromisit dhe cila, eventualisht, është e gatshme për kompromis dhe në njëfarë mënyre e fiton simpatinë e bashkësisë ndërkombëtare. Kam frikë se pala shqiptare do të jetë ajo që kësaj radhe do ta rrezikojë simpatinë e bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Kelmendi. Në anën tjetër, afati 120 ditësh i bisedimeve në mes palës kosovare dhe asaj serbe po i afrohet fundit dhe në takimet që kanë mbetur pritet të dominojnë tonet e ashpra nga të dyja palët, pohojnë këta analistë. Analisti Dugolli thekson se duke u nisur nga pozicionimi i ngurtë i të dyja palëve, gjasat për t’u arritur kompromis në mes tyre, pothuajse nuk ekzistojnë, prandaj pala kosovare duhet t’i unifikojë qëndrimet e veta, ashtu siç është edhe duke deklaruar, si dhe ta shtojë presionin mbi faktorin ndërkombëtarë. “Të ushtrojnë trysni në qendrat ndërkombëtare, që ta plasojnë agjendën e tyre të saktë kohore se kur do ta shpallin pavarësinë, që të mos lëvizin nga ajo, si dhe të jenë të gatshëm që ndoshta një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare ta vënë para aktit të kryer. Këto janë disa nga gjërat, si të them, fillestare, të cilat duhet t’i kenë në mend. Serbët tani dëshirojnë që të rrjedhë ky proces dhe ta shfrytëzojnë atë duke lënë përshtypje se ndoshta ka ndonjë shkëndijë shprese për bisedime, në mënyrë që mandej të mund të vazhdohet edhe më tej dhe në këtë mënyrë të mund të blejnë kohë”, thotë Dugolli. Ndërkaq, analisti Kelmendi shpreh mendimin se takimi i sotëm në Vjenë pritet të jetë momenti, ku, siç thotë ai, do të thyhen shtizat në mes palëve në bisedime, por moslëshimi pe nga të dyja palët çon drejt rrugës, të cilën kosovarët tashmë e kanë paralajmëruar, e kjo është shpallja e njëanshme e pavarësisë pas 10 dhjetorit. Por, sipas tij, pala kosovare duhet ta kuptojë seriozisht porosinë e përfaqësuesit evropian në Treshen ndërmjetësuese, zotit Ischinger. “...i cili thotë ‘merrini shumë seriozisht këto negociata. Këto nuk janë vetëm një paralojë e një dështimi. Këto negociata janë shumë domethënëse dhe shumë substanciale dhe nga këto do të varet edhe mënyra e procedimit të mëtejmë të krejt procesit politik’. Kjo fjali, kjo këshillë, e cila disi po qëndron mbi tërë procesin, nuk duhet të nënçmohet dhe duhet të merret me tërë seriozitetin e duhur, sepse me faktin që këto janë negociata, ato duhet të përfundojnë me një kompromis, ose, natyrisht, mund të përfundojnë edhe me dështim të plotë. Por, se kush do të dalë fitues nga e gjithë kjo, nuk është e lehtë të mendohet dhe nuk është e lehtë të parashikohet”, thekson Kelmendi.
XS
SM
MD
LG