Ndërlidhjet

ISUFI:”ËSHTË HARRUAR PAKSA ÇËSHTJA E STATUSIT TË KOSOVËS”


Ahmet ISUFI, nënkryetar i AAK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Isufi, partia juaj drejton Qeverinë e Kosovës tash e tre vjet me radhë, ndërsa ishte pjesë e qeverisjes edhe më herët. Vlerësimet për qeverisjen e partisë suaj kanë qenë nga më të ndryshmet. Si do ta vlerësonit ju?

AHMET ISUFI
Ne vlerësojmë se aktiviteti ynë në të gjitha qeveritë e pasluftës, tregon se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është një parti politike, e cila në fokus ka angazhimin e saj drejt formimit dhe rritjes së nivelit të institucioneve të Kosovës. Duke qenë se Kosova ende nuk është shtet, jemi fokusuar shumë që të jemi pjesëmarrës në Qeverinë e Kosovës, duke dhënë kontributin e madh, edhe politik, por edhe në ngritjen e vlerës sonë, të shtetit të Kosovës. Angazhimi ka qenë permanent në këtë rrugë dhe mendojmë se jemi më praktikë se shumë parti të tjera, për arsye se e shohim veprimin tonë në kualitetin e Kosovës si parti politike, e cila është në ngritje e sipër, në prosperim dhe po ashtu ka vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë domethënieje ka mungesa e kryetarit të partisë suaj, Ramush Haradinaj, në këtë periudhë?

AHMET ISUFI
Zoti Haradinaj, sot, na mungon fizikisht në Kosovë, por ne udhëhiqemi nga parimi që ka përcaktuar zoti Haradinaj si parti politike dhe po ashtu ecim me vizionin e tij, duke e përmbushur programin, të cilin e kemi krijuar edhe për fushatën zgjedhore. Ne besojmë se zoti Haradinaj do të lirohet së shpejti dhe do të na bashkohet në këtë rrugë, për të qenë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, sepse e ka dhënë provën se është kryeministër i pazëvendësueshëm për Kosovën. Prandaj, ne po angazhohemi fuqishëm, si ekip në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, që ta mundësojmë kthimin e tij sa më të shpejtë dhe besojmë në drejtësinë ndërkombëtare që tani do të vendosë se Kosova, në fakt, ka bërë një luftë të drejtë. Dhe, po ashtu, me zotin Haradinaj e dimë që perspektiva e Kosovës është shumë e ndritshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Për arsye krejt të ndryshme dhe në rrethana krejt të ndryshme, ju keni ndërruar tre kryeministra në tre vjet. A është kjo pengesë për ju, për partinë tuaj dhe për garën në këtë fushatë parazgjedhore?

AHMET ISUFI
Hapi i parë që është bërë në ndërprerjen e punës së kryeministrit Haradinaj, ka qenë një pengesë e madhe jo vetëm për ne si parti politike, por edhe për Kosovën në tërësi dhe këtë e ka ndjerë opinioni i Kosovës. Madje, edhe deklarimet e bashkësisë ndërkombëtare, që funksionon në Kosovë, rreth zotit Haradinaj, kanë treguar se ai ka pasur një autoritet të fuqishëm brenda Kosovës, e po ashtu edhe në marrëdhënie me ndërkombëtarët. Pengesa që është bërë ka ndikuar që edhe kryeministrat tjerë të jenë vazhdues të rrugës së zotit Haradinaj, por, megjithatë, me vetë faktin se është ndërprerë procesi, ka bërë një ulje të intensitetit të veprimit në Qeverinë e Kosovës. Megjithatë, me kryeministrat që kanë vepruar deri tani, kemi një stabilitet në funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe po ashtu koalicioni që ka ekzistuar, ka treguar që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është partner shumë i fuqishëm kur lidhet me dikë në marrëdhënie për ta krijuar shtetin.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve në këtë periudhë, për shkak të zhvillimeve rreth statusit. A mendoni se po e pengon procesi i zgjedhjeve atë të statusit politik?

AHMET ISUFI
Ne kemi kërkuar një mirëkuptim nga partitë politike në Kosovë, për të pasur një qasje të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe përsëri për ne mbetet prioritet statusi i Kosovës, për arsye se çështje kapitale e konsiderojmë pavarësinë e vendit. Duke qenë se kemi kërkuar që të ketë një marrëveshje mes partive politike për ta qitur në plan të parë statusin e Kosovës, e kemi parë se marrja me zgjedhjet e liderëve që janë në Grupin e Unitetit dhe po ashtu fokusimi i partive politike jo drejt statusit, por drejt votës, ka mundësi të shmangies së interesimit nga pozicioni i zgjidhjes së statusit të Kosovës. Prandaj, si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, konsiderojmë se kemi pasur të drejtë, për arsye se, ditëve të fundit, ju po e shihni që kemi një angazhim të të gjithë kapitalit politik në Kosovë drejt votës dhe është harruar paksa çështja e statusit të Kosovës. Konsiderojmë se Grupi i Unitetit, edhe kur po shkon në takime, po shkon sa për të qenë prezent, por do të ishte mirë sikur Grupi i Unitetit të ishte i fokusuar i tëri në çështjen e statusit të Kosovës dhe decidivisht të ishte i përqendruar në zhvillimin e bisedimeve me bashkësinë ndërkombëtare, në këtë rast, për ta përforcuar pozicionin e vet. Konsiderojmë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë pengesë të madhe në këtë drejtim, megjithatë angazhim i yni do të jetë përsëri që përmes kryeministrit Çeku, i cili nuk është në listën votuese, me të cilin kemi një marrëveshje për të mos qenë kandidat në listë, që të shkojmë drejt zgjidhjes së statusit të Kosovës si një kuadër që sot, përmes Qeverisë, përfaqëson interesat e qytetarëve të Kosovës.

INTERVISTOI: ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG