Ndërlidhjet

SURROI:”ÇËSHTJA E PARË ËSHTË QË NE TË PËRCAKTOJMË DATËN E PAVARËSISË SONË”


Veton SURROI, kryetar i Partisë Reformiste Ora

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, çfarë ofron partia juaj më shumë se ç’kanë ofruar partitë tjera që tani janë në qeverisje?

VETON SURROI
Ne po ofrojmë një program të matshëm, konkret, për transformimin ekonomik dhe politik të vendit, në mënyrë që të funksionojë si shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia Reformiste Ora deri më tani ka qenë në opozitë. Si e shihni ju rolin tuaj si opozitë kundruall çështjeve, që në njëfarë forme, nga partitë opozitare janë quajtur si dështime të qeverisjes aktuale?

VETON SURROI
Ne kemi qenë e vetmja parti, e cila ka ngritur edhe propozime konkrete, edhe vlerësim konkret të gjendjes. Kështu që kemi tërhequr vërejtjen që nga fillimi, se ekziston një mungesë e një plani zhvillimor dhe se mungon jo vetëm vizioni i ndërtimit, por mungojnë edhe hapat konkretë operativë se çfarë do të bëjë Qeveria. Dhe, kur kthehet njeriu mbrapa dhe sheh se çfarë ka ndodhur për këto tre vjet, sheh se fundamentalisht asgjë nuk ka ndryshuar në formën se si funksionon ky vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të bëni ju për të ndryshuar?

VETON SURROI
Nëse jemi pjesë e qeverisjes, nëse programi ynë është ai i cili duhet ta udhëhiqte Qeverinë e Kosovës, atëherë do ta vinim theksin mbi zhvillimin ekonomik, formimin e fondit zhvillimor prej 500 milionë eurosh, shpërndarjen e letrave me vlerë për ndërmarrjet publike, në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë pronarë të ndërmarrjeve. Dhe, në këtë drejtim, do të fusnim krijimin e bursës, kapitalizmin e ndërmarrjeve të tanishme të privatizuara, të cilave u nevojitet përkrahje financiare për të punësuar më shumë njerëz. Do me thënë, theksi do të ishte në ekonomi, në hapjen e vendeve të reja të punës, në ciklin e ri investiv. Kosova ka nevojë për një cikël të ri investiv.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të mund të arriheshin këto brenda një mandati qeverisës?

VETON SURROI
Po, absolutisht do të duhej të mbërriheshin. Nuk ka kurrfarë arsyeje pse të zvarritet çështja e formimit të fondit; paratë janë. Nuk ka arsye pse të zvarritet konceptualisht themelimi i ndërmarrjeve publike si shoqëri aksionare, ku pronarët do të jenë të qartë, publikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i zgjedhjeve po përkon edhe me atë të përcaktimit të statusit final. Sa mendoni se ekziston një rrezik i vakuumit institucional në këtë periudhë?

VETON SURROI
Ne, të gjithë faktorët relevantë në këtë shoqëri, do të përpiqemi që të mos ketë zbraztësi, që menjëherë pas zgjedhjeve të mbërrihet formimi i Parlamentit, menjëherë pas certifikimit; dhe, natyrisht, formimi i ekzekutivit pas rezultateve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, së bashku me anëtarët tjerë të Ekipit të Unitetit, në javën që po lëmë pas, përveç negociatave për statusin në Vjenë, kishit takime në disa kryeqytete evropiane. Ndërkohë, ju edhe më tej insistoni që pavarësia duhet shpallur para Kërshëndellave. Sa mendoni se një hap i tillë do ta gëzojë mbështetjen e fuqive perëndimore?

VETON SURROI
Unë mendoj se ajo që duhet bërë Kuvendi i Kosovës, i zgjedhur pas zgjedhjeve të 17 nëntorit, është që në mbledhjen e parë, para Kërshëndellave, të informojë bashkësinë ndërkombëtare, partnerët tanë perëndimorë se çka kemi ndërmend të bëjmë. Çështja e parë është që të përcaktojmë ne datën e pavarësisë sonë. Së dyti, t’i informojmë për rrjedhën e adoptimit të legjislacionit tonë, duke përfshirë në radhë të parë Kushtetutën, dhe pastaj për hapat që kanë të bëjnë me njohjen e vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, ka zëra që thonë se për shkak të procedurave burokratike në Kombet e Bashkuara dhe festave të fundvitit, çështja e zgjidhjes së statusit mund të shtyhet për vitin e ardhshëm...

VETON SURROI
Unë po them se çka unë mendoj se do të duhej bërë. Kuvendi i Kosovës ka një obligim ta përmbushë para popullit të vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni rrjedhën e deritashme të fushatës elektorale, meqë dihet se para se të fillojë fushata, partitë politike kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në mes vete?

VETON SURROI
Unë mendoj se zgjedhjet po kalojnë krejtësisht në rregull. Partitë po shpjegojnë programin e tyre. Ekziston një frymë tolerante dhe shpresoj që kjo frymë të mbizotërojë deri në fund. Unë mendoj se të gjitha partitë duhet të dërgojnë një mesazh, një mesazh të bashkuar, se të gjithë qytetarët duhet të dalin në zgjedhje, sepse këto zgjedhje nuk janë vetëm zgjedhja e pushtetit të ardhshëm, që ka një domethënie të madhe, por njëkohësisht janë edhe një shenjë bashkësisë ndërkombëtare, se jemi një popull i pjekur, i cili krahas përcaktimit të statusit, mund të përcaktojë edhe udhëheqjen e vet, qoftë në nivel komunal, qoftë në nivel qendror.

INTERVISTOI: ALBANA ISUFI
XS
SM
MD
LG