Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS KRITIKOJNË BEOGRADIN PËR POLITIKË AMBIVALENTE


Albana Isufi

Partitë politike serbe, që tashmë kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të 17 nëntorit, konsiderojnë se pjesëmarrja është jetike për serbët, kthimin, mbetjen e tyre në Kosovë, si dhe për vetë mirëqenien e tyre. Në anën tjetër, përfaqësuesit serbë që nuk do të jenë pjesë e procesit zgjedhor, thonë se pjesëmarrja në zgjedhje dëmton interesat e komunitetit serb të Kosovës. Por, në një debat të organizuar nga Qendra e Mediave në Çagllavicë, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka siguruar serbët se pjesëmarrja në zgjedhje është në interes të tyre. “Është si në një lojë futbolli; nëse rri jashtë fushës, nuk mund të ndikosh rezultatin. Për këtë, duhet të luani, të merrni pjesë. Sikur e dini, i tërë komuniteti ndërkombëtar po ju kërkon të merrni pjesë në zgjedhje. E di se ka pasur thirrje për bojkotim, e di se ka pasur kërcënime dhe frikësime në ditët e fundit dhe duhet t’i marrim këto me seriozitet. Ne do t’u ndihmojmë të gjithë atyre që duan të votojnë”, tha Ruecker. Edhe shefi i Zyrës Britanike në Prishtinë, David Blunt, ka kërkuar nga serbët që të dalin në zgjedhje, në mënyrë që t’i ndihmojnë pikë së pari vetvetes. “Duke mos marrë pjesë në zgjedhje, nuk më dëmtoni mua, nuk e dëmtoni komunitetin ndërkombëtar, nuk i dëmtoni shqiptarët e Kosovës. Dëmin e vetëm ia shkaktoni vetes. Është interesi juaj, që po e rrezikoni duke mos marrë pjesë në këto zgjedhje. Prandaj, ju kërkoj që të merrni pjesë në zgjedhje”, u shpreh Blunt. Por, Dragan Veliq, nga Këshilli Nacional Serb, mendon të kundërtën. Ai thotë se me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 17 nëntorit, interesat serbe do të dëmtohen. Ai kritikon komunitetin ndërkombëtar për moskonsultim me serbët për kohën e zgjedhjeve, që, sipas tij, nuk është e përshtatshme për shkak të procesit të statusit. “Zgjedhjet në Kosovë, ku do të marrin pjesë një numër i madh i partive, nuk do të thonë asgjë tjetër veçse shkatërrim i qenies kombëtare serbe, e cila edhe ashtu është shkatërruar, pasi që edhe përkundër thirrjes së institucioneve të Serbisë që të mos dilet në zgjedhje, do të ketë pjesëmarrje të vogël, por nuk do të mund të bëhet asgjë për komunitetin tonë. Prandaj, edhe nuk e shoh kuptimin e ftesës për të dalë dhe marrë pjesë në zgjedhje”, tha Veliq. Por, politikanët serbë që tashmë kanë vendosur të garojnë në zgjedhjet e 17 nëntorit, paraqesin arsyet e tyre pse nuk duhet bojkotuar zgjedhjet. Në të njëjtën kohë, ata kritikojnë Beogradin, i cili bën thirrje për bojkot. Mihajllo Shqepanoviq, nga Partia Popullore Serbe, thotë se më nuk duhet humbur mundësitë. “Te ne në PPS, askush nuk ka dilemë nëse duhet dalë ose jo në zgjedhje. Zoti Veliq i tha një mijë arsye se pse nuk duhet dalë në zgjedhje, e ne i kemi një mijë arsye pse duhet dalë në zgjedhje. Konsiderojmë se jemi shumë të vegjël për të ndikuar në statusin e Kosovës, por mjaft të mëdhenj për të vendosur për jetën në vendet ku jetojmë. Më 2001 dhe më 2004 kemi dëgjuar porositë që të dalim në zgjedhje, kemi pasur përfaqësues që nuk kanë bërë asgjë. Tash është viti 2007 dhe nëse e humbim këtë rast, në 4 vjetët e ardhshme nuk duam që të na përfaqësojnë njerëzit, që nuk kanë kurrfarë kredibiliteti të popullit të tyre”, ka thënë Shqepanoviq. Radomir Dimiq, nga Partia Serbe e Kosovës e Metohisë, kritikon, siç e quan ai, politikën ambivalente të Beogradit. “Duhet thënë hapur se në këto shtatë vjet jemi ballafaquar me një politikë ambivalente të Beogradit, në stilin – dua, nuk dua. Më 2001 e 2004, na thanë ‘dilni në zgjedhje’, tani thonë ‘jo, mos dilni’. Ne duam të dëgjojmë se çfarë porosie po na dërgoni këtyre ditëve. A është diçka e fshehtë që do të ndodhë më 10 dhjetor, se pritet ndonjë pavarësi, e ne këtë nuk e dimë. Por, unë mendoj se me daljen tonë në zgjedhje, ne nuk i japim legjitimitet kurrfarë pavarësie, por ne dalim në zgjedhje për të zgjidhur çështjet themelore dhe problemet ekzistenciale, sepse Koshtunica e Tadiqi nuk do të na i zgjidhin problemet tona të pronës, ujit, kanalizimit, por ato duhet t’i zgjidhim vetë, me qytetarët tjerë të Kosovës”, tha Dimiq. Ndërsa, Nenad Rasiq, nga Partia Liberale Serbe, ka kritikuar Qeverinë e Beogradit se nuk po komunikon sa duhet me serbët e Kosovës, duke i lënë ata peng të politikës që po e udhëheq vetë. “Qeveria serbe, për arsye teknike, vonohet në thirrjen për bojkot. Porosia për bojkotim ka ardhur tek pasi që janë dorëzuar listat. Kjo nënkupton se po qe se ne do të prisnim, nuk do t’i dorëzonim listat dhe nëse nuk do të kishte thirrje për bojkot, atëherë nuk do të mund të dilnim në zgjedhje. Çështja tjetër është se do të duhet mbajtur ndonjë mbledhje prej përfaqësuesve të Qeverisë serbe, për të na shpjeguar se pse serbët nuk duhet të dalin në zgjedhje. Me një politikë të tillë, ne as që jemi dëgjuar. Nuk jemi 5 njerëz, jemi mijëra njerëz, dhe dikush duhet të pyesë për këta mijëra njerëz. Unë nuk kuptoj se si mund të luftosh në një botë demokratike, nëse nuk merr pjesë në zgjedhje. Nëse serbët nuk dalin në zgjedhje, do të rrezikohet mbetja e tyre në Kosovë”, u shpreh Rasiq. Ngjashëm, edhe ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Branisllav Gërbiq, ka kërkuar daljen në zgjedhje, duke porositur serbët që ta kuptojnë realitetin e krijuar në Kosovë. Ndërsa, Sllavisha Petkoviq, i Partisë Demokratike Serbe, ka përsëritur se do të marrë pjesë në zgjedhje, vetëm nëse shqiptarët heqin dorë nga shpallja e pavarësisë pas 10 dhjetorit.
XS
SM
MD
LG