Ndërlidhjet

PAKICAT JOSERBE DHE ZGJEDHJET E 17 NËNTORIT


Nadie Ahmeti

Shkalla e lartë e papunësisë, niveli i ultë i arsimimit dhe gjendja e rëndë socio- ekonomike, janë problemet me të cilat përballen edhe komunitetet pakicë në Kosovë. Përfaqësuesit e tyre politikë thonë se këto probleme të pakicave joserbe ka mundësi të zgjidhen pas votimeve të së shtunës. Mahir Yagcilar, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, thotë se pas zgjedhjeve, kjo parti pret pjesëmarrje më të madhe të deputetëve turq në Kuvendin e Kosovës, të cilët do të ngrenë zërin për zvogëlimin e problemeve të këtij komuniteti. “Dëshirojmë vite më të mira dhe përmirësim të situatës, sidomos në arsimim dhe punësim. Shembull: në arsimim, ne nuk i kemi të gjitha librat; në punësim, gjithashtu kemi shumë vështirësi”, thotë Yagcilar. Ndërkaq, Besim Limani, sekretar në Partinë Demokratike të Ashkalinjëve të Kosovës, thotë se një përmirësim i mundshëm, në mandatin e ardhshëm qeverisës, do të ndodhë në sistemin e arsimit dhe në rritjen e numrit të të punësuarve të këtij komuniteti. “Partia jonë pas zgjedhjeve të ditës së shtunë, pret një përmirësim në jetën e ashkalinjëve, që do të thotë se vota e tyre e lirë do të përcaktojë personin e duhur të tyre, që të jetë pjesë e Parlamentit të Kosovës. Pas zgjedhjeve do të përmirësohet gjendja ekonomike, duke shpresuar se do të ketë punësim të duhur, që disa të kenë gjendje më të mirë e mos të jenë në asistencë sociale, pasi që 90 për qind e komunitetit tonë është në asistencë sociale”, pohon Limani. Albert Gjinolli, nënkryetar i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, thotë se zgjedhjet e sivjetme për komunitetin rom, janë historike. Ai thotë se pas zgjedhjeve të 17 nëntorit do të zgjidhet edhe çështja e statusit politik të Kosovës, çka, sipas tij, këtë komunitet e bën optimist, se në periudhën e ardhshme do të ketë përmirësim në mirëqenien e tyre. “Fuqimisht besojmë se pas zgjedhjeve të 17 nëntorit do të vijë edhe pavarësia, do të lajmërohen edhe investitorët e interesuar në Kosovë, do të hapen vende të reja të punës. Do të mundohemi që ta zbusim papunësinë, sepse shumica e popullatës është në gjendje të mjerueshme”, shprehet Gjinolli. Pas zgjedhjeve të përgjithshme do të përmirësohet edhe jeta e komunitetit egjiptas, thotë Bislim Hoti, nënkryetar i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës. Ai shpreson se pas zgjedhjeve të së shtunës, do të zbatohen projektet e kësaj iniciative, që për qëllim kanë përmirësimin e mirëqenies së komunitetit egjiptas. “Si subjekt politik, ne nuk synojmë marrjen e pushtetit qendror, as të pushtetit lokal, por synojmë që të zbatohen të gjitha programet tona, në të mirë të komunitet në arsim, në asistencë sociale, në strehim“, thotë Hoti. Partia e Aksionit Demokratik të Kosovës, sipas liderit të saj, Numan Baliq, në këto zgjedhje del tërësisht e konsoliduar, e gatshme që mbi vete të marrë fatin e bashkësisë boshnjake në Kosovë. “Ne presim që Partia e Aksionit Demokratik të jetë lider në bashkësinë kombëtare boshnjako-gorane. Kemi për qëllim që në Kuvendin e Kosovës ta krijojmë grupin për barazi, ku do të veprojmë unikë, në mbrojtjen e të drejtave tona”, thotë Baliq. Ndryshe, sipas Kornizës Kushtetuese, përfaqësues të subjekteve politike joserbe i kanë të rezervuara dhjetë vende për deputetë në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht nga fakti nëse arrijnë të fitojnë të drejtën për pjesëmarrje në Kuvend.
XS
SM
MD
LG