Ndërlidhjet

HESHTJA E GRAVE NË FUSHATËN PARAZGJEDHORE


Nadie Ahmeti

Në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e së shtunës, grave deputete nuk u është lënë hapësirë për t’u paraqitur para elektoratit, e madje edhe në media, hapësira që u është kushtuar, ka qenë e kufizuar. Kështu thonë vetë gratë, të cilat janë kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës. Sanije Zeqiraj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se në këtë mënyrë është bërë shkelje e të drejtave të grave. Ajo thotë se programin e LDK-së, para elektoratit e kanë shpalosur vetëm strukturat më të larta të partisë. “Prezantimi i grave, ose shpalosja e programit të grave në LDK, ka munguar, sepse atë hapësirë e kanë shfrytëzuar krerët e partive dhe disa anëtarë të kryesisë, që kanë menduar se vetëm ata janë meritorë për t’i përfaqësuar programet e LDK-së”, thotë Zeqiraj. Mimoza Ahmetaj, kandidate për Kuvend të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se përfshirja e gruas në këtë fushatë është relative. Ajo pohon se për dallim prej viteve të tjera, pozita e gruas është avancuar deri në një shkallë të caktuar. “Për këtë çështje, ndoshta nuk mund të flitet në mënyrë të përgjithësuar, sepse çdo rast është i veçantë. Ka edhe raste ku pjesëmarrja e gruas synon të jetë funksionale, por ka edhe raste kur përfshirja e saj në zgjedhje përmbush vetëm një detyrim të përcaktuar nga mekanizmat ndërkombëtarë”, thotë Ahmetaj. Egoizmi i njerëzve ka mbizotëruar në fushatën zgjedhore, thotë Zylfie Hundozi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke shtuar se kandidatët meshkuj kanë qenë ata që gjithmonë i janë drejtuar elektoratit. Ajo thotë se ndoshta është edhe mentaliteti i popullatës, që gruaja ende nuk është e zonja të marrë pjesë në pozita vendimmarrëse. “Përkundrazi, në asnjë tubim të madh nuk na e kanë dhënë fjalën. Të rralla kanë qenë rastet kur na kanë dhënë fjalën. Në Prizren, në hapjen e fushatës, kam qenë e paraparë të flas dhe nuk ma dhanë fjalën. Jo vetëm me mua, por situatë e njëjtë ka qenë edhe me koleget tjera, sepse kemi shkuar bashkë nëpër fushata”, tha Hundozi. Me gjithë faktin se të gjitha partitë politike në fokus të programeve të tyre kanë avancimin e pozitës së femrave, në fushatën zgjedhore është treguar e kundërta, pohon Teuta Sahatçiu, nga Partia Reformiste Ora, njëherësh edhe kandidate për kryetare të Komunës së Gjakovës. Ajo thotë se me gjithë pjesëmarrjen e vogël të femrave në fushatë, një hapësirë shumë të vogël i kanë kushtuar edhe mediat elektronike dhe të shkruara. “Sidomos në televizione ka pasur shumë pak hapësirë; edhe në gazeta, kryetarët e partive kanë dalë më së shpeshti, ndërkaq femrat janë parë në prapavijë, apo ndonjëherë si dekor. Mendoj se ka qenë një fushatë, për të cilën duhet me shumë kritikë të flitet pas këtyre zgjedhjeve dhe mos të lejohet një gjë e tillë”, u shpreh Sahatçiu. Ndryshe, edhe përfaqësuese të organizatave që merren me të drejtat e grave thonë se imazhi i gruas në fushatën zgjedhore ka munguar. Igballe Rugova, kryetare e Rrjetit të Gruas të Kosovës, thotë se përveç kandidimit në listat e partive politike për deputete dhe këshilltare në kuvendet komunale, gratë në fushatë nuk janë përfshirë. “Imazhi i gruas nuk është parë nëpër fushata, sepse gjithmonë kur bëhen fushatat, mendohet vetëm liderët të dalin nëpër fushata”, thotë Rugova. Ndryshe, përfshirja e femrave në institucione është kushtëzuar nga një rregullore e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, sipas së cilës, 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

XS
SM
MD
LG