Ndërlidhjet

PRISHTINË/BEOGRAD


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e hodhi poshtë sot propozimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian në Treshen ndërmjetësuese, Wolfgang Ischinger, për zgjidhjen neutrale të statusit të Kosovës. "Qëndrimi ynë është i njohur. Ne nuk pranojmë asnjë zgjidhje tjetër përveç pavarësisë së Kosovës", tha Sejdiu.
Në Beograd, ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Sllobodan Samarxhiq, tha se Kosova nuk mund të ketë status neutral në raport me Serbinë, sepse ajo është pjesë e pandarë dhe e patjetërsueshme e saj. Samarxhiq tha se ideja e diplomatit gjerman "bazohet në marrëveshjen mes dy Gjermanive të vitit 1972 dhe se kjo ide është në kundërshtim me rezolutën 1244".
Ischinger tha dje se Treshja ndërmjetësuese përgatitet t'u paraqesë palëve propozimin e ri të quajtur "status neutral", që synon normalizimin e marrëdhënieve të Prishtinës dhe Beogradit, pavarësisht se çfarë mund të vendoset sot ose nesër për statusin e Kosovës.
Samarxhiq gjithashtu tha se në takimin e radhës në Bruksel, "Serbia do të arsyetojë se si sot në botë autonomitë substanciale funksionojnë në mënyrë shumë efikase".
XS
SM
MD
LG