Ndërlidhjet

PËRMBYLLET FUSHATA ZGJEDHORE


Arton Konushevci

Në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, në praninë e simpatizantëve të saj, në palestrën sportive ‘1 Tetori’, kryetari i këtij subjekti politik, Fatmir Sejdiu, ka thënë se LDK-ja është ëma e shtetit të Kosovës, ndërsa Ibrahim Rugova - ati i shtetit të Kosovës. “Lidhja Demokratike e Kosovës është ëma e shtetit të Kosovës, ndërsa dr Rugova është themeluesi i shtetit, ati i kombit, në kuptimin politik të fjalës. Është njeriu që do të na mbetet në kujtesë. LDK-ja, me Rugovën në krye, diti më së miri që ta artikulojë fuqishëm të gjithë atë ndjenjë të shqiptarëve në dekadat e kapërcyera për të arritur rrugën e mëvetësisë, të lirisë, të pavarësisë dhe rrugën e demokracisë, që është një moto e përhershme që i ka përcjellë, i përcjell dhe do t’i përcjellë në vazhdimësi shanset themelore që ka Kosova, për lirinë njerëzore, për pavarësinë e gjithmonshme të saj dhe për ardhmërinë e shtetit të Kosovës dhe për demokracinë që do të jetë demokraci për të gjithë. Kosova do të jetë sikurse edhe vendet tjera të demokracisë më të avancuar dhe garantë jemi ne. Garant është LDK-ja, garant është populli i Kosovës”, ka thënë presidenti Sejdiu. Ai është zotuar para adhuruesve të LDK-së se me sukses do t’i realizojë të gjitha premtimet e dhëna. Sejdiu më tej ka shutuar se LDK-ja, me vite të tëra, ka ditur ta orientojë popullin e saj. “LDK-ja arriti që në shpirtin e saj, në palcën e saj, në boshtin e saj kurrizor, të vë tiparet më të rëndësishme të lëvizjeve për liri e pavarësi, që nga Lidhja e Prizrenit dhe të gjitha lidhjet e tjera shqiptare. Prandaj, është besnike e shqiptarëve dhe besnike e Kosovës”, tha presidenti Sejdiu. Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, para simpatizuesve në Prishtinë, ka thënë se më 18 nëntor PDK-ja do të kurorëzohet me fitore dhe se, sipas tij, Kosova ka nevojë për ndryshime. “Kanë mbetur edhe pak orë deri në përfundimin e fushatës zgjedhore. Kanë mbetur edhe pak orë deri në ditën e madhe, ditën e votimit, ditën e ndryshimit, ditën e vendimit, ditën e fitores së madhe të Kosovës, të votimit për Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Thaçi. Ai i ka ftuar qytetarët e Kosovës që të dalin në zgjedhje më 17 nëntor dha ta votojnë PDK-në. “Kanë mbetur edhe pak orë deri te momenti i kthesës së madhe. Prandaj, ju ftoj të gjithëve të flisni me familjet tuaja, me njerëzit tuaj, kolegët, farefisin, njerëzit e lagjes, të fshatit, të qytetit, që të gjithë, masovikisht në kolonë, të dilni të votoni numrin 71, PDK-në”, tha Thaçi.
Partia Reformiste Ora, fushatën zgjedhore e ka përmbyllur në një ambient të hapur në Prishtinë, me një organizim të cilin ata e kanë quajtur ‘Happy End’ të fushatës së tyre. Kryetari i kësaj partie, Veton Surroi, ka thënë se kjo fushatë zgjedhore po përfundon ashtu siç edhe ka filluar, duke dëgjuar qytetarët për problemet që kanë. “Fushata në Prishtinë po përfundon me origjinalitetin me të cilin ka filluar kandidati ynë për kryetar të komunës, zoti Ylber Hysa. E ka filluar këtë fushatë duke treguar se gjërat mund të bëhen dhe mund të bëhen duke dëgjuar qytetarët”, tha Surroi. Po ashtu, sot, edhe Aleanca Kosova e Re ka përmbyllur fushatën e saj elektorale. Kryetari i kësaj partie, Behgjet Pacolli, mes tjerash, para simpatizantëve të partisë së tij, ka thënë se në Kosovë do të vijë mirëqenia dhe prosperiteti. Ai më tej ka shtuar se AKR-ja do ta gjejë korrupsionin dhe do ta luftojë atë, ndërsa ata që merren me të, sipas Pacollit, do të dalin para drejtësisë. “Të nderuar qytetarë, vëllezër dhe motra, jemi këtu për Kosovën. Më 17 nëntor do të votojmë për Kosovën. Do të bëjmë zgjedhjen tonë për Kosovën, do të bëjmë zgjedhjen për fëmijët tanë, për ardhmërinë tonë. E dua Kosovën e pavarur, e dua Kosovën e integruar, e dua Kosovën pa kufij, të hapur e të fortë ekonomike, e dua Kosovën tolerante, e dua Kosovën multietnike. Këtu do të punojmë, këtu do të punojë ardhmëria e Kosovës demokratike. Rroftë Kosova demokratike, rroftë Kosova e pavarur, rrofshin miqtë e Kosovës, rrofshin SHBA-të”, ka thënë Pacolli. Sido që të jetë, në garën e sivjetme zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato të nivelit lokal garojnë gjithsejtë 97 parti politike, kandidatë të pavarur dhe koalicione.

XS
SM
MD
LG