Ndërlidhjet

PËRFUNDOJNË VOTIMET NË KOSOVË


Albana Isufi

Në zgjedhjet e nivelit qendror dhe lokal, sipas të dhënave të OSBE-së, pjesëmarrja e votuesve vlerësohet të jetë mbi 40 për qind. “Pjesëmarrja e sotme ende është në nivel të vlerësimit, por kemi parë se ajo është diku mbi 40 për qind, pasi qendrat e votimit janë në proces të mbylljes dhe ende po marrim të dhëna nga terreni. Vetë procesi i votimit ka qenë shumë i qetë dhe aktivitetet zgjedhore janë kryer në tërë Kosovën”, tha zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lindholm. Ndërkohë, kryeshefi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, theksoi se pavarësisht disa ankesave nga subjekte të ndryshme politike, procesi zgjedhor në përgjithësi ka kaluar i qetë. “Shumë i qetë, pa probleme serioze, me shqetësime dhe ankesa të caktuara të subjekteve politike për çështje të caktuara ose të ndonjë anëtari të trupave punuese, por asgjë serioze për t’u brengosur. Dhe, kjo ka bërë që ne të jemi të relaksuar dhe të qetë, se vërtet procesi ka përfunduar mirë, të paktën deri tash, dhe pa asnjë problem serioz”, tha Baraliu. Në anën tjetër, shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Tim Guldimann, ka vlerësuar se ashtu edhe sikur janë bërë përgatitjet, edhe dita e zgjedhjeve ka kaluar e qetë dhe pa probleme, ndërkaq pjesëmarrjen, e cila nuk ka kaluar 50 përqindëshin, ai e ka quajtur si një gjë normale, që ndodh në të gjitha demokracitë në botë. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, e ka quajtur ditë të mirë për demokracinë ditën e sotme, përderisa ka vlerësuar se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë të rregullt. “Zgjedhjet kanë kaluar në mënyrë të qetë, njerëzit kanë treguar maturi, ata kanë dalë në numër domethënës. Ne mund të kemi madje pjesëmarrje më të madhe, sesa në zgjedhjet e kaluara. Pra, ishte një ditë shumë e mirë për demokracinë në Kosovë. Mendoj se ky është votim i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës, sepse lidershipit të Kosovës i duhet rilegjitimimi. Ne kemi vizituar disa vendvotime serbe dhe ato janë frekuentuar; domethënë, nuk ka pasur bojkot total, siç mund të kenë menduar disa”, tha Ruecker gjatë vizitës që i ka bërë një qendre votimi në Prishtinë. Ndërkaq, koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, që ka pasur 2500 vëzhgues në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, ka vlerësuar se procesi i votimit në të gjitha qendrat e Kosovës ka qenë i rregullt. Megjithatë, ky rrjet ka njoftuar për disa probleme teknike, që, sipas Ilir Dugollit, kanë mundur të kenë ndikuar edhe në pjesëmarrje. “Përgjithësisht mund të thuhet se procesi ka rrjedhur në mënyrë normale, pa incidente të mëdha. Kuptohet, ka pasur lëshime aty-këtu, ka pasur vështirësi, pengesa, nganjëherë edhe paqartësi. Janë bërë disa raporte nga ana jonë. Incidenti më i rëndë që ka ndodhur ishte ai i Hanit të Elezit, djegia që ka ndodhur atje; aty-këtu ka pasur edhe vështirësi tjera në hapjen e vendvotimeve, por përgjithësisht ka qenë i qetë”, pohoi Dugolli. Ndryshe, Shërbimi Policor i Kosovës, që ka ndihmuar KQZ-në në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, përveç djegies së 15 kutive të votimit në orët e mëngjesit në Han të Elezit, nuk ka regjistruar probleme që do të ndikonin në rrjedhën e procesit të votimit. Janë 7 mijë pjesëtarë të SHPK-së që po ndihmojnë procesin zgjedhor. Zëdhënësi Veton Elshani shpjegon: “SHPK-ja konsideron se deri në këtë moment, rrjedha e votimit në përgjithësi dhe gjendja e sigurisë ka qenë normale dhe e qetë”. Për herë të parë, në zgjedhjet e sivjetme u aplikua sistemi me lista të hapura, ku qytetarët kanë rast të votojnë për subjektin politik dhe 10 kandidatët e tyre të preferuar dhe po ashtu, për herë të parë, kryetari i komunës votohet direkt nga qytetari. Zgjedhjet po vëzhgohen nga 25 mijë vëzhgues ndërkombëtarë dhe lokalë. Rezultatet zyrtare të KQZ-së do të dihen 2 deri në 3 ditë pas zgjedhjeve, ndërsa ato përfundimtare në fillim të dhjetorit.
XS
SM
MD
LG