Ndërlidhjet

FORMULAT E MUNDSHME TË KOALICIONIT QEVERISËS


Bekim Bislimi

Asnjëri subjekt politik kosovar, që ka garuar në zgjedhjet e 17 nëntorit, nuk ka fituar mjaft vota, në mënyrë që si subjekt i vetëm ta formojë Qeverinë dhe ky fakt krijon sfidat për krijimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës, thonë analistët në Kosovë. Analisti Baton Haxhiu shpreh mendimin se për krijimin e udhëheqjes së re të Kosovës, ekzistojnë dy sfida. “Sigurimi i procesit politik, e para; e dyta, kujtesa për atë që quhet kontinuitet i meritogracisë ose i meritave për nënshkrimin ose përfundimin e statusit të Kosovës. Nëse shihet se këto dy pika janë të rëndësishme, atëherë do të shohim se edhe kah po shkon koalicioni i ardhshëm i asaj që quhet Qeveri e Kosovës”, tha Haxhiu. Ndërkaq, analisti Qerim Qerimi thekson se fakti që nuk ka parti që si e vetme të mund të krijojë Qeverinë, është një sfidë, por jo edhe e patejkalueshme. “...për faktin që partia, e cila sipas rezultateve paraprake të një koalicioni të organizatave joqeveritare, është shprehur e gatshme që të krijojë një koalicion me bazë të gjerë. Gjithashtu, nuk duket se mungon vullneti i një spektri të partive, të cilat kanë mbledhur vota që do të ishin të mjaftueshme për krijimin e një koalicioni”, tha Qerimi. Duke pasur parasysh se zgjedhjet janë zhvilluar në nivelin parlamentar, lokal si dhe për kryetarë të komunave, tërësia e rezultateve nga tri palë zgjedhje do të krijojë hapësirë që të kalkulohen koalicionet e mundshme nga partia politike, e cila ka fituar më së shumti vota, me partitë tjera që shprehin gatishmërinë për hyrje në koalicion. Analisti Haxhiu thotë se koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Lidhjen Demokratike të Kosovës është me shumë gjasa dhe se nuk do të duhej të paraqiste befasi. “Unë mendoj që për shkak të së kaluarës, për shkak të procesit, për shkak të shumë gjërave që kanë ndodhur dhe për shkak, të themi kështu, konkurrencës dhe armiqësisë së herëpashershme, PDK-ja dhe LDK-ja do të rrugëtojnë bashkë. E para, nuk do të ketë Qeveri pa marrëveshje. Marrëveshja do të ndërtohet, po themi kështu, në marrëveshje kryesisht politike, në mes të dy partive të mëdha, e cila do të reflektojë në tri pika, me dy ministri të ardhshme, me postin e presidentit dhe me qytetin e Prishtinës. Nëse në këto tri pika ka marrëveshje, atëherë pjesa tjetër do të shkojë më lehtë”, u shpreh Haxhiu. Ndërsa analisti Qerimi thotë se partia, e cila ka marrë më së shumti vota për zgjedhjet parlamentare, do të synojë që të ketë kontroll edhe në kuvendet komunale ose ta ketë mbështetjen e qeverive komunale, në mënyrë që ta ketë më të lehtë udhëheqjen ose që vendimet e saj në të ardhmen të jenë më gjerësisht të pranueshme. “Partia që ka fituar më së shumti vota për zgjedhjet e përgjithshme ka vërtet një interes strategjik që të marrë sa më tepër pushtete komunale. Dhe, për faktin që shumë prej atyre komunave ku kjo parti ka marrë më së shumti vota, por nuk ka marrë përqindjen e nevojshme, që është 50 plus 1 që të udhëheqë Qeverinë, atëherë do t’i duhet patjetër që të ketë mbështetjen e disa partive tjera, në mënyrë që ta fitojë këtë përqindje të nevojshme”, theksoi Qerimi.
XS
SM
MD
LG