Ndërlidhjet

PAS BOJKOTIT TË ZGJEDHJEVE, SERBËT TË SHQETËSUAR PËR PASOJAT


Zijadin Gashi

Ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet, përfaqësuesit e komunitetit serb thonë se ky bojkot do t’u sjellë atyre shumë pasoja. Ata që kanë vendosur për bojkotin, duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë, thotë Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb. Sipas saj, me mosdaljen në zgjedhje, serbët e kanë humbur pushtetin në dy komuna, në Novobërdë dhe Shtërpcë, si dhe i kanë humbur të paktën 10 vende në Kuvend, duke u mbetur në dispozicion vetëm 10 vendet që janë të rezervuara me Kornizën Kushtetuese. “Më së shumti janë goditur pjesët qendrore të Kosovës, përreth Graçanicës, pasi që Novobërda dhe Graçanica e patën mundësinë që të lidhin territorin e tyre gati deri në Bujanoc, që për ta do të ishte një siguri shumë më e madhe”, thotë Trajkoviq. Duke i humbur mandatet në nivelin komunal, shton ajo, tani shqiptarët e marrin kontrollin edhe në këtë pjesë të Kosovës, që kontrollohej nga serbët. Mirëpo, kishte edhe parti politike të serbëve që nuk i bojkotuan zgjedhjet, por mbështetja që atyre u është dhënë nga votuesit serbë, ishte krejt simbolike. Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si një prej atyre që ka dalë në zgjedhje, thotë se pavarësisht bojkotit, bashkësia serbe do të përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës përmes vendeve të rezervuara. “Ne do t’i përfaqësojmë interesat e bashkësisë serbe përmes Parlamentit të Kosovës, por do të shohim edhe sa mandate do t’i kemi në Parlament”, thotë Petroviq. Pjesëmarrja krejt simbolike e serbëve në zgjedhje, shton ai, do të ketë efekte negative, për shkak të kontestimit që mund t’i bëhet legjitimitetit dhe kredibilitetit të deputetëve serbë në Kuvend. Por, sidoqoftë, Petroviq thotë se partia e tij do t’i marrë ulëset që i takojnë në Kuvend. Në anën tjetër, Rada Trajkoviq vlerëson se deputetët serbë do ta kenë shumë vështirë ta përfaqësojnë komunitetin, kur dihet se sa vota i kanë marrë. “Serbët nuk e kanë ndihmuar vetveten që ta fitojnë legjitimitetin dhe t’i kenë përfaqësuesit legalë, të cilët brenda institucioneve do të kishin respektin e palës shqiptare dhe të bashkësisë ndërkombëtare”, thekson Trajkoviq, duke shtuar se mungesa e legjitimitetit do të ndikojë që edhe këta përfaqësues të rinj serbë nuk do të mund të zbatojnë asnjë marrëveshje pa përkrahjen e Beogradit. Ndërkohë, Petroviq thotë se partia e tij do të bashkëpunojë ngushtë me partitë shqiptare. “Ne shpresojmë dhe apelojmë te ata që do ta kenë pushtetin, ku ndoshta do të jemi edhe ne pjesë e tij, që duhet të jenë të vetëdijshëm se duhet të punojnë në interesin e qytetarëve të Kosovës”, thotë Petroviq. Sidoqoftë, thirrjet e Beogradit kanë ndikuar që serbët t’i përgjigjen krejt simbolikisht procesit demokratik të zgjedhjeve, kështu që pavarësisht dëshirës së disa përfaqësuesve që të marrin pjesë, edhe ata vetë shprehin dilema, se në këso rrethanash, sa do të jenë kompetentë që të marrin përgjegjësi mbi vete për mbrojtjen e interesave të komunitetit që përfaqësojnë.

XS
SM
MD
LG