Ndërlidhjet

KRASNIQI:”ENDE S’KEMI PËRCAKTUAR ME CILIN SUBJEKT DO TË QEVERISIM”


Jakup KRASNIQI, sekretar i përgjithshëm i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, Partia Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht doli fitimtare në zgjedhjet e së shtunës. Keni premtuar ndryshime. Çka do të ndryshojë?

JAKUP KRASNIQI
Partia Demokratike e Kosovës, gjatë gjithë periudhës sa ka qenë në opozitë, ka punuar që vërtet në Kosovë të bëhen ndryshime. Sigurisht, ndryshimet do të bëhen në shumë drejtime. Unë do të ceki se ndryshimet e para do të bëhen sa i përket rendit dhe ligjit. Ndryshime do të ketë edhe në përgjegjësinë e njerëzve që do të vendosen në institucionet e Kosovës. Do të kemi një ndryshim të politikave fiskale, që do të jenë në shërbim të bizneseve, sidomos të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ndryshim do të ketë edhe sa i përket qasjes së institucioneve të Kosovës në arsim. Ne konsiderojmë se arsimi duhet të jetë një nga segmentet kryesore që do përkujdesjen institucionale dhe arsimi do të jetë bazë e të gjitha zhvillimeve të ardhshme në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, Partisë Demokratike të Kosovës i duhet një koalicion për të qeverisur dhe në këtë kuadër, formula më e përfolur është koalicioni midis jush dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. A mund t’i konfirmoni këto njoftime?

JAKUP KRASNIQI
Ne tani jemi duke pritur rezultatin përfundimtar dhe zyrtar. Sigurisht, edhe gjatë fushatës, nuk kemi përjashtuar mundësinë e koalicioneve dhe nuk kemi bërë dallime se do të bëjmë koalicion me këtë dhe me atë. Natyrisht, koalicioni do të bëhet me ato subjekte politike, me të cilat ne do të hartojmë një program të përbashkët dhe pastaj një program që vërtet do të sjellë ndryshime substanciale në Kosovë. Dhe, për këtë, përgjegjësinë për të biseduar për koalicionet, sigurisht që do ta ketë kandidati i nominuar nga Partia Demokratike e Kosovës për kryeministër. Por, kjo do të ndodhë pas rezultatit përfundimtar zyrtar. Ne ende nuk e kemi përcaktuar se me cilin subjekt politik do të qeverisim; sigurisht, ne jemi të interesuar që qeverisja e ardhshme në Kosovë të jetë shumë stabile.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni ndonjë vijë të kuqe, të cilën nuk do ta kaloni në përpjekjet për arritjen e një koalicioni qeverisës?

JAKUP KRASNIQI
Mendoj se nuk është koha që ne të vëmë vija të kuqe. Ne nuk kemi përjashtuar asnjë subjekt politik nga mundësia e formimit të koalicioneve. Natyrisht, ne do të bëjmë koalicione me ato subjekte politike, me të cilat gjithë së bashku marrim përgjegjësinë për të bërë ndryshime të thella që i duhen Kosovës. Ne nuk mund të hyjmë në qeverisje të re me mentalitetin që ka ekzistuar në Kosovë. Ky mentalitet duhet të ndryshohet në themel. Në asnjë organ të Partisë Demokratike të Kosovës nuk është diskutuar as nuk është thënë se ky apo ai subjekt politik është i papranueshëm për të bërë koalicion. Ne bëjmë koalicion me të gjithë ata që kanë gatishmërinë për të bërë ndryshime në jetën edhe politike, edhe shoqërore, edhe publike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhje, në planin ndërkombëtar, është përshkuar me zotimin e Hashim Thaçit, se institucionet e reja të Kosovës do ta shpallin pavarësinë, menjëherë pas 10 dhjetorit. Në çfarë rrethanash mendoni se duhet të bëhet një shpallje e këtillë?

JAKUP KRASNIQI
Çështja e pavarësisë së Kosovës është një çështje që ne e dimë se ku janë pengesat. Ne e dimë si janë krijuar vështirësitë. Procesi i bisedimeve është duke vazhduar. Ne do ta presim përfundimin e këtyre bisedimeve, do ta presim edhe rezultatin që Treshja e Grupit të Kontaktit do t’ia dërgojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Sigurisht në kooperativitet të plotë me mekanizmat ndërkombëtarë që janë përcaktuar për pavarësinë e Kosovës, në kohën e duhur, ne jemi të bindur që institucionet e Kosovës e kanë përgjegjësinë që ta shpallin pavarësinë e Kosovës dhe të kërkojnë njohjen ndërkombëtare nga vendet e ndryshme të botës perëndimore dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi. Sigurisht se do të bëhet në koordinim edhe me OKB-në, edhe me SHBA-të, edhe me BE-në.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të ishin sfidat më të rënda përballë institucioneve të reja?

JAKUP KRASNIQI
Vërtet ka sfida të mjaftueshme përballë institucioneve të reja. Sfida kryesore është zhvillimi ekonomik, ndryshimi i politikave fiskale, që do ta ndihmonte zhvillimin ekonomik. Sundimi i rendit dhe i ligjit është një nga sfidat jo të vogla të institucioneve. Natyrisht, një sfidë e madhe është që Kosova duhet të ndërtojë kapacitete tjera administrative, që i kanë munguar gjatë kësaj kohe. Një nga sfidat tjera sigurisht që do të jetë edhe reformimi i thellë, që duhet të bëhet sidomos në sistemin e arsimit, por nuk mungon as në sistemin e drejtësisë. Dhe, duke i konsoliduar këto, ne mendojmë se për qytetarin e Kosovës dhe për të gjitha proceset në Kosovë do të hapen perspektiva të reja.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG