Ndërlidhjet

TRESHJA MUND T’I SUGJEROJË OKB-SË NJË ZGJIDHJE


Arton Konushevci

Gjatë gjithë periudhës së bisedimeve shtesë në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe komunitetit ndërkombëtar, nuk është arritur asnjë rezultat përmbajtjesor, thonë përfaqësues të partive politike shqiptare e serbe dhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare. Ata thonë se as në këto ditët e fundit nuk mund të arrihet asgjë konkrete. Enver Hoxhaj, sekretar për marrëdhënie me publikun në Partinë Demokratike të Kosovës, thotë se që nga fillimi ka qenë e qartë se me palën serbe nuk mund të arrihet ndonjë rezultat. “Mendoj se nuk do të ketë ndonjë kthesë të veçantë, meqë gjatë këtyre 120 ditëve edhe ashtu nuk është pritur ndonjë ndryshim përmbajtjesor, qoftë në relacionin në mes të Prishtinës dhe Beogradit, qoftë edhe në relacionin mes aktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, një grup i të cilëve ka qenë edhe kundër pavarësisë së Kosovës. Kështu që ka qenë test i fundit, që të shihet se sa Bashkimi Evropian dhe shtetet tjera të caktuara mund t’i unifikojnë qëndrimet e tyre”, tha Hoxhaj. Ai mendon se bashkësia ndërkombëtare e ka zgjidhjen për statusin e Kosovës dhe, sipas tij, ajo është pakoja e presidentit Ahtisaari. ”Komuniteti ndërkombëtar e ka edhe vendimin, edhe propozimin; ajo është pakoja e propozuar nga ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, që definitivisht ofron zgjidhje për shumë probleme që i ka Kosova, që për qytetarët e Kosovës që nga fillimi ka qenë një kompromis shumë i dhimbshëm dhe një dokument që nuk është shumë lehtë i implementueshëm. Mirëpo, çfarëdo tjetër që mund të ofrohej nga pala ndërkombëtare, definitivisht nuk do të ofronte zgjidhje për shumë probleme që ka Kosova”, tha Hoxhaj. Edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, thotë se jo vetëm në takimin e djeshëm nuk është arritur kurrfarë marrëveshjeje, por as në atë të fundit nuk pritet diçka konkrete. “Duket se nuk mund të pritet shumë, për faktin se pjesa më e madhe e kësaj faze të bisedimeve ka kaluar pa as më të voglën marrëveshje. Dhe, si rezultat, nuk duket se pjesa e mbetur, që është rreth 2-3 javë, do të jetë e mjaftueshme që palët të arrijnë ndonjë marrëveshje. Në këtë kuptim nuk pritet shumë”, u shpreh Qerimi. Ai tha se Prishtina zyrtare dhe Beogradi i kanë shpenzuar të gjitha mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje. Por, sipas Qerimit, komuniteti ndërkombëtar mund të dalë me një propozim. “Treshja do të vijë në përfundimin se është e pamundur që palët të arrijnë deri te ndonjë marrëveshje dhe si rezultat i kësaj mund të sugjerohet thjesht një zgjidhje, si një masë e fundit, në atë kuptimin që janë shterur të gjitha mundësitë, që palët të arrijnë një marrëveshje të përbashkët”, tha Qerimi. Nga ana tjetër, edhe Fadil Ferati, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mendon se vazhdimi i negociatave ka qenë një mundësi e mirë për komunitetin ndërkombëtar, për të parë se pala serbe dëshiron të bëjë, siç thotë ai, vetëm mashtrime politike dhe humbje kohe. “Jo, unë nuk shoh gjasa. Nuk kam qenë optimist që nga fillimi se do të pjellë diçka ky proces. Megjithatë, ka qenë mirë që është provuar edhe një herë, për herë të fundit, që të negociohet ose të mbërrihet ndonjë pikë. Megjithatë, po shihet se po shpenzohet kjo kohë dhe variantet që po ofron Serbia janë vetëm një dribling politik, siç e kanë zakon dhe nuk kanë ndryshuar asgjë në mënyrën e tyre”, theksoi Ferati. Ai tha se pas datës 10 dhjetor, në kohën kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, do ta marrë raportin nga Treshja ndërmjetësuese, Ekipi i Unitetit duhet ta vlerësojë politikisht procesin dhe në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare të bëhet edhe akti i fundit për shtetësinë e Kosovës. Ndërsa, Rangjell Nojkiq, njëri nga liderët e Listës Serbe për Kosovën, thekson se duke u nisur nga qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve, nuk mund të ketë përafrim të qëndrimeve. Ai pohon se çdo gjë varet nga bashkësia ndërkombëtare. “Çdo gjë varet nga bashkësia ndërkombëtare, se si dëshiron të shkojë rrjedha e mëtejme e bisedave dhe e zgjidhjes së statusit. Në esencë, ajo që ka ndodhur deri më tash, ishte përpjekje që të dyja palët të inkuadrohen në zgjidhjen e statusit, por qëndrimet e tyre nuk janë ato që e përcaktojnë statusin”, tha Nojkiq. Ai konsideron se bashkësia ndërkombëtare duhet ta shfrytëzojë kohën deri në takimin e ardhshëm, për t’i bindur palët për një zgjidhje të pranueshme. “Nëse bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që të ketë lëvizje përpara, në ndërkohë duhet të këtë takime me palët deri te përafrimi i qëndrimeve dhe kjo duhet të bëhet para takimit të ardhshëm”, theksoi Nojkiq. Anëtarët e Ekipit të Unitetit kanë deklaruar se pala kosovare do ta respektojë vullnetin e popullit për pavarësi, duke hedhur poshtë propozimin e Beogradit për modelin e Hong Kongut dhe atë të ishujve Alande.
XS
SM
MD
LG