Ndërlidhjet

PARTITË SERBE TË PAKËNAQURA ME LLOGARITJEN E VOTAVE TË PERSONAVE TË ZHVENDOSUR


Zijadin Gashi

Disa parti politike serbe paralajmërojnë se përkundër pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje, mund të mos i marrin fare vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, përderisa të mos llogariten, siç thuhet, 7 deri në 10 mijë votat e serbëve të zhvendosur nga Kosova. Sllavisha Petkoviq, kryetar i Partisë Demokratike Serbe të Kosovës, tha sot, gjatë një debati lidhur me zgjedhjet, se kishte manipulime me votat e serbëve të zhvendosur. “Dje, pasdite, kishim një takim të gjitha partitë që dolëm në zgjedhje dhe jemi marrë vesh se nuk do të marrim pjesë në punën e Kuvendit, nëse kjo parregullsi nuk përmirësohet dhe të na jepen votat e fituara jashtë Kosovës”, tha Petkoviq. Ndërsa Beogradi ia ka arritur qëllimit të vet për të siguruar bojkotin e zgjedhjeve nga ana e serbëve, Petkoviq ka akuzuar në anën tjetër bashkësinë ndërkombëtare, e cila, sipas tij, nuk ia doli që të krijojë kushte më të mira votimi për serbët. Mirëpo, shefi i Misionit të OSBE-së, Tim Guldimann, vlerëson se zgjedhjet kanë kaluar qetë dhe pa incidente. Ndërkaq, ndonjë parregullsi e evidentuar, sipas tij, nuk mund të vlerësohet se ka shkaktuar parregullsi në tërë procesin zgjedhor. Dalja e përgjithshme në zgjedhje, sipas tij, ishte diku 43 për qind. Guldimann vlerësoi po ashtu se dalja apo mosdalja në votime është vendim i secilit, por thirrja e Beogradit për bojkot, shtoi ai, ishte për çdo kritikë. “Ne i kemi kritikuar thirrjet e Beogradit për bojkot, si dhe thirrjet e ngjashme të institucioneve në veri të Kosovës, përfaqësuesve nga shkollat, spitalet e institucionet tjera, që po ashtu bënin thirrje për bojkot”, theksoi Guldimann. Mirëpo, ndryshe vlerëson përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Sergjan Vasiq. Sipas tij, mosdalja e serbëve në zgjedhje nuk erdhi vetëm si rrjedhojë e thirrjeve të Beogradit, por si pasojë e pozitës së tyre në Kosovë dhe institucioneve vendore. “Bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet, të cilat kanë qenë të ngarkuara me organizimin e zgjedhjeve, e dinin disponimin e serbëve se nuk do të dalin në zgjedhje dhe nuk bënë asgjë për t’i bindur ata që ky disponim të ndryshojë”, tha Vasiq. Në anën tjetër, Tim Guldimann pret që partitë shqiptare të bashkëpunojnë dhe t’i ftojnë serbët të jenë pjesë e jetës institucionale. “Kjo është një detyrë politike. Ne presim nga përfaqësuesit e shqiptarëve që t’i zbatojnë zotimet e tyre për integrimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, theksoi Guldimann. Në këtë çështje, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, nga subjekti që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e 17 nëntorit, thotë se PDK-ja është e hapur për ndërtimin e një qeverie, pjesë e së cilës do të ishin edhe komunitetet. “E them publikisht se qeveria do të jetë shumetnike. I ftoj përfaqësuesit e partive politike serbe që të marrin pjesë aktive në Qeverinë e Kosovës, në resorë të caktuar dhe jo vetëm sipas asaj që është paraparë në Kornizën Kushtetuese, por edhe si partnerë qeverisës”, theksoi Kuçi. Sidoqoftë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga partitë që kanë marrë pjesë në zgjedhje, shprehin në vazhdimësi edhe dilemat e tyre se sa ata mund të jenë kredibilë dhe kompetentë në përfaqësimin e interesave të komunitetit të tyre, përderisa shumica absolute e këtij komuniteti i ka bojkotuar zgjedhjet.

XS
SM
MD
LG