Ndërlidhjet

EN: PAS 10 DHJETORIT, HAPI I PARË ËSHTË SHPALLJA E PAVARËSISË


Zijadin Gashi

Kosova do ta respektojë agjendën ndërkombëtare deri më 10 dhjetor, ndërkaq pas kësaj date nuk do të ketë më zvarritje, por do të kalohet në vendimet për statusin e Kosovës, thonë zyrtarët e Ekipit Negociues në Prishtinë. Në prag të takimit të fundit në procesin shtesë negociues, që mbahet nga data 26 deri më 28 nëntor në Vjenë, Ekipi Negociues thotë se nuk pret asnjë marrëveshje me Beogradin, duke pasur parasysh pozicionet aktuale midis palëve. Zëdhënësi i Ekipit Negociues, Skënder Hyseni, tha sot se marrëveshje nuk mund të ketë, përderisa Serbia të mos e pranojë zgjidhjen e vetme reale, që, sipas tij, është pavarësia e Kosovës. Bazuar në agjendën ndërkombëtare, Hyseni tha se Prishtina do ta respektojë atë, por menjëherë pas 10 dhjetorit, ai tha se do t’i nevojitet pak kohë për konsultime ndërkombëtare, para se të shpallet pavarësia e Kosovës. “Pas 10 dhjetorit, vendimet e duhura do të jenë për hapin e parë që duhet bërë, e hapi i parë patjetër që do të jetë shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe kërkesa zyrtare për njohje zyrtare të kësaj pavarësie. Edhe në këtë, ne nuk do të nxitojmë të paragjykojmë ose të përjashtojmë këtë apo atë mundësi, sepse Kosova synon dhe është e vendosur që çdo veprim të vetin ta koordinojë me faktorët kyçë ndërkombëtarë, faktorët kyçë - përkrahës të pavarësisë së Kosovës sipas rekomandimeve të presidentit Ahtisaari”, tha Hyseni.
Ekipi i Unitetit, sipas tij, pret që institucionet e reja në Kosovë të formohen në afatin më të shpejtë të mundshëm dhe nuk beson se do të ketë vakuum institucional në kohën e vendimeve të rëndësishme. Ndërkaq, në planin ndërkombëtar, Hyseni tha se beson që Uashingtoni si dhe vendet më me ndikim në Bashkimin Evropian e kanë kuptuar se negociatat nuk mund të prodhojnë marrëveshje, për shkak të pozicioneve të Beogradit. Ai i quajti joserioze propozimet serbe për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që shprehen në vazhdimësi, në kuadër të takimeve nën ndërmjetësimin e Treshes. “Përpos modelit të Hong Kongut, kemi dëgjuar edhe margaritarë tjerë në Bruksel, si Ishujt Alande, mandej Portoriko, Makao, e modele tjera të ngjashme. Natyrisht, përgjigja jonë ka qenë e qartë, se në Kosovë nuk mund të importohen modele të tilla. Dhe, në tallje e sipër, në Bruksel thamë se ne mund të na pëlqejnë komeditë e Xheki Çenit, por nuk na pëlqen modeli i Hong Kongut për Kosovën”, theksoi Hyseni. Zëdhënësi i Ekipit Negociues tha se nuk ka ndonjë indikacion që Treshja ndërkombëtare apo bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi të dalë me ndonjë zgjidhje të gatshme për statusin. Ndryshe, me takimin e gjashtë me radhë, në Vjenë, ndërmjet Prishtinës e Beogradit nën ndërmjetësimin e Treshes, pritet të përmbyllet faza shtesë prej 120 ditësh, me një raport që Treshja do t’ia paraqesë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, siç është thënë, më së largu më 10 dhjetor. Ndonëse Prishtina zyrtare e ka proklamuar tashmë qëndrimin e vet për shpalljen e pavarësisë pas kësaj date, megjithatë analistët parashohin se vendimet për statusin nuk mund të priten pa një koordinim sidomos me Uashingtonin dhe qeveritë më me ndikim në kuadër të Bashkimit Evropian, aq më tepër kur pritjet janë që ky vendim do të mund ta anashkalojë Këshillin e Sigurimit, për shkak të kërcënimit rus me veto ndaj rezolutës së re për Kosovën.


XS
SM
MD
LG